Haradinaj: Pacolli më ka dhënë para, por nuk ndiej obligim ndaj tij
Ish kryeministri i Kosovës dhe lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, në një intervistë për “Argument Plus” të RTV21, ka thënë se pas zgjedhjeve të 3 nëntorit është takuar me Thaçin. Haradinaj ka thënë se ai është njeriu u duhur për të qeverisur Kosovën. Ai ka folur edhe për ndihmën që i është dhënë gjatë kohës sa ishte në Hagë, duke thënë se i ka ndihmuar edhe Behgjet Pcolli, por jo aq sa thuhet, dhe se nuk ndien asnjë obligim ndaj tij.
Duke folur për rezultatin e zgjedhjeve të 3 nëntorit, Haradinaj tha se ka pritur një rritje më të madhe të votave sesa i ka marrë.
Ai ka thënë se pas zgjedhjeve është takuar dy herë me kryeministrin Hashim Thaçi.
Por, kjo, sipas Haradinajt nuk do të thotë se është duke u diskutuar për ndonjë koalicion në mes të partive në nivel nacional, por kryesisht po flitet për koalicione nëpër komuna të caktuara, ku ekziston edhe disponimi i degëve.
“Ne jemi të ndarë me zotin Thaçi sa i përket qeverisjes por kjo nuk do të thotë që ne mos të marrim përgjithësi. Është një tendencë nëpër media që me kriju një përshtypje se kemi një marrëveshje, por nuk kemi. Kjo gjë nuk na pengon me komuniku me Thaçin, por edhe me Mustafën ne komunikojmë”, tha Haradinaj, citon Express.
Ai i ka quajtur koalicionet nëpër komuna si koalicione që bëhen në kuadër të specifikave zgjedhore, përderisa për Gjilanin ka thënë se AAK ende nuk është përcaktuar se me kë do të bëjë koalicion në balotazh.
Duke folur për Pejën dhe Gjakovën, Haradinaj është shprehur i bindur që këto komuna do të udhëhiqen nga partia e tij.
Në lidhje me koalicionet Haradinaj ka thënë se ata kërkojnë partner në tetë komuna, ku ata janë në balotazh dhe se kanë bërë koalicione si me LDK ashtu edhe me PDK.
“Kjo varet edhe prej disponimit të degëve së sa shumë nga neve”.
Për Haradinajn AAK tashmë është një parti funksionale në tërë Kosovën dhe se ai ka mësuar shumë nga kjo fushatë.
Haradinaj ka thënë se për qeverinë e ardhshme vendosin qytetarët e Kosovës, por ka përjashtuar ndonjë koalicion të mundshëm me Vetëvendosjen.
Haradinaj ka thënë se ai është njeriu u duhur për të qeverisur Kosovën.
“Unë jam kryeministër i ardhshëm i vendit. Ndryshe thonë nga kandidatët e tjerë që e pretendojnë këtë pozitë, unë e them sonte se në këtë vend jam njohësi më i mirë i qeverisjes. Unë nuk shkoj kryeministër për partinë, por shkoj për të gjitha temat, për bërllokun, për çerdhet dhe për të gjitha problemet që preokupojnë qytetarin”, tha Haradinaj.
Ai ka folur edhe për sukeseet e 100 ditëshit të tij, ku ka thënë se njerëz që edhe sot punojnë në Qeveri flasin për atë kohë, si një kohë të artë të qeverisjes.
Haradinaj ka folur edhe për ndihmën që i është dhënë në para gjatë kohës sa ishte në Hagë.
Për Pacollin, ai ka pranuar se e ka ndihmuar me para gjatë kohës sa gjykohej nw Hagë.
“Pacolli me ka ndihmuar me para, jo aq sa thuhet, por s’ndi kurrfarë obligimi ndaj tij”, ka thënë ai.
“Më shumë ndi obligim ndaj mësuesit që mi ka dhënë 5 euro, sesa ndaj tij”, ka shtuar ai.
Ndërkaq, duke folur për epitetet që i kanë dhënë partisë së tij se është një parti që qet haraç dhe gjëra të tjera, Haradinaj i ka quajtur shpifje të nivelit të ulët.
“Unë jam lideri më i besuari në vend”, tha Haradinaj, duke shtuar se ka shumë shpifje për AAK-në në këtë periudhë edhe pse ajo po luan rolin e një partie konstruktive për të mirën e vendit. /Telegrafi/