Fundamenti

Haradinaj kërkon dorëheqjen e Kurtit: I tha jo projektit amerikan, mori vendime të rrezikshme

/ 3 minuta lexim

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka kërkuar dorëheqjen e Qeverisë Kurti, raporton Gazeta Express.

Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, Haradinaj ka deklaruar se Qeveria Kurti ka marrë dy vendime të dëmshme e të rrezikshme për Kosovën.

Ai ka thënë se kjo qeveri ka refuzuar projektin e gazit dhe u ka thënë jo 200 milionëve amerikanë të alokuara për vendin.

Haradinaj ka thënë se qeveria para dorëheqjes duhet të rikthejë vendimin për gazin.

Fidanishtja

“Qeveria Kurti ka marrë dy vendime të dëmshme pra të rrezikshme për Kosovën. Njëra njihet si marrëveshja për targat, dëmet e saj do t’i përjetojmë dhe do të përballemi me to në të ardhmen, dhe tjetri vendim është refuzimi i projektit të gazit. Duke refuzuar projektin e gazit, Qeveria Kurti përveç që i kanë thënë jo Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ju ka thënë jo edhe partnerëve tjerë siç është BERZH të cilët aktualisht janë duke punuar në masterplanin e gazit të Kosovës. Ky qëndrim dhe refuzim i qeverisë është shumë shqetësues dhe si kurrë më parë Kurti lëkundi miqësinë tonë me Amerikën. Lëkundje që do të ketë pasoja për vendin, prandaj thirrja për dorëheqje e kësaj dorëheqje është legjitime dhe njëkohësisht para dorëheqjes ta rikthejnë vendimin për gazin”, ka deklaruar ai.

Tutje ai ka thënë se Kurti projektin amerikan e ka quajtur projekt rus, kësisoj edhe e ka njollosur atë.

“MCC ka shpenzuar tre vjet dhe mbi 10 milionë dollarë në studime të ndryshme të fizibilitetit të gazit. Për këto studime MCC gjithashtu angazhoi inxhinierë të ushtrisë amerikane së bashku me kompanitë tjera kontraktuese dhe gjithë këtyre, ekspertët e mëdhenj të qeverisë Kurti ju thanë jo. Këta ju thanë jo edhe inxhinierëve të ushtrisë amerikane, ju thanë se studimet e juaja nuk janë bindëse. Pra Kurti po ju thotë jo 200 milionëve amerikan të alokuara nga presidenti Biden për Kosovën në maj të këtij viti, për cilin lajm Qeveria Kurti nuk e tha asnjë fjalë të vetme, as nuk u lodhën për të mirëpritur kërkesën e presidentit Biden. Kurti po i thotë jo një projekti gjeostrategjik për vendin që do të hapte rrugën për aleanca të reja dhe të rëndësishme për vendin. Kurti po i thotë projektit amerikan projekt rus, mbi të gjitha aspekti më shqetësues është njollosja e projektit nga kjo qeveri”, ka shtuar Haradinaj.