Mobi Casa

Halimi: Serbia po defaktorizon shqiptarët në Luginë

/ 2 minuta lexim
Mobi Casa

Kryesia e degës së Partisë së Veprimit Demokratik (PVD) vlerësoi se gjendja shumë e vështirë ekonomike, sociale dhe politike në Preshevë është vështirësuar në formë plotësuese pas vendimit diskriminues të Kuvendit të Republikës së Serbisë për eliminimin e gjykatës dhe prokurorisë themelore.

Në takimin e degës së PVD, në përbërje të zgjeruar së bashku me anëtarët e udhëheqjes qendrore të PVD – së nga komuna e Preshevës, u tha se pushteti qendror serb po e vazhdon realizimin e strategjisë perfide të degradimit të plotë institucional të komunës së Preshevës, duke pasur për bazë synimin për defaktorizim të plotë të shqiptarëve në Luginë të Preshevës.

“Mjerisht këto veprime anticivilizuese ndaj popullatës shqiptare në Serbi po zhvillohen në kushte kur serbëve në Kosovë po i mundësohet autonomia e gjerë që po i tejkalon edhe kompetencat dhe të drejtat kolektive të dokumentit të Ahtisaarit, të cilat i tejkalojnë dukshëm nivelet e të drejtave që pakicat nacionale i realizojnë në shtetet evropiane”, thuhet në kumtesën e nënshkruar nga Riza Halimi, kryetar i PVD-së.

Fundamenti

“Për të qenë absurdi më i madh shqiptarët në Serbi, e posaçërisht shqiptarët në Luginë të Preshevës janë të detyruar, që luftën e tyre ekzistenciale kundër diskriminimit shtetërorë dhe pastrimit etnik ta zhvillojnë në rrethana kur Serbia po i fillon përgatitjet e fundit për anëtarësim në Bashkimin Evropian”.

Në kumtesë më tej thuhet se “kryesia e degës së PVD – së në Preshevë vendosi që grupi i këshilltarëve të PVD – së të kërkojë nga udhëheqja e Kuvendit Komunal të Preshevës që urgjentisht të ftoj seancë të jashtëzakonshme për t’i shqyrtuar hapat e mëtejmë që duhet të ndërmerren kundër diskriminimit shtetërorë, duke i përfshirë protestat dhe të gjitha format tjera të veprimit politik”. /Telegrafi/