Haliti diskuton Hartën Zonale të Vitisë, synohet planifikim më i mirë i territorit
Viti – Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, ka zhvilluar një takim pune lidhur me projektin e Hartës Zonale të komunës, ku janë prezantuar dhe diskutuar propozimet për planifikimin hapësinor të territorit komunal.
Gjatë takimit janë shqyrtuar propozimet që përcaktojnë mënyrën e shfrytëzimit të tokës dhe kushtet e zhvillimit për zona të ndryshme të komunës, duke përfshirë hapësirat e banimit, aktivitetet ekonomike, infrastrukturën, si dhe mbrojtjen e zonave natyrore dhe bujqësore.
Harta Zonale është një dokument i rëndësishëm për planifikimin dhe menaxhimin e territorit, pasi përcakton orientimet për zhvillimin e hapësirave komunale dhe shfrytëzimin e tyre në përputhje me destinimin e përcaktuar.
Sipas njoftimit të Komunës së Vitisë, ky proces synon të krijojë bazë për zhvillim të qëndrueshëm, planifikim më të mirë hapësinor dhe menaxhim më efikas të territorit, duke marrë parasysh nevojat e qytetarëve dhe perspektivën zhvillimore të komunës./rajonipress/

