RCCOLA

Hapi më i madh në karrierë

/ 3 minuta lexim

Valon Behrami thotë se e bëri hapin më të madh në karrierë me transferimin në Napoli. Mesfushori kosovar shpreson të ketë eksperiencë pozitive në Napoli dhe ta rrëmbejë zemrën e tifozëve. 27 vjeçari ndien keqardhje që e la Fiorentinën, por shton se oferta e klubit të De Laurentiis nuk mund të refuzohej.

Valon Behrami insiston se transferimi i tij në Napoli ka të bëjë me hapin më të madh që ka bërë në karrierë. Mesfushori kosovar, pasi kaloi me sukses vizitat mjekësore, pritet të nënshkruajë kontratë trevjeçare, ku do t’i përfitojë 1,5 milionë euro.

Futbollisti i deritashëm i Fiorentinës ndihet mjaft i lumtur që do ta ketë mundësinë të luajë në një klub të madh siç është ai nga San Paolo.

“Është një emocion i madh për mua, arrij në një klub të madh me synime serioze. Është një ditë që më bën të ndihem krenar. Në Napoli gjithmonë mendojnë për gjëra të mëdha”, deklaroi fillimisht përfaqësuesi zviceran për ueb faqen tuttonapoli.net.

Ai është i gatshëm ta ndihmojë ekipin, siç bëri në secilin ekip ku ka luajtur, duke nisur nga Verona për të vazhduar më pas me Lazion, West Ham Unitedin dhe së fundi Fiorentinën.

Uji Dea

“Jam në dispozicion të trajnerit që ta jap atë që di, por e di se kam arritur në një grup mjaft solid dhe më duhet të punoj shumë për ta rrëmbyer hapësirën time. Ky është një hap i radhës i karrierës sime. Çdo lojtar duhet të kërkojë të arrijë gjithmonë në skuadrat më prestigjioze dhe kjo është pika më e lartë e karrierës sime”, vazhdoi ai.

Ai nuk deshi të flasë për objektivat e ekipit, pasi konsideron se është herët, por synon që me Napolin ta bëjë një hap përpara.

“Do t’i bashkohem këtij grupi, i cili është mjaft i fortë. Dëshiroj t’u dhuroj diçka tifozëve tanë dhe më pas do të marr diçka nga ta. Zgjedhja ime për ta lënë Firenzen ishte e vështirë, por ky ishte një hap mjaft i rëndësishëm për karrierën time”, vijoi ai.

Behrami e ka falënderuar presidentin Aurelio De Laurentiis, i cili ia ka transmetuar dëshirën për të fituar. Futbollisti kosovar tregon se i njeh mirë Inlerin, Xhemajlin, Pandevin e Dossenan. Edhe presidenti i Napolit ndihet i lumtur që ekipi i tij do ta ketë në dispozicion një lojtar të klasit të Behramit, i cili do ta pasurojë ekipin nga San Paolo.