FIDANISHTJA

Haliti në Gjermani, bashkëpunim konkret për mjedis dhe zhvillim të qëndrueshëm

/ 2 minuta lexim
ARKATANA

Viti – Kryetari i Viti, Sokol Haliti, së bashku me një delegacion komunal, po qëndron për vizitë zyrtare në Kirchhain të Gjermanisë, në kuadër të marrëveshjes së binjakëzimit dhe bashkëpunimit ndërmjet dy komunave.

Gjatë kësaj vizite, delegacioni po merr pjesë në punëtorinë disaditore “ORG-VITI”, e cila fokusohet në menaxhimin e mbeturinave organike dhe shkëmbimin e përvojave në zbatimin e konceptit të ekonomisë qarkulluese. Ky projekt mbështetet nga Fondacioni Gjerman për Mjedis (DBU) dhe synon avancimin e praktikave mjedisore në nivel lokal.

Në hapje të punëtorisë, Haliti vlerësoi partneritetin ndërmjet Vitisë dhe Kirchhain-it, duke theksuar se bashkëpunimi tashmë është konkretizuar në disa nivele, përfshirë atë institucional dhe akademik, përmes lidhjeve ndërmjet Universiteti i Prishtinës dhe Universiteti i Gießen-it.

Ai theksoi se qëllimi kryesor i kësaj vizite është transferimi i praktikave të suksesshme gjermane në komunën e Vitisë.

UBT

“Përmes partneriteteve të qëndrueshme po krijohen mundësi konkrete për përmirësimin e menaxhimit të mbeturinave organike dhe ndërtimin e një mjedisi më të pastër për qytetarët tanë”, u shpreh Haliti.

Në kuadër të agjendës, delegacioni do të vizitojë disa nga pikat kryesore të infrastrukturës mjedisore në rajonin e Marburg-Biedenkopf, përfshirë impiantin për trajtimin e ujërave të zeza në Kirchhain, fshatin e bioenergjisë në Erfurtshausen dhe qendrën e biomasës në Stausebach, si dhe do të njihet nga afër me praktikat e menaxhimit të mbeturinave në sektorin bujqësor.

Kjo vizitë pritet të shërbejë si bazë për hartimin e politikave dhe strategjive të reja në fushën e mbrojtjes së mjedisit dhe zhvillimit të qëndrueshëm në Komunën e Vitisë./rajonipress/