Mobi Casa

Hapet rruga për grushta

/ 4 minuta lexim
Uji Dea

Edhe pse Kosova nuk është pranuar me të drejta të plota në AIBA, boksierët kosovarë do të kenë të drejtë të marrin pjesë në çdo garë që e organizon ky asociacion. Por, udhëheqësit e boksit kosovar nuk do të kenë të drejtë vote në Kongres të AIBA-s më së largu deri në vitin 2014. Për këtë të arritur, ministri i sportit, Memli Krasniqi, i ka përgëzuar udhëheqësit e boksit kosovar.

Ministri i Sportit, Memli Krasniqi, të mërkurën i ka pritur në një takim udhëheqësit e Federatës së Boksit të Kosovës (FboxK), të cilët i ka përgëzuar për anëtarësimin e tyre në Federatën Ndërkombëtare të Boksit Amator (AIBA).

Në fakt, të martën në Tajlandë, Komiteti Ekzekutiv i AIBA-s e pranoi Kosovën si anëtare të re të saj, por me të drejta të kufizuara. Në Tajlandë ishte edhe kryetari i FboxK-së, Ramadan Selimi dhe presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), Besim Hasani, të cilët me t’u kthyer në Prishtinë janë pritur nga ministri Krasniqi.

Njeriu i parë i FboxK-së shpjegoi se me këtë anëtarësim të kufizuar të Kosovës në familjen botërore të boksit nënkuptohet se boksierët kosovarë do të kenë të drejtë të marrin pjesë në çdo garë ndërkombëtare të organizuar nga AIBA. Por, FboxK-së përkohësisht nuk do të ketë të drejtë vote në kongreset e AIBA-s.

“Jemi të kënaqur e të gëzuar dhe së bashku po e ndajmë gëzimin. Falë angazhimi të të gjithëve, Ministrisë së Sportit, KOK-ut, FboxK-së, kemi arritur të jemi pjesë e AIBA-s. Është më rëndësi të theksohet se me vitet e tëra kishim qenë të vëzhguar nga AIBA, këtë e ka thënë edhe vetë kreu i AIBA-s gjatë takimit në Tajlandë”, ka deklaruar Selimi pas takimit me Memli Krasniqin.

UBT

Ndërsa kreu i KOK-ut, Besim Hasani, tregoi se krerët e AIBA-s e kanë paralajmëruar se më së largu deri në vitin 2014, kur mbahet kongresi i AIBA-s, do t’i hiqen të gjitha kufizimet FboxK-së. Madje, sipas Hasanit, kjo mund të ndodhë edhe më herët.

Në këtë takim me ministrin Krasniqi ishin edhe sekretari i FboxK-së, Mehmet Bogujevci, selektori Xhevdet Peci, zëdhënësi i FboxK-së, Latif Demolli dhe ish boksieri i famshëm Nazif Gashi. Po ashtu, në takim ishte edhe Agim Morina, mik i mirë i presidentit të AIBA-s, i cili vazhdimisht kishte lobuar në favor të Kosovës për çka është falënderuar nga Ramadan Selimi.

Në anën tjetër, Krasniqi i ka përgëzuar krerët e FboxK-së, Besim Hasanin e Agim Morinën për kontributin e dhënë drejt anëtarësimit të Kosovës në AIBA.

“Pranimi i FboxK-së në AIBA është një lajm i mirë dhe i rëndësishëm, jo vetëm për zhvillimin e boksit të Kosovës, por edhe për sportin në përgjithësi. Është një sukses i ri në vazhdën e angazhimeve tona për ndërkombëtarizimin e plotë të sportit të Kosovës. Më vjen mirë që angazhimet e përbashkëta neve si MKRS, pastaj KOK-u e FBBOK-ja kanë rezultuar të suksesshme”, ka thënë ministri Krasniqi.

Duhet theksuar se deri më tani kosovarët nuk kishin të drejtë pjesëmarrjeje nëpër garat e AIBA-s, por vazhdimisht ftoheshin të merrnin pjesë nëpër turne të ndryshëm, kryesisht në vendet e rajonit.