RCCOLA

Hapja e urës së Ibrit, Ramadani: E domosdoshme dhe simbolike për normalizimin e gjendjes në atë pjesë të Kosovës

/ 2 minuta lexim
Mobi Casa

Ditëve të fundit ka nisur një debat se a duhet të bëhet hapja e urës së Ibrit në Mitrovicë. Për njohësin e çështjeve të sigurisë, Burim Ramadani, hapja e plotë e urës së Ibrit është edhe e domosdoshme, edhe simbolike për normalizimin e gjendjes në atë pjesë të Kosovës.

Ish-kryeinspektori i AKI-së thotë se sfidat politike nuk duhet të trajtohen edhe më tutje me brengat, nëse kjo do të nxiste tensione të paprovokuara.

Në një prononcim për IndeksOnline, ai ka thënë se hapja e plotë e urës nuk është provokim dhe nuk duhet të shihet dhe trajtohet si e tillë.

“Përkundrazi, duhet t’i jepet vlera e normalizimit dhe qetësisë e stabilitetit. Për këtë, mbështetja ndërkombëtare është e nevojshme, sepse i jep legjitimitet ndërkombëtar një veprimi simbolik. Tek e fundit, prezenca ndërkombëtare ushtarake është këtu për të mbështetur dhe siguruar lëvizjen e lirë”, ka thënë ndër të tjera ai.

Mobi Casa

“Është me rëndësi që komunikimi me NATOn të arrijë nivelet e planifikimeve të përbashkëta edhe operacionale, edhe simbolike. Ndërsa, në aspektin e obligimeve ndërkombëtare, Kosova ka qenë konstruktive në çështjen e hapjes së plotë të Urës së Ibrit. Tashmë, janë tejkaluar të gjitha pritjet për këtë simbolikë. Përpos simbolikës së brendshme, hapja e plotë e Urës ka simbolikën e jashtme po ashtu. Në kontekstin e sjelljes pro-ruse të Serbisë, heqja definitive e vetos së Serbisë për çështjen e Urës jep mesazhin e qartë se Kosova është shtet funksional dhe me mbështetje të demokracive perëndimore”, ka shtuar ai.

Në anën tjetër, Donika Gërvalla ka thënë se kjo është një temë që duhet të trajtohet me seriozitet.

Sipas zëvendëskryeministres, njëherësh ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla forcimi i sovranitetit pa rritur rrezikun është strategjia më frytdhënëse e ekzekutivit. Ajo paralajmëron hapa pozitiv në këtë temë, mirëpo shton se janë të vetëdijshëm që nuk duhet të rrezikojnë sigurinë e vendit. /IndeksOnline/