Hapet ekspozita ndërkombëtare e arteve pamore

Gjilan – Në mungesë të Akademisë për Flakën hapjen zyrtare po e bëjmë me këtë ekspozitë ndërkombëtare të arteve pamore tha Qemajl Mustafa duke shtuar se ky manifestim tashmë është bërë gjithëkombëtarë. Në këtë ekspozitë janë ndarë edhe çmimet për pikturë, skulpturë dhe grafikë.
Të enjten vonë pasdite në galerinë e arteve në Gjilan është hapur ekspozita ndërkombëtare e arteve pamore e cila edhe ka shënuar hapjen e Manifestimit gjithëkombëtar “Flaka e Janarit 2013”.
Në fakt sot është dashur të hapet Flaka me Akademinë e Flakës , por në mungesë të kryeministrit Thaçi nën patronatin e të cilit edhe mbahet sivjet Flaka, është zëvendësuar me hapjen e ekspozitës tha Qemajl Mustafa.
Në këtë ekspozitë ishin të pranishëm pos krijuesve e artdashësve edhe Zenun Pajaziti e Hydajet Hyseni, Fazli Veliu nga Maqedonia, Hajrush Fazliu, e shumë personalitete tjera .
Qemajl Mustafa i ka përgëzuar të gjithë artistët dhe ata që kanë garuar në artet pamore. “Flaka e Janarit” po tregon edhe vlerat e saja gjithëkombëtare dhe ky aktivitet cilësor që po zhvillohet e organizohet nga këshilli i Flakës dhe drejtoria e Kulturës tashmë e ka marrë edhe formën standarde” tha Mustafa.
Mustafa tha se arti pak blihet, por ka inkurajuar krijuesit që të bëjnë punën e tyre sepse tashmë shkolla e arteve pritet të ndërtohet edhe në Gjilan ku janë ndarë 2 milion euro.
Ekspozitën e ka përshëndetur edhe Fazli Veliu nga Shoqata e Veteranëve të Luftës në Maqedoni. Veliu tha se është i impresionuar me organizmin e mirë që bënë Gjilani për të nderuar dëshmorët dhe martirët. “Ne e kemi një rrugë të përbashkët dhe bashkimi bëhet edhe në këtë formë përmes krijimeve e përkujtimeve” tha Veliu.
Veliu i ka dorëzuar një mirënjohje kreut të Gjilanit për organizimin e mirë që po bëhet tash e gjashtë vite.
Avni Behluli piktor dhe moderator i ekspozitës ka bërë publik edhe emrat fitues të garës në pikturë, skulpturë dhe grafikë.
Sipas Behlulit juria e përbërë nga Arta Kërqerli, Arta Llapashtica dhe Muhamet Aliu ka bërë përzgjedhjen e më të mirëve derisa vendi i parë në pikturë i ka takuar piktorit nga Shqipëria Burhan Kaceli, në skulpturë i takojë Agim Islamajt, në grafikë Bislim Elshanit kurse çmimi blerës Ahmet Ibrahimit./rajonipress/