UBT

Hapet galeria e re me ekspozitën e dy artistëve nga Kosova

/ 3 minuta lexim
Eco Higjiena

Dy artistë të rinj shqiptarë nga Kosova kanë hapur ekspozitën e tyre personale me fotografi dhe piktura në Cyrih të Zvicrës.

”Galerie am Lindenhof” ka hapur dyert për herë të parë në Cyrih me ekspozitën personale të dy artistëve nga Kosova, Kushtrim Sylejmani dhe Kushtrim Zeqiri.

Ekspozita e dy gjilanasve me emrin e njëjtë është titulluar „Kushtrim’s in Zürich“.

Dy shokët e vjetër të artit, i pari me vendbanim në Zvicër, e tjetri në Gjilan, i kanë bërë bashkë veprat e tyre në këtë ekspozitë. Njëri ka sjellë një cikël fotografish “Pejsazhe molekulare”, „Moleculare Landscape“, ndërsa tjetri një cikël pikturash me titull: “If the wall not exist, you can‘t put the ladder on it“.

Dy artistët nga Kosova mendojnë se ekspozita e tyre është një rast i mirë për promovimin e punës së tyre, e që në të njëjtën kohë ka rëndësi të madhe për shqiptarët që jetojnë jo vetëm në këtë qytet, por edhe më gjerë në Zvicër.

Ata janë ndarë të kënaqur edhe me organizimin nga ana e galerisë „Lindenhof“, por edhe me numrin e vizitorëve që ishin në hapje të ekspozitës „Kushtrim’s in Zürich“ më 6 prill.

Ekspozita ka karakter shitës, ndërsa mjetet do t’u shërbejnë artistëve të rinj nga Kosova për të zhvilluar projektet e artit në të ardhmen.

Uji Dea

Dy artistët e rinj nuk kishin gjetur mbështetje për të marrë pjesë në këtë ekspozitë me veprat e tyre jashtë vendit.

Madje Kushtrim Zeqiri kishte bërë kërkesë t’i mbulohen shpenzimet e rrugës nga Komuna e Gjilanit, por nuk kishte marrë asnjë përgjigje.

„Izolimi i Kosovës po u shkakton probleme edhe artistëve. Ka ndodhur që shokët tanë të artit të refuzohen për vizë, ndërsa ekspozitat të hapen jashtë vendit pa praninë e tyre“, thotë Kushtrim Zeqiri. Ai tha se pak mbështeten projektet e artit në Kosovë.

Sido që të jetë, dy Kushtrimat nga Gjilani thonë se nuk do të ndalen me këtë ekspozitë. Ata pas Cyrihut do t’ia mësyjnë edhe Parisit, Vjenës dhe Londrës.
Kushtrimi është skulptor me profesion. Ai ka mbaruar studimet postdiplomike master në Degën e skulpturës në Prishtinë.

Kushtrim Zeqiri nuk është hera e parë që është parë në Zvicër. 25-vjeçari kishte përfaqësuar Kosovën në ekip bashkë me Bekim Korçen në Festivalin ndërkombëtar të skulpturave në rërë që është mbajtur në Rorschach të Zvicrës më 2011.

Kushtrim Sylejmani ka diplomuar në vitin 2003 në Fakultetin e Arteve në Prishtinë. Ai po i vazhdon studimet pasuniversitare në pikturë. Kushtrimi ka marrë pjesë në shumë ekspozita kolektive në Kosovë dhe jashtë vendit.
Aktualisht jeton dhe punon në Cyrih të Zvicrës.

Ekspozita „Kushtrim’s in Zurich“ është hapur më 6 prill dhe do të qëndrojë e hapur deri më 19 prill.
Adresa e galerisë ku qëndron ekspozita e hapur:
Pfalzgasse 3, 8001 Zurich “Galerie am Lindenhof”.(albinfo)