UBT

Hajnat e çeliktë

/ 4 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Lavdim Hamidi – Nisi me hajni dhe ashtu po përfundon. Ishte skandaloz vendimi qeveritar kur për një çmim prej vetëm 26.3 milionë euro kompanisë turke “Çalik&Limak” iu shitën prona me vlerë qindra milionëshe të distribucionit të KEK-ut, çmim që realisht do të ishte i ulët po të ofrohej vetëm për ndërtesën kryesore tashmë të KEDS-it, në qendër të Prishtinës.

Për më keq, me këtë çmim janë shitur edhe mbi 20 objekte tjera në të gjitha qendrat e vendit, rreth 5 hektarë tokë të vlefshme, mijëra trafo, qindra mijëra shtylla elektrike, 1000 automjete…

Gjithë këto asete shtetërore të shitura për një çmim qesharak, sa do të kushtonin vetëm 2 kilometra asfalt autostradë, nuk e kënaqën kompaninë turke edhe pas kritikave të shumta për “aksham pazarin” e distribucionit dhe pas pakënaqësive të shfaqura publikisht ndaj ish-menaxhmentit për fryrje të faturave, për të cilat edhe u protestuavite më parë.

Për këto vite që e ka nën menaxhim distribucionin e energjisë, kompania turke nuk punoi aspak në kthimin e besimit të konsumatorëve se këta të fundit do të paguajnë energji vetëm sa shpenzojnë, e në asnjë mënyrë nuk do të mbifaturohen.

Mirëpo avazi me vjedhjen e konsumatorëve vazhdoi, por tashmë me një metodë më të perfeksionuar.

“Çalik” u instaloi mijëra konsumatorëve njehsorë elektrikë digjitalë të tipit “AEF.TF-01” të prodhuesit “Kohler”-Turqi, të cilët në vazhdimësi regjistrojnë shpenzim të energjisë elektrike edhe kur nuk përdoret hiç, kur të gjithë shpenzuesit elektrikë janë të fikur.

Është për t’u habitur, për të mos thënë skandaloze, se si kjo plaçkë masive ndaj konsumatorëve as që i bëri përshtypje ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismajli. I përfolur për shumë afera korruptive, mes tjerash për dhënie të tenderëve publikë kompanisë ku ai është aksionar, Ismajlit me siguri as që i ka bërë përshtypje kjo hajni “minore”.

Megjithatë, në një vend sado pak më normal, ministri do të reagonte ashpër, do të kërkonte përgjegjësi nga kompania dhe normalisht do të kërkonte jo vetëm të kompensohen konsumatorët për energjinë që u është vjedhur, por edhe ndëshkimin ligjor për hajninë.

RCCOLA

Po të ndodhte një veprim i tillë në vendet evropiane, ku funksionon shteti ligjor si: Gjermani apo Suedi, me siguri se do të ngrihej në këmbë Qeveria dhe njëkohësisht do të pasonin penallti të larta për ofruesin e shërbimeve të furnizimit me energji elektrike.

Por, te ne kjo nuk ndodh sepse dallimi është se në Kosovë hajnia ka fituar status të legalitetit, është bërë diçka e nënkuptueshme, legale.

Megjithatë, dardha këtu bishtin mund ta ketë prapa. Po të ndëshkohej financiarisht kompania turke, këta zyrtarë mbase do ta ndëshkonin vetveten sepse jo një herë u shfaqën dyshime për marrje të korrupsionit nga ky privatizim.

Gjitha këto dyshime ndërlidhen me deklaratat publike të drejtorit të Institutit “KIPRED”, Ilir Deda, i cili e tha publikisht se me rastin e këtij privatizimi pushtetarët kosovarë i kanë marrë 30 milionë euro korrupsion.

Kanë kaluar muaj të tërë pas këtyre deklaratave dhe asnjë prokuror nuk e ka parë të arsyeshme ta intervistojë Dedën në lidhje me këto akuza për të filluar hetimet në lidhje me dyshimet për korrupsion të zyrtarëve të lartë shtetërorë. Për më tepër, Deda kishte thënë se shumën prej 30 milionë eurove të korrupsionit ia kishin konfirmuar edhe zëvendëskryeministri i parë, Behgjet Pacolli, dhe ish-ministrja e Tregtisë, tashmë kryetare e Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila.

Megjithatë çdo gjë u hesht. Madje as zyrtarët e lartë shtetërorë që Dedaj i bëri hajna, nuk denjuan ta shpërlajmë fytyrën dhe Dedajn së paku ta padisin për shpifje. Por heshtën. Si mumia. Pse, më së miri e dinë ata vetë.

Nëse janë marrë kaq shumë para korrupsion nga zyrtarët e lartë, ata që janë në krye të institucioneve, atëherë institucionet gjyqësore as që i kanë hyrë kësaj pune, të vetëdijshëm se përballë kompanisë të çeliktë dhe atyre që i qëndrojnë prapa, davanë e kanë të humbur.