RCCOLA

Haradinaj: Kadri Veseli, gjithmonë pjesë e vendimmarrjes së PDK-së

/ 5 minuta lexim
Mobi Casa

“Janë të çuditshme” thotë Ramush Haradinaj kur pyetet për rigjykimin e rastit “Kleçka”, për fusnotën, për vetëvrasjen e Dino Asanajt, për vlerën e shitjes së distribucionit të KEK-ut.

Për Kadri Veselin thotë se ka qenë gjithmonë pjesë e vendimmarrjes së PDK-së, hyrjen e mundshme në Qeveri nuk e sheh si gjetje të bashkëpunëtorëve por si marrje përgjegjësie, ndërsa politikën e jashtme e quan reflektim të asaj që bëhet brenda në Kosovë.

Ramush Haradinaj ishte çuditur kur rasti i njohur si “Kleçka” kundër deputetit Fatmir Limaj dhe disa bashkëluftëtarëve të tij u kthye në rigjykim në muajin nëntor 2012.

“Rasti Limaj është një rast i çuditshëm”, thotë lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), në një intervistë për Jeta në Kosovë.

Limaj ishte shpallur dy herë i pafajshëm për të njëjtin rast – një herë nga Tribunali Penal Ndërkombëtar për Krime të Luftës në Ish-jugosllavi, ICTY, dhe për të dytën herë nga Gjykata e Qarkut në Prishtinë, më 2012, kur u shpallen të papranueshme dëshmitë dhe ditari i Agim Zogajt, i njohur si “Dëshmitari X”, pasi u gjet i vdekur në një park në Gjermani dhe në pamundësi të ballafaqimit me mbrojtjen.

“Thënë të drejtën, më nuk po kuptoj çka është duke ndodhur me këtë situatë”, thotë Haradinaj për Gazetën JNK.

“Në princip duhet ta ndihmojmë ligjin, derisa involvimi i gjatë i procedurave nuk ndihmon në zbatim të ligjit ose nuk ndihmon që të nxirret një vendim me duar të lira”, tha ai. “Shoqëria ndërkombëtare, por edhe ne, kemi mësuar edhe nga rasti im edhe nga rasti Limaj se si duhet të evitohen procedurat e gjata dhe se si ato nuk duhet të përsëriten”.

Një nga argumentet e mbrojtjes në rastin e rigjykimit të Haradinajt në Hagë, derisa u lirua në nëntor, ishte rikujtimi i parimit të drejtësisë se askush nuk duhet të gjykohet dy herë për një vepër.

“Për rastin tim, mediat nuk janë marrë shumë por kjo është shenjë e mirë, sepse keni besuar në ligj…që kryhet puna përmes ligjit”, tha Haradinaj. “Edhe mua mu kanë dhimbtë shtatë vjet, por ne kemi humbur edhe dekada. Dëshira ime është të shkojmë tutje përpara dhe jo të gjejmë elemente që na bllokojnë”.

Kështu Haradinaj tha se çfarëdo vendimi që do të merret ndaj Fatmir Limajt dhe të tjerëve, qytetarët duhet ta besojnë. “Nuk ka zgjedhje tjetër, ne duhet të besojmë në ligj”, thotë Haradinaj. “Ligji mund të mos jetë perfekt, mund edhe të bëjë gabime në raste të caktuara, por avancimi i ligjit është proces, ndodhë çdo herë, dhe çdo lloj rasti është një precedent për studim, për trajtim”.

Mobi Casa

“Ne kemi qenë për shumë vite në burg, kemi besuar në ligj, në drejtësi e në liri. Në rast se tash që jemi kaq afër, unë them mos beso në ligj – është gabim. Nuk mund të jap kësi mesazhi për askënd”, tha ai. “Besoni në ligj. Më mirë ligj i keq, sesa pa ligj. E detyra jonë është me avancu ligjin, me e sjellë atë në pozicion sa ma te vërtetë, sa më të drejtë”.

Edhe vetëvrasjen e ish-kryetarit të bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Dino Asanaj, Haradinaj e ka quajtur “një rast i çuditshëm”.

“Tjetër nuk di çka të them”, u shpreh ai.

Përgjigje të ngjashme ai jep edhe për çmimin prej 26.3 milionë eurosh për të cilin ishte shitur distribucioni i rrymës elektrike për konzorciumin turk “Çalik Holding” dhe “Limak Holding”.

“Çmimi është çudia e zotit”, tha Haradinaj. “Kjo është e vështirë të shpjegohet”.

Kompania turke “Limak…” është edhe drejtuese e konzorciumit të cilit i ishte dhënë me koncesion Aeroporti i Prishtinës.

“Unë s’kam hyrë në dosje me pa çdo detaj dhe çdo aspekt…e mundet me qenë edhe koincidencë”, i pyetur se përse kompanitë turke po i fitojnë privatizimet e mëdha.

“Por mënyra si i bëjmë ne punët, lejimi që ndoshta shumica e punëve tona të bëhet përmes instrumenteve që nuk janë të duhur, e dëmtojnë ofertën tonë paraprakisht…sepse ndoshta para se me ofertu, ne e dimë se kjo është diçka tjetër”.

Loja e shitur?, pyetet ai.

“Po, mund të ndodhë edhe ashtu. Nuk kam qenë në këto dosje, por hetohet një lloj situate”, thotë Haradinaj. “I kemi rastet e ofertave tjera, në energji ende nuk kemi investitorë të interesuar, në PTK ende nuk ka zgjedhet investitori…të gjitha këto zvarritje në njëfarë mënyre janë dëshmi që ne po dështojmë sigurojmë që oferta është ofertë dhe nuk ka instrumente tjera”. (ORAinfo)