Haraçi si shpërblim
Nga Imer Mushkolaj – Shteti po vazhdon t’i plaçkisë mërgimtarët kosovarë që vizitojnë vendlindjen. Si shpërblim për miliardat e derdhur në Kosovë, ata po paguajnë haraç në kufi. Ndërkaq, dhjetëra milionë të mbledhur nga plaçkitja e organizuar nuk dihet ku përfundojnë saktësisht. Në vend që të mirëpriten dhe t’iu vlerësohet kontributi i vazhdueshëm për vendin e tyre, zhvatja e pamëshirshme ndaj mërgimtarëve vazhdon.
Dërgojnë qindra miliona euro në vendlindje brenda vitit, i mbajnë gjallë familjet dhe investojnë në vendin e vet. Por, si shpërblim për këtë, atdheu ua kthen me të keq. I detyron mërgimtarët të paguajnë haraç që në kufi.
Për policën e sigurimit ata ende japin para, për të cilat me të drejtë shprehin dyshimin se në xhepa të kujt përfundojnë. Shto kësaj edhe radhët e gjata që zakonisht bëhen në pikat kufitare, nuk ka mënyrë më të poshtër për t’i pritur ata që e kanë ndihmuar dhe vazhdojnë ta ndihmojnë Kosovën.
Më tepër se shuma e parave që iu merret në kufi, për mërgimtarët është shqetësues trajtimi që iu bëhet në vendin e tyre. Loja me pagesën në kufi vazhdon ende, milionat mblidhen nga ta e askush nuk jep përgjegjësi.
Po të kishte interesim e vullnet, pagesa për policat kufitare do të mund të hiqej me një vendim qeverie. Por, asnjëra nga qeveritë nuk e ka ndërmarrë një hap të tillë, duke bërë kështu që përfitimet e kompanive të sigurimit në kurriz të mërgimtarëve të jenë marramendëse.
Pagesat që duhet bërë në kufi zyrtarët shtetërorë dhe të kompanive të sigurimeve më së shpeshti i arsyetojnë me mosanëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Byrove dhe Kartonin e Gjelbër. Por, njëkohësisht, ka nga ta që kanë pranuar se nëse pagesa do të hiqej, kjo do të ndikonte pozitivisht në përpjekjet e Kosovës për anëtarësim në këtë organizatë dhe se përfitimet e Qeverisë do të ishin shumë më të mëdha në krahasim me humbjet. Atëherë, kujt i konvenon haraçi mbi mërgimtarët dhe kush përfiton nga milionat e mbledhur?
* * *
Zyrtarë shtetërorë kanë premtuar shumë herë se pagesa në kufi do të hiqet, por nuk e kanë mbajtur premtimin. Madje, ata as që e kanë mundësuar që të paktën kjo pagesë të bëhet online, në mënyrë që të shmangen procedurat dhe pritjet e panevojshme.
Ka pasur pretendime se arsyeja pse Kosova nuk ka marrëveshje me Byronë Evropiane të Kartonit të Gjelbër janë pikërisht kompanitë kosovare të sigurimeve, të cilave nuk iu konvenon një marrëveshje e tillë. Ato kanë përfituar më shumë se 200 milionë euro nga mërgimtarët, ndërkohë që institucionet përgjegjëse për luftimin e monopolit nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim.
Në këtë mënyrë, mërgimtarët po paguajnë një kosto shumë të lartë për të ardhur në vendlindje. Thuajse çdo vit në prag të pushimeve verore dhe fluksit të madh të mërgimtarëve janë dhënë premtime për heqjen e taksës në kufi. Por, kjo nuk ka ndodhur. Plaçkitja bëhet në formë të organizuar, me ndihmën e shtetit që do të duhej ta ndërpresë një gjë të tillë. Në vend që të mirëpriten dhe t’iu vlerësohet kontributi i vazhdueshëm për vendin e tyre, zhvatja e pamëshirshme ndaj mërgimtarëve vazhdon.
Byroja Kosovare e Sigurimeve udhëhiqet nga njerëz të afërt me politikanë të fuqishëm, ndërkohë që ka munguar transparenca dhe llogaridhënia para institucioneve e kësaj organizate.
* * *
Para dy vjetësh, pagesa për mërgimtarët në kufi ishte ulur për 50 për qind. Ata vazhdojnë që për 15 ditë qëndrimi në Kosovë të paguajnë 15 euro dhe 20 euro për qëndrim njëmujor. Nga zyrtarë shtetërorë dhe të kompanive të sigurimeve atëbotë ishte premtuar se do të vazhdonte angazhimi për heqjen e plotë të tarifës. Por, gjithçka ka mbetur vetëm premtim.
Vazhdimi i plaçkitjes së mërgimtarëve është fyerje dhe poshtërim për ta dhe mosnjohje e kontributit dhe sakrificës që ata kanë bërë dekada me radhë për vendin e tyre. Vazhdimi i plaçkitjes është dhembje e madhe për ta.
Një qeveri e përgjegjshme nuk do të lejonte asnjëherë ndëshkimin e qytetarëve të vet në këtë mënyrë. Një qeveri e përgjegjshme do të bëntë çmos që mërgimtarëve t’iu ofrojë kushte sa më të mira qoftë për një vizitë të shkurtër në Kosovë, e lëre më për investime. Një qeveri e përgjegjshme do të thyente këtë monopol të haraçit, ndërkaq organet e drejtësisë do të hetonin çështjen e milionave të mbledhur nga kompanitë e sigurimeve.
Përkundër kësaj, mërgimtarët vazhdojnë të vijnë në vendin e vet, madje nga dy e tri herë në vit. Por, atë me të drejtë irritohen e nervozohen, kur në vend të mirëseardhjes, në kufi i pret haraçi.
Një ndër vendimet e para të qeverisë së ardhshme do të duhej të ishte heqja e taksës për mërgimtarët. Ashtu si një ndër veprimet më të shpejta të organeve përgjegjëse do të duhej të ishte hetimi i mënyrës së mbledhjes së milionave nga kjo taksë.
Mërgimtarët meritojnë respekt e dinjitet. Plaçkitja e poshtërimi i tyre duhet të marrin fund sa më shpejt.


