FIDANISHTJA

Hadërgjonaj, mburrja e Young Boys dhe Zvicrës U21

/ 6 minuta lexim
ARKATANA

Florent Hadergjonaj, me prejardhje nga Pobergja e Deçanit i është shtuar listës së futbollistëve shqiptarë që kanë krijuar emër dhe famë në Ligat e ndryshme të futbollit evropian.

Hadergjonaj i lindur dhe i edukuar në qytezën Langnau të Zvicrës Qendrore qëkur ishte shtatëvjeçar dha shenja se në të ardhmen do të jetë një margaritar i futbollit zvicëran.

Natyrisht, djaloshit flokëverdhë e sykaltër i çeli udhë edhe i ati Nexhat Hadergjonaj, duke i dhënë forcë motivuese dhe duke e inkurajuar që talentin e tij dhe prirjet dhunti prej zoti t’i shfrytëzojë maksimalisht. Florenti i qetë dhe i dëgjueshëm fillimisht u rreshtua në KF ”LANGNAU”ku me një shpejtësi të paparashikuar nisi të veçohej nga të tjerët me lojën plot gjallëri e atraktivitet.

Kryesia e Klubit Futbollistik Thun, duke parë që Florenti përmbush të gjitha kërkesat e Klubit e angazhoi atë në radhët e veta. Ai edhe në Klubin e ri tregohet shumë i frytshëm.

Hadergjonaj me lojën e tij të rrjedhshme dhe tërheqëse merr nga publiku shumëherë duartrokitje të cilat i atribuohen atij me shumë dashamirësi në shenjë përkrahje.

Gjatë qëndrimit në KF”Thun” të Zvicrës Floreniti luan edhe në seleksionin e Zvicrës, në grupmoshat U-13-të dhe U-16-të. Pjesëmarrja në këto kategori e gëzon pamasë dhe e afirmon gjithandej Zvicrës. Pa diskutim Hadergjonaj bëhet idhull dhe i krijon vetes mundësi dhe rrugëzgjidhje për të kaluar në ndonjë skuadër të mirëfillte dhe me renome. Klubi Futbollistik “Luzern” i rimëkëmbur dhe i reformuar si në aspektin ekonomik ashtu dhe në atë organizativ duke njohur kapacitetet dhe aftësitë e Hadergjonajt përgatit terrenin për kalimin e tij në këtë ekip. Kalimi i Hadergjonajt në Luzern mbetet vetëm çështje kohe.

Me të përfunduar formalitetet administrative ai bëhet pjesë e shkollës së futbollit në Luzern. Me entuziazëm të pa parë fillon stërvitjet me lojtarët e formuar në këtë ekip dhe me të sapoardhurit. Me punën e tij të pandërprerë ai len përshtypje të jashtëzakonshme. Angazhimi i vazhdueshëm dhe përvetësimi i njohurive të reja e bëjnë Hadergjonajn njërin nga lojtarët më të vlefshëm dhe më të admirueshëm të Luzernit.

Hadergjonaj i dëshmuar përsëri është i pari në listën e grupmoshave U-17 të të Zvicrës, por kësaj radhe si anëtar i Luzernit. Pjesëmarrja aktive në të gjitha kategoritë me të rinjtë e Zvicrës dhe loja mjaft e mirë bëjnë që Florent Hadergjonaj të jetë i lakmueshëm dhe i dobishëm për secilin Klub të Zvicrës. Këtë djalosh me prirje të theksuara e vështrojnë dhe e kanë në shënjestër shumë ekipe në Zvicër dhe jashtë saj.

Mirëpo drejtuesit e KF “Berner Sport Club Young Boys” të Bernës tregohen vigjilentë e të efektshëm. Ata pa humbur kohë nisin negociatat me këtë talent të rrallë me ç’rast arrijnë marrëveshjeje, dhe ai nënshkruan kontratë trevjeçare me Young Boys-in. Hadergjonaj sipas kësaj kontrate obligohet të jetë i veshur verdhë e zi deri me 30 qershor 2017.

