Haradinaj pas takimit me Kaja Kallas: Koha është për heqjen e sanksioneve ndaj Kosovës

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, u takua sot me Përfaqësuesen e Lartë dhe zëvendëspresidenten e Komisionit Evropian, znj. Kaja Kallas, e cila po qëndron për vizitë zyrtare në Prishtinë.
Pas takimit, Haradinaj deklaroi se kishte nderin të diskutonte me znj. Kallas rreth zhvillimeve të fundit në vend dhe rajon, si dhe për sfidat në rrugën drejt integrimit evropian.
“Çmova lart rolin e saj dhe angazhimin e Bashkimit Evropian për sukseset e arritura në Kosovë dhe në rajon”, theksoi Haradinaj në një postim në Facebook.
Ai nënvizoi nevojën e menjëhershme për tërheqjen e masave ndëshkuese të vendosura nga Bashkimi Evropian ndaj Kosovës, duke i cilësuar ato si pengesë për përparimin e vendit.
“Gjatë takimit theksova nevojën urgjente për heqjen e sanksioneve ndaj Kosovës dhe njëkohësisht rëndësinë e mbështetjes së vazhdueshme nga BE në rrugëtimin tonë drejt integrimit” tha Haradinaj, transmeton Telegrafi.
Kreu i AAK-së u shpreh optimist se me bashkëpunim të ngushtë dhe mirëkuptim reciprok, rruga drejt Bashkimit Evropian do të jetë më e sigurt dhe më e qëndrueshme për Kosovën dhe qytetarët e saj.
Vizita e znj. Kallas në Prishtinë po zhvillohet në një periudhë të ndjeshme politike dhe diplomatike për Kosovën, me sanksionet evropiane ende në fuqi dhe tensionet në procesin e dialogut që mbeten sfidë për liderët vendorë. /Telegrafi/