Haradinaj i palëkundur: Demarkacioni është gabim, ua kemi bërë me dije edhe miqve ndërkombëtarë

Shefin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, nuk e kanë lëkundur aspak porositë e zëvendëspresidentit amerikan, Joe Biden, që demarkacioni me Malin e Zi duhet votuar. Haradinaj ka thënë se vazhdon të mendojë se demarkacioni është gabim.
“Qëndrimi im, i AAK’së dhe i partive opozitare, është se ky demarkacion është gabim, nga dy akset rrugore, nga Plava e në Pejë dhe drejtimi nga Rozhaja në Pejë”, ka deklaruar Haradinaj në Zona B në Klan Kosova.
“Kemi punuar intenzivisht për t’iu shpjeguar të gjithëve se ky version është gabim dhe duhet të korrigjohet. U kemi bërë me dije edhe miqve ndërkombëtarë dhe jo vetëm atyre vendorë”, ka thënë Haradinaj.
Ai ka theksuar se edhe debati shkencor i mbajtur në fillim të muajit gusht, e ka dëshmuar pasaktësinë e përcaktimit të këtij demarkacioni.
“Edhe tryeza e 3 gushtit e shpjegoi që ky version”, ka deklaruar Haradinaj.
Haradinaj ka thënë se kryeministri dhe presidenti mund ta korrigjojnë, sipas tij, gabimin që është bërë në këtë marrëveshje, njofton klankosova.
Ai ka thënë se Kuvendi i Kosovës, deputetët me votat e tyre, duhet të mos e ratifikojnë këtë marrëveshje.
“Nëse komisioni ka dhënë një version të caktuar atëherë Thaçi ose Mustafa e kanë mundësinë me e korrigjua këtë gabim. Gabimin e parë e ka bërë ai që e ka servuar këtë version të demarkacionit. Nëse parlamenti e rrëzon këtë gabim atëherë është në rregull”, është shprehur Haradinaj