Në mjedisin e ri ai është ambientuar shpejt e lehtë, dhe po ndihet i lumtur e krenar sepse Young Boys është ekip me histori të gjatë dhe traditë 125 vjeçare. Kjo skuadër me vlera të mëdha njëmbëdhjetë herë ka qenë Kampione e Zvicrës, dhe gjashtë herë është stolisur me Kupën e këtij vendi. Young Boys aktualisht është pjesëmarrës i Grupit I në Ligën e Evropës.

Eco Higjiena

Grupet e eksperteve profesionistë të kësaj skuadre në fillim bien vendim që Florenti së pari të sistemohet në grupim me juniorët, kjo bëhet për arsye të moshës tepër të re dhe nga frika se mund të dëmtohet e ardhmja e tij. Hadergjonaj i cilësuar si pasuri me vlerë e Young Boys-it vazhdon të jetë titullar i përvjetshëm i ekipit të shpresave të Zvicrës.

I vendosur dhe i etur për të arritur në majat e suksesit edhe këtu ai tregohet kërkues dhe i gatshëm në avancimin e prirjeve të tij. Ai duke rimodeluar dhe plotësuar shumëçka në ekipin e të rinjve të Young Boys-it bëhet medoemos i nevojshëm për ekipin e parë të kësaj skuadre. Gjatë verës së sivjetshme trajneri Ulrich Forte duke vërejtur përsosmërinë dhe formën e kënaqshme të Hadergjonaj vendos që atë ta aktivizojë në rolin e mbrojtësit të djathtë në KF “Berner Sport Club Young Boys” të Bernës.

Florenti tani njëzetvjeçar si profesionist dhe i pjekur jo vetëm që e ka plotësuar këtë boshllëk por është bërë faktorë vendimtarë i mbrojtjes së Young Boys-it.

Ai këtë detyrë po e kryen me përpikëri duke ua ngushtuar hapësirën e veprimit lojtarëve të palës kundërshtare. I vëmendshëm dhe energjik Hadergjonaj çdoherë i eviton situatat që paraqesin kanosje për portën e ekipit të tij. Fale lojës kolektive dhe atmosferës së ngrohtë Klubi Futbollistik “Young Boys” denjësisht po zhvillon gara në Raiffaisen Super League të Zvicres, duke qenë njëra nga skuadrat më solide, gjë të cilën e dëshmon edhe pozita në vendin e katërt në tabelë me 18 pikë të grumbulluara. Pjesë e këtij suksesi është edhe Florent Hadergjonaj, i cili me lojën e tij të mrekullueshme po mbjellë kënaqësi ndër sportdashës dhe po ia shton namin kësaj skuadre.

Sukseset e gjithanshme të këtij futbollisti kanë bërë që kohë më parë ai të jetë i ftuar në emisionin e popullarizuar “Die Woche” Ky emision me shikues të shumtë drejtohet nga gazetari i mirënjohur i sportit Stefan Eggli. Hadergjonaj si lojtar me tipare të veçanta dhe të ardhme të ndritur ka zënë vend gati në të gjitha gazetat dhe revistat e Zvicrës gjermanishtfolëse duke marrë notë të lartë vlerësimi.

Bashkëlojtarët, shokët dhe miqtë Hadergjonajn e përshkruajnë si djalë që posedon dëshirë e vullnet për bashkëpunim me të gjithë. Ai këtë frymë bashkëpunimi e ka shtrirë edhe në kombëtaren e shpresave U-21 të Zvicrës.

Thjesht Florenti veçse ç’është futbollist i talentuar është edhe shok i vërtetë! Nëse ai vazhdon me këtë ritëm është në rrugë të mbarë për t’u vërshuar me oferta joshëse nga Klubet më prestigjioze të Evropës.

Arif Ejupi

albinfo.ch

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Nëse e çaktivizoni këtë cookie, ne nuk do të jemi në gjendje t'i ruajmë preferencat tuaja.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.