Mobi Casa

Hajrizi: Kriminaliteti në Kamenicë në suaza normale

/ 3 minuta lexim

Gjilan – Anëtarët e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi ( KKSB ), vlerësuan situatën si të qetë dhe stabile në komunën e Kamenicës. Komandanti i Policisë së Kosovës, stacioni në Kamenicë, Nazif Hajrizi, tha se situata e sigurisë në komunën e Kamenicës vlerësohet si relativisht e qetë, niveli i kriminalitetit është në suaza normale, edhe pse ka pasur disa incidente mirëpo ato nuk janë aq shqetësuese.

“Aktivitetet tona janë shtri edhe në disa lokalitete, ku kemi hapur edhe tri lokacione si zyre referuese e që kohë pas kohe policët do të qëndrojnë aty dhe banorët mund të iu referohen drejtpërdrejti policisë” ka thënë Hajrizi.

Sipas tij lokacionet ku janë hapur zyret janë në fshatrat, Busavatë, Topanicë dhe Tyxhec. “Synimi jonë është që në çdo lokalitet banues të jetë nga një zyre referuese dhe banorët të njoftojnë policinë përgjegjës për atë zonë të përgjegjësisë”.

Ai tha se raste që kanë zgjuar pak më shumë interesimin e banorëve ka qenë vjedhja e trafostacioneve në fshatrat Sedllar dhe Karaçevë.”Këto raste kemi arritur t`i zbulojmë dhe ndaj të dyshuarve janë duke u zhvilluar procedura”.

Komandanti Hajrizi apeloi te Këshillat Lokale që të ndikojnë te komuniteti të jenë vigjilent, si dhe kur vërejnë dikë që është duke u sjellë rreth pronës së KEK-ut, ose pronës shoqërore të njoftojnë në mënyrë që reagimi i policisë të jetë më i shpejt.

RCCOLA

“Një shqetësim tjetër që është adresuar nga banorët e fshatit Karaçevë, realisht ai është shqetësim edhe i gjithë banorëve të komunës së Kamenicës, është problemi me qentë endacak, dhe se për këtë problem ka pengesa ligjore që ndikojnë në marrjen e një aksioni të shpejt.”

Ndërsa, problem tjetër është rrahja e të rinjve që na paraqitet shpeshherë e që kryesisht është rrahja e adoleshentëve e që ne i kemi identifikuar si grupe rivale, një rast të tillë kishim dje në fshatin Rogaçicë, në oborrin e shkollës ku disa të rinj kishin qenë në konflikt në mes veti.

Drejtoresha e Arsimit Fahrije Kryeziu, tha se çështja e sigurisë edhe nëpër shkolla është e kënaqshme edhe pse ndodhin raste të rralla të kacafytjeve dhe rrahjeve në mes të rinjve.

Ndërkaq, Kapiten Blerim Sahiti, Oficer për plane dhe operacione në kuadër të batalionit të parë të reagimit të shpejtë, njëkohësisht edhe zyrtar i batalionit për kontakte me kuvendin komunal të Kamenicës, shkurtimisht njoftoj edhe për misionin, detyrat, strukturën që ka batalioni aktualisht. “Batalioni i parë i reagimit të shpejtë është i vendosur në Gjilan, ka 339 pjesëtarë është nën komandën e brigadës për reagim të shpejtë që është e vendosur në Istog, pra kjo brigadë ka tri batalione, batalioni i parë Gjilan, i dytë në Istog dhe batalioni i tretë në Mitrovicë” tha ndër të tjera Sahiti.

Ndërkaq, zëvendës kryesuesi shtesë për komunitete Zhivojin Milkoviq, thotë se jemi informuar për vjedhjet që kanë ndodhur muajin e fundit në fshatin Bratillovc./rajonipress/