Haradinaj: Askush nuk guxon të flas për territorin e Kosovës së 17 shkurtit

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj ka deklaruar se ndarja e punëve në mes të presidencës, qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës, do të pamundësonte që Kosova të befasohej nga marrëveshjet që përfshijnë ndarjen e kufijve apo territorit, shkruan “Zëri.info”
Këto deklarata i pari i ekzekutivit i ka bërë në një konferencë për media, pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, e ku ka kërkuar edhe krijimin e një delegacioni për bisedimet Kosovë-Serbi.
“Mirë është të formohet edhe ekipi apo delegacioni i Kosovës. Kjo ka të bëj pastaj me ndarjen e punëve. Qeveria për shembull e ka një pjesë të rëndësishme në dialogun teknik apo profesional. Është mirë që edhe Kuvendi ta marrë një pronësi që i takon për dialog duke e votuar një delegacion. Jam i sigurt që në këtë total të punëve dhe detyrave, nuk ka mundësi që dikush ta befasojë Kosovën me marrëveshje që e befason për kufij apo me territor”, ka thënë Haradinaj.
Lidhur me këtë gjë i pari i qeverisë ka kërkuar nga opozita e vendit që të sjellë një projekt apo rezolutë që tregon se çfarë duhet bërë Kosova në kuadër të dialogut me Serbinë, pasi që sipas tij tani janë dëshmuar vetëm gjërat që nuk duhet bërë.
“Më së miri kish qenë me pa se çka bën dhe çka nuk bën në dialog. Qëndrimet e mija dhe të qeverisë janë të qarta, mund t`i konsolidojmë këto qëndrime por ne po ashtu duhet ta kemi edhe një formulë se çka bën, çka është mirë me ndodh. Ka pasur disa rezoluta në Kuvend, një ka qenë edhe tash. Është mirë që edhe opozita pra të mos shkoj me vetëm atë se çka nuk bën”, është shprehur tutje ai, raporton “Zëri.info”.
Haradinaj ka folur edhe për vizitën që presidenti i vendit Hashim Thaçi, do ta zhvillojë në Francë. Ai ka thënë që është mirë për vendin nëse marrin ftesa të tilla nga liderë botëror. Tutje ai ka potencuar që askush nuk guxon të flasë me askënd për territorin e Kosovës.
“Presidenti megjithatë është i zgjedhur. Nuk mund të i`a ndalosh ti që të ulet me një president tjetër. Nëse presidenti Macron i thirr liderët e vendeve, është mirë për Kosovën që të marrë pjesë. Në planin ndërkombëtarë kur je jashtë askush nuk i din bash mirë detajet e kësaj që jemi ne këtu. Besoj që e kemi dëshmuar që askush nuk guxon të flasë me askënd për territorin, për Kosovën e 17 shkurtit”, ka potencuar ai.
Ndërsa Haradinaj nuk ka pranuar të jap detaje shtesë për takimin me zëvendës-ndihmësin amerikan të shtetit Matthew Palmer. Ai ka thënë që është e rëndësishme që një personalitet si ai ka vizituar Kosovën duke dëshmuar kështu mbështetjen e Amerikës për Kosovën.
“I presim këta që na vinë se është respekt. Njëkohësisht tek çka ka thënë Palmer unë nuk kam të drejtë të flasë. Ju i dini qëndrimet tona. Mirëpo është me rëndësi ardhja e Palmerit në Kosovë. Dëshmon një vendosmëri të Amerikës për Kosovën.
Po marrëveshje ligjore, obligative me njohje reciproke me Serbinë, jo negociata për ndarje dhe kufij, ato janë vetëm kamuflazh për ndarje”, ka deklaruar ai.
Në anën tjetër në mbledhjen e qeverisë së Kosovës, kabineti qeveritar ka miratuar Projektligjin për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2019, e ku u ka dhënë prioritet disa fushave si : mbrojtja, rendi, shëndetësia, arsimi dhe mjedisi.
Në mbledhje po ashtu është folur edhe për rritjen e pensioneve si dhe për rritjen e stabilitetit ekonomik.
Është paraparë që buxheti, prej 2 miliardë e 370 milionë euro të ketë rritje ekonomike prej 4.7 përqind, si dhe rritje të investimeve kapitale për 11%, apo 75 milionë në raport me vitin 2018. /ZËRI