Fundamenti

Hajriz Ibrahimi, pediatri që shndërroi kujdesin për fëmijët në mision jete

/ 6 minuta lexim
Mobi Casa

Gjilan – Në historinë e mjekësisë së Gjilanit, ka emra që nuk maten vetëm me tituj profesionalë, por me gjurmën që lënë në jetët më të brishta, ato të fëmijëve. Ndër ta, dr. Hajriz Ibrahimi mbetet një figurë e veçantë e pediatrisë, një mjek që e ka kuptuar shërbimin shëndetësor jo si profesion të zakonshëm, por si përgjegjësi të thellë njerëzore dhe betim të përhershëm ndaj jetës.

Në shëndetësinë e Gjilanit, emri i dr. Hajriz Ibrahimit nuk lidhet vetëm me një profesionist të fushës së pediatrisë, por me një model të rrallë etike mjekësore dhe përkushtimi njerëzor.

Ai i përket atij brezi mjekësh që profesionin nuk e kanë parë si detyrë të zakonshme, por si mision jetësor, ku në qendër qëndron fëmija, shëndeti i tij dhe e ardhmja e shoqërisë.

Me një qetësi të admirueshme profesionale dhe një ndjeshmëri të thellë njerëzore, dr. Ibrahimi ka dhënë gjithçka nga vetja për të siguruar që gjeneratat e reja të rriten të shëndetshme, të mbrojtura dhe me kujdesin që meriton çdo jetë e re.

Në duart e tij kanë gjetur shërim breza të tërë fëmijësh, ndërsa në sytë e prindërve ka fituar atë që nuk blihet dhe nuk jepet lehtë – besimin. Me qetësi, përkushtim dhe një ndjenjë të rrallë empatie, ai ka qenë pranë pacientëve të vegjël në momentet më të ndjeshme të jetës së tyre, duke e kthyer mjekësinë në një formë të butë humanizmi.

Dr. Ibrahimi njihet për profesionalizmin e tij të lartë, vendimmarrjen e matur klinike dhe komunikimin e ngrohtë me familjet, duke krijuar një raport besimi që shkon përtej mureve të ordinancës. Për të, çdo fëmijë ka qenë një histori më vete, një përgjegjësi që kërkon jo vetëm dije mjekësore, por edhe zemër të madhe.

Në një kohë kur sistemi shëndetësor përballet me sfida të shumta, figura e tij mbetet shembull i përkushtimit të pandërprerë dhe i etikës së pastër profesionale. Ai përfaqëson atë kategori mjekësh që nuk kërkojnë vëmendje, por e meritojnë respektin – jo me fjalë, por me punë.

Në kujtesën e shumë familjeve në Gjilan dhe më gjerë, emri i dr. Hajriz Ibrahimit lidhet me shërim, siguri dhe shpresë. Dhe pikërisht për këtë arsye, kontributi i tij mbetet pjesë e heshtur, por e fortë e historisë së pediatrisë në këtë rajon.

Mjeku i njohur gjilanas, dr. Hajriz Ibrahimi, del në pension pas 36 vitesh shërbim

Është pensionuar pediatri i njohur nga Gjilani, dr. Hajriz Ibrahimi, (2024), i cili për dekada të tëra ka kontribuar në sistemin shëndetësor gjilanas, duke mbajtur edhe funksione udhëheqëse në institucionet shëndetësore.

Mobi Casa

Me rastin e pensionimit të tij, stafi i QKMF-së ka organizuar një takim lamtumirës, ku dr. Ibrahimi është nderuar me mirënjohje për kontributin e dhënë shumëvjeçar në shëndetësinë publike.

Dr. Hajriz H. Ibrahimi ka lindur më 6 maj 1959 në fshatin Vërbicë e Zhegocit, në komunën e Gjilanit. Në moshën trevjeçare është shpërngulur me familjen në qytetin e Gjilanit, ku ka ndjekur dhe përfunduar shkollimin parafillor, fillor dhe të mesëm në Gjimnazin “Zenel Hajdini”, drejtimi i shkencave natyrore, si nxënës i dalluar. Ai është i martuar dhe ka tre fëmijë.

Studimet e larta i përfundoi në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës, në drejtimin Mjekësi e Përgjithshme, duke u diplomuar si doktor i mjekësisë. Gjatë periudhës studentore, në vitin 1982, ai u burgos padrejtësisht nga regjimi i atëhershëm për shkak të bindjeve të tij politike.

Karrierën profesionale e nisi në vitin 1988 në shërbimin e vaksinimit në ish-Shtëpinë e Shëndetit në Gjilan (sot QKMF), ndërsa për një periudhë ka ofruar shërbime shëndetësore edhe në fshatrat Zhegër dhe Shurdhan. Në vitin 1994 u largua me dhunë nga puna nga regjimi i atëhershëm, pas së cilës themeloi ordinancën e pavarur “Preventiva” në Gjilan, ku zhvilloi veprimtari mjekësore deri në përfundim të luftës. Gjatë kësaj periudhe, ordinanca shërbeu edhe për refugjatët e zonave të konfliktit, si dhe për edukimin shëndetësor të popullatës në rrethana të vështira.

Në vitin 1996, dr. Ibrahimi filloi specializimin në pediatri me vetëfinancim, duke u profilizuar më tej edhe në mjekësinë familjare dhe pediatri. Pas luftës, në vitin 1999, ai u rikthye në shërbimin publik si mjek në dispanzerin e fëmijëve në QKMF Gjilan, ndërsa në vitin 2000 u emërua drejtor i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Gjilan, detyrë që e ushtroi për një mandat katërvjeçar, duke dhënë kontribut kyç në implementimin e mjekësisë familjare dhe zhvillimin e kapaciteteve shëndetësore në komunë.

Gjatë karrierës së tij, dr. Ibrahimi ka qenë i angazhuar edhe në projekte profesionale ndërkombëtare, përfshirë bashkëpunimin me Dartmouth Medical School në SHBA, si dhe në komisione për vlerësimin e shëndetit të fëmijëve me aftësi të kufizuara.

Ai ka ofruar shërbime të vazhdueshme cilësore për fëmijët e komunës së Gjilanit, duke u bërë një nga figurat më të respektuara të pediatrisë në rajon.

I njohur për qetësinë, profesionalizmin dhe humanizmin e tij, dr. Hajriz Ibrahimi lë pas një karrierë të gjatë dhe të pasur në shërbim të shëndetit publik.

Ai është pensionuar më 6 maj 2024 në QMF “28 Nëntori” në Gjilan, i rrethuar nga kolegë dhe bashkëpunëtorë që i shprehën mirënjohje për kontributin e tij të çmuar./rajonipress/