Halimi pranon Kosovën
Përzgjedhësi i Përfaqësueses së Kosovës në futboll, Albert Bunjaku, këto ditë ka qëndruar në Gjermani dhe në Danimarkë, ku është takuar me futbollistë kosovarë, dhe me familjarë të tyre, raporton Zëri.
Ai po ashtu ka takuar edhe drejtues të klubeve të lojtarëve tanë, ndërsa pas pak ditësh do t’i ndjek nga afër edhe disa ndeshje në Gjermani, për t’i parë nga afër disa lojtarë nga Kosova, të cilët mund t’i bashkohen reprezentacionit kosovar në ndeshjet e ardhshme
“Pas 3300 km udhëtime në Gjermani e Danimarkë dhe shumë takimeve me lojtarë, familjarë, klube, tani në plan është udhëtimi në Berlin më 21 e 22 shkurt”, ka shkruar Bunjaku në Facebook.
Sipas Telegrafit, gjatë këtij “aksioni”, Bunjaku e ka takuar edhe futbollistin perspektiv që luan në Stuttgart Kickers, Besar Halimi, i cili ka pranuar të luaj për Kosovën. /Zëri


