Haliti pret këshilltaren komunale Minavere Bislimi, thellohet bashkëpunimi ndërmjet Vitisë dhe Saint-Julien-en-Genevois
Viti – Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, ka pritur në një takim zyrtar këshilltaren komunale të Komunës së Saint-Julien-en-Genevois në Francë, Minavere Bislimi, me të cilën ka diskutuar për avancimin e bashkëpunimit ndërmjet dy komunave në kuadër të marrëveshjes së binjakëzimit.
Gjatë takimit, Haliti vlerësoi lart angazhimin dhe kontributin e Bislimit në jetën institucionale të komunës franceze, duke theksuar se ajo përfaqëson me dinjitet komunitetin shqiptar në mërgatë dhe luan një rol të rëndësishëm në forcimin e lidhjeve ndërmjet Vitisë dhe Saint-Julien-en-Genevois.
Në fokus të bisedimeve ishte organizimi i pritjes zyrtare të kryetarit Haliti në Komunën e Saint-Julien-en-Genevois, si pjesë e zbatimit të marrëveshjes së binjakëzimit dhe thellimit të bashkëpunimit ndërinstitucional.
Bashkëbiseduesit ritheksuan përkushtimin për zbatimin e marrëveshjes, e cila parasheh zgjerimin e bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët, përfshirë kulturën, arsimin, sportin, bujqësinë dhe zhvillimin ekonomik. Sipas tyre, ky partneritet synon të krijojë mundësi të reja për shkëmbimin e përvojave dhe realizimin e projekteve të përbashkëta në dobi të qytetarëve të të dy komunave.
Në përfundim të takimit, kryetari Haliti falënderoi Minavere Bislimin për angazhimin e vazhdueshëm në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Vitisë dhe Saint-Julien-en-Genevois, duke shprehur besimin se bashkëpunimi do të vazhdojë të zgjerohet dhe të sjellë rezultate konkrete në të ardhmen./rajonipress/


