Hamdiun e vranë

/ 5 minuta lexim
Mobi Casa

Policia e Kosovës ka arrestuar dy vajzat dhe bashkëshorten e të ndjerit Hamdi Sopa. Ato janë të dyshuarat kryesore për vrasjen e Hamdi Sopës, i cili, pasi u ther tri herë me thikë, u gjuajt nga ballkoni i katit të nëntë të banesës së tij.

Hiqet dilema rreth vdekjes së Hamdi Sopës. Ai është vrarë e më pastaj është hedhur nga ballkoni i banesës në katin e nëntë. Fillimisht Sopa u ther tri herë me thikë. Kjo e fundit, që ishte një thikë e madhe kuzhine, u gjet nga policia e mbështjellë nën lavatriçe. Gjaku që u gjend te thika në bazë të autopsisë rezultoi se ishte i të ndjerit Sopa. Ky raport që u bë zyrtar të hënën del se zyrtari për informim në Kryeministri u vra. E të dyshuarat kryesore për këtë vrasje janë bashkëshortja dhe dy vajzat e tij, që gjendeshin në banesë në momentin që ai u hodh nga ballkoni i banesës në katin e nëntë.

Me urdhër të prokurorit të rastit policia pasditen e së hënës arrestoi bashkëshorten e Sopës, Teutën dhe dy vajzat e tij. Këto janë të dyshuarat kryesore në lidhje me rastin e vrasjes së Hamdi Sopës. Në njoftimin e Prokurorisë thuhet se Departamenti për Krime të Rënda i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, të hënën nga Departamenti për Mjekësi Ligjore, ka pranuar raportin e autopsisë, për tani të ndjerin Hamdi Sopa.“Bazuar nga rezultati i këtij raporti konstatohet se në rastin konkret kemi të bëjmë me vrasje dhe jo vetëvrasje, prandaj prokurori Blerim Isufaj, i ngarkuar me rastin, sot mori vendim për fillimin e hetimeve dhe ka urdhëruar arrestimin e personave që në momentin kritik kanë qenë prezentë në banesën e të ndjerit Sopa, në të cilën dyshohet të jetë kryer vrasja”, thuhet në kumtesë. I kontaktuar nga Express, Isufaj nuk ka dashur të japë detaje në lidhje me vrasjen e Hamdi Sopës. “Nuk kam ma shumë se ajo çka është thënë në komunikatë”, tha Isufaj. Prokurori Isufaj ka kërkuar nga gjykata të lëshojë urdhëresë për bastisjen e banesës së të ndjerit dhe njëkohësisht ka propozuar caktimin e paraburgimit për të dyshuarat.

Me ta marrë urdhrin për arrest, Policia e Kosovës ka prangosur tri të dyshuarat për t’i shoqëruar për në stacionin policor. “Policia ka shoqëruar në polici personat që sipas prokurorit mund të jenë të implikuar në rast”, tha për Express Agron Borovci, zëdhënës për rajonin e Prishtinës. Hamdi Sopa, zyrtar për informim në Zyrën e Kryeministrit të Kosovës, ka vdekur të martën pasdite (29 janar), në rrethana të dyshimta në lagjen Aktash të kryeqytetit, duke rënë nga kati i nëntë i ballkonit të tij. Por, para se të hidhej, ai kishte marrë në trup tri goditje me thikë në pjesën e përparme të trupit. Hetuesit kanë gjetur thikën nën lavatriçe në banjë dhe gjurmët e gjakut kah ka ecur i ndjeri. Një burim nga departamenti për Mjekësi Ligjore tha se Sopa ka pasur konfrontim para se të hidhej nga ballkoni i banesës së tij. Përveç dy goditjeve në gjoks dhe një më poshtë trupit, që sipas këtij burimi nuk kanë qenë vdekjeprurëse nga rezultati i autopsisë rezulton se i ndjeri ka pasur edhe një prerje të vogël në shuplakën e dorës.

Gazeta ka mësuar se pas riekzaminimit të vendit të ngjarjes, hetuesit policor kanë gjetur edhe një sutiene të grisur, e cila jep të dyshohet se ka pasur përleshje mes viktimës dhe të dyshuarave.

Uji Dea

Por, para se ta gjuanin nga ballkoni, ata ishin kujdesur që nënkëmishën e gjakosur t’ia heqin nga trupi viktimës dhe së bashku me thikën, e cila ishte ngulur në dy pjesë të trupit të Sopës ta fusin nën larësen e rrobave. Të dyshuarat pas humbjes së vetëdijes së viktimës ia kishin ndërruar bluzën e gjakosur dhe ia kishin veshur një tjetër në mënyrë që pas hedhjes së tij nga ballkoni të mos vërehen gjurmët e gjakut.

“Viktima ka pasur një bluzë të zezë për të cilën dyshohet se pas goditjeve që kishte marr jo vetëm me thikë, i është humbur vetëdija dhe i është hequr nën bluza dhe pastaj i është veshur një tjetër bluzë dhe me vetëdije të humbur është hedhur nga kati i nëntë”, bëjnë të ditur burime të gazetës. Para se të humbiste vetëdijen Sopa ishte munduar të vetëmbrohet, pasi edhe prerjet në njërën shuplakë të dorës tregojnë rezistencën e tij ndaj të dyshuarave.

Bashkëshortja dhe dy vajzat, ndërkaq, kanë deklaruar gjatë marrjes në pyetje, se familjari i tyre është vetëvrarë duke u hedhur nga ballkoni. Bashkëshortja Teuta Sopa ka deklaruar se bashkëshorti i saj kishte dalë në ballkon për të pirë cigare. Njëjtë kanë deklaruar edhe dy vajzat e saj.

Prokuroria Themelore njofton edhe se nuk posedon asnjë video incizim me telefon celular, siç është shkruar në njërën nga gazetat e përditshme të vendit. Prokuroria është njoftuar nga Policia e Kosovës se as policia nuk posedon incizime të tilla. Prokuroria bën thirrje opinionit publik, që nëse dikush posedon incizim të tillë t’ia dorëzojë prokurorisë. Tri të dyshuarat po mbahen në paraburgim prej 48 orësh, ku pastaj pritet të dalin para gjykatës.(express)