UBT

Haradinaj: Nuk jam më sikur atëherë…!

/ 2 minuta lexim

Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, nuk ka fjalë të këqija për punën e Qeverisë së Kosovës. Lideri i AAK-së, në një intervistë për “Zërin”, për asnjë moment nuk flet për SHIK-un, të cilin para se të shkonte në Hagë për rigjykim, nuk kishte vend e “odë” që nuk e shante. Madje, e vetmja pyetje ku Haradinaj s’ka pasur përgjigje është ajo kur është përmendur emri i ish-shefit të SHIK-ut, Kadri Veseli.

“Nuk kam koment”, ka thënë ai kur është pyetur për deklaratën e Veselit se Haradinaj mund të bëhet kryeministër vetëm pasi t’i nënshtrohet procesit zgjedhor.

Megjithatë, ai të mërkurën kishte adresuar kritika ndaj dikujt tjetër. Medieve dhe analistëve politikë. Madje shpreh mllefin ndaj tyre.

Sipas Haradinajt, gazetarët “eksitohen nga titujt bombastikë”, ndërsa analistët politikë thotë se janë të shitur dhe punojnë për interesa të caktuara.

UBT

Haradinaj në pjesën e parë të intervistës thotë se nuk e ka ndërmend të lëshojë pe për postin e kryeministrit. Edhe pak ditë i ka dhënë afat PDK-së për çështjen e koalicionit.

Ndonëse nuk ka strategji konkrete se si ta luftojë korrupsionin, Haradinaj thotë se ky fenomen “luftohet me faktin se vetë nuk do të korruptohet, nëse ai do ta marrë postin e kryeministrit”, gjë që, sipas tij, do të reflektojë te ministrat, zëvendësministrat e këshilltarët e tyre.

Pretendenti për kryeministër të vendit thotë se privatizimi i deritashëm ka pasur mangësi, ndërsa shprehet i shqetësuar me privatizimin e distribucionit të KEK-ut. /Telegrafi/