Hajredin Pasha i Luginës…

Nga Nehat Hyseni – Askush nuk e di, se si Hajredin Hydës, nga Letovica e Bujanocit, i mbet ngallëpi Pashë. As ata të rrethit të ngushtë familjar nuk e dinë.
Disa nga shokët e tij si në hajgare thonë se ky ngallëp i ka mbetur Hydës, për shkak se, ai, nuk e do fort punën, po i pëlqen të jetë udhëheqës, pasha. Madje, disa shkojnë edhe më larg sa thonë se Hyda, shpesh setrën e vesh supeve dhe ecë me krahë të hapur si shotan.
Por, një është e vërteta se kjo nofkë nuk ka lidhje aspak me këngën popullore: “Hajredin Pasha, po vjen Radikës!”
Hajredin Hydës, i ashtuquajturi Pasha, i ka ecur gjithmonë “qari” e “zarari”!. Gjatë proceseve të pluralizmit në Luginë, Hyda, u radhit në krah të Partisë për Veprim Demokratik. Meqë, ky subjekt ishte i pa konkurrencë dhe se nuk i dëshironte agallarët, pashallarët e kllosharët, Hydës, iu ngushtuan rrathët e manovrimit në këtë subjekt politik.
Me të përfunduar proceset luftarake në Luginë, Hyda e la PVD-në dhe iu ngjit Lëvizjes së Progresit Demokratik. Në kuadër të këtij subjekti politik, ai, lëre që u bë këshilltar komunal, por dhe kryetar i Bashkësisë Lokale në fshatin e lindjes. Edhe në LPD, Hyda nuk ndihej komod, tamam si Pasha. Me ndarjen e PVD-së dhe lindjen e partisë së re Partia Demokratike, Pasha, “yrysh” u fut në të, pa e marrë “hallallëkun” e LPD-së.
PD-ja për dallim nga PVD e LPD, Pashën e nderoi me postin më të lartë të organit legjislativ të Komunës. Zgjedhja e Pashës për kryetar Kuvendi komunal në Bujanoc, la pa gojë e mend shumëkënd në Luginë.
Kryetarllëku i Pashës, nuk zgjati shumë. Pa u bërë një vit, ai, dha dorëheqje nga posti i kryetarit të Kuvendit të Komunës së Bujanocit. Historiku i kësaj komune, nuk njeh ndonjë kryetar kuvendi me mandate kaq të shkurt se sa i Hajredin Pashës.
S’është me rëndësi Pasha a i kthehet arsimit (shkollës), apo merr ndonjë post tjetër pushteti, më rëndësi është se atij i luajti mandate tri vjet para kohës. Atij nuk i buzëqeshi fati, t’i prijë Kuvendit deri në fund të mandatit.
Në vallen e “guzhvatjes” së karakterit, Pasha nuk mbeti i vetëm. Bashkë me të ikën edhe disa drejtorë të ndërmarrjeve publike, e më keq e pësuan drejtorët e shkollave, të cilët pas dy muajsh, pa e nxeh mirë prapanicën në kolltuqet e funksionarëve, po largohen pa “pardon”!.
Kështu e ka mandati e partia pa koncept e vizion, luan me identitetin dhe dinjitetin e anëtarëve të saj.
Kryesia e PD-së, duke njohur karakterin e Pashës, mundohen me e ngushëlluar atë me poste të tjera shumë më të favorshëm se kjo e kryetarit, por ai, nuk flet veç skuqet si qilimi.
Disa shokë të “idealit”, të cilëve u pëlqen stili i Pashës, mundohen t’i japin zemër me epitetet: Legjendë, Pasha, por jo edhe kryetar! Ata edhe sot pas dorëheqjes së tij nga posti i njeriut të parë të legjislativit e quajnë Legjendë, i cili nuk ka lakmi për para e karrierë. Bukur, fort!
Kështu e ka politika. Sa je në pozitë je “dikush” e kur të rrëzohesh Legjendë!