Hajdarit i ndërpritet masa e arrestit shtëpiak

/ 3 minuta lexim
RCCOLA

Gjilan – Xhavit Hajdari ish drejtor i spitalit të Gjilanit i akuzuar për marrje ryshfeti ka munguar në seancën e parë gjyqësore këtë të enjte me arsyetimin se është i sëmurë. Sahit Borovci kryetar i trupit gjykues i ka ndërprerë masën e arrestit shtëpiak pas propozimit të avokatëve mbrojtës.

Në seancën e parë gjyqësore që ka nisur të enjten në Gjykatën Komunale , ndaj ish drejtorit të spitalit të Gjilanit Xhavit Hajdari, ky i fundit ka munguar me arsyetimin se është i sëmurë. Sahit Borovci kryetar i trupit gjykues tha se kanë marrë një raport nga i akuzuari se ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.

Në gjykatore ndodhej prokurori, pala e dëmtuar dhe dëshmitarët. Avokati mbrojtës Kadri Sylaj ka kërkuar nga trupi gjykues që t`i ndërpritet masa e arrestit shtëpiak Hajdarit. Këtë propozim të mbrojtjes nuk e ka kundërshtuar as prokurori komunal Shefik Mehmeti.

Sahit Borovci ka komunikuar vendimin e trupit gjykues i cili i ka ndërpre masën e arrestit shtëpiak Hajdarit dhe ka caktuar datën 23 tetor si seancën e radhës në shqyrtimin kryesor ndaj tij. Ndryshe Hajdari akuzohet se ka kërkuar përfitim material në shumën prej 2000 eurove nga pronarja e kompanisë “Toni”.

Sipas aktakuzës që e ka ngritur prokurori Esat Ademi thuhet se më 19 korrik 2012 në restorant “Bujana”, Xhavit Hajdari në cilësinë e drejtorit ekzekutiv ka kërkuar përfitim material për vete, respektivisht nga e dëmtuara Sevdije Demolli, pronare e kompanisë “Toni” ka kërkuar shumën prej 2000 eurove në mënyrë që mos t`ia ndërpresë të dëmtuarës kontratën e themeluar për pastrimin e objekteve në spitalin e Gjilanit.

Hidromorava

Fillimisht i pandehuri thuhet në aktakuzë në mënyrë të kundërligjshme e me qëllim përfitimi të dobisë pasurore kërkon nga e dëmtuara shumën prej 500 eurove në muaj në mënyrë që kompania e të dëmtuarës të mund të vazhdonte ofrimin e shërbimeve për spitalin e Gjilanit, në të cilën kërkesë e dëmtuara nuk pranon nën pretekstin se është e papërballueshme për të dhe më pas i pandehuri zbret shumën e kërkuar në vlerë të 200 eurove në muaj.

Pasi merren vesh i pandehuri dhe e dëmtuara me vajzën e saj takohen tek restoranti “Bujana” ku e dëmtuara nxjerrë shumën prej 2000 eurove, dhe ia dorëzon në dorë të pandehurit i cili i merr paratë dhe i fut në xhepin e majtë të këmishës dhe arrestohet nga policia në flagrancë.

E dëmtuara Sevdije Demolli ka specifikuar në polici dhe prokurori se Xhavit Hajdari i ka kërkuar para për tenderin e fituar në vitin 2011 dhe atë 1000 euro dhe 1000 euro tjera për tenderin e fituar në vitin 2012.

Ndërsa Xhavit Hajdari ka thënë në polici dhe prokurori se ato të holla Sevdie Demolli ia ka pasur borxh atij për shkak se ajo nuk ka mundur t`i paguaj punëtorët thuhet në aktakuzë./rajonipress/