Grupi lokal për trashëgimi kulturore ka identifikuar 39 prioritete

Gjilan – Veton Nevzadi, drejtor për Kulturë, Rini dhe Sport, ka thënë se në Gjilan është bërë një punë e mirë në identifikimin e trashëgimisë kulturore dhe tani komuna e ka një udhërrëfyes të rëndësishëm se çka duhet të bëjë në të ardhmen, ndërkohë që i ka inkurajuar qytetarët që të japin kontributin e tyre në këtë drejtim, në mënyrë që lista të pasurohet edhe më tepër.
Forumi lokal për trashëgimi kulturore në Gjilan, ka prezantuar para publikut prioritetet e identifikuara, në kuadër të projektit “Trashëgimia kulturore 2012-2015”, që realizohet nga organizata suedeze “Trashëgimia kulturore pa kufij” dhe MKRS e MMPH.
Gjilani është njëra prej shtatë komunave të Kosovës që janë përzgjedhur në këtë projekt 4-vjeçar për trashëgiminë kulturore, krahas Dragashit, Gjakovës, Kaçanikut, Parteshit, Rahovecit dhe Vushtrrisë.
Forumi lokal ka përgatitur planin lokal, ku ka identifikuar resurset e trashëgimisë kulturore dhe natyrore, që do të shërbejë si bazë për zhvillim ekonomik dhe social të komunitetit.
Alban Musa, koordinator i projektit për Gjilan, ka thënë se grupet punuese kanë identifikuar 39 prioritete në terren, të cilat në fazën tjetër do të përcaktohen si prioritete për investime, në kuadër të këtij projekti që ofron 100 mijë euro për secilën komunë të përzgjedhur, derisa vetë komuna siguron edhe 20 mijë euro të tjera.
Si prioritet i parë është identifikuar Kalaja e Pogragjës, pastaj Kisha e Shën Anës në Dunav, Kulla e Kadri Zeqirit në Haxhaj, objekti i ish-Teknikës Popullore, shtëpia e Maksut Malokut, Atik Xhamia, Shtëpia e Jusuf Rexhepit, Muzeu Rajonal, për të cilin janë propozuar tri objekte të mundshme, ish-depoja ushtarake turke, shtëpia e shtabit të UÇK-së në Zhegoc dhe të tjera, që nënkupton rregullimin, restaurimin, rifunksionalizimin, fasadimin, adaptimin dhe punime tjera që këto objekte i bëjnë funksionale.
Veton Nevzadi, drejtor për Kulturë, Rini dhe Sport, ka thënë se në Gjilan është bërë një punë e mirë në identifikimin e trashëgimisë kulturore dhe tani komuna e ka një udhërrëfyes të rëndësishëm se çka duhet të bëjë në të ardhmen, ndërkohë që i ka inkurajuar qytetarët që të japin kontributin e tyre në këtë drejtim, në mënyrë që lista të pasurohet edhe më tepër.
Ne tani i kemi objektet e identifikuara, programet dhe prioritete dhe na mbetet që të gjejmë investime për t`i restauruar këto vlera, pos atyre që do të përfshihen në këtë projekt, ka thënë Nevzadi.
Pjesëmarrësit në këtë takim të Forumit lokal, Ismet Tafili, Mehmetali Arifi, Ukshin Zajmi, Bujar Haziri dhe të tjerë kanë kontribuar me propozime konkrete, duke përmendur objektin e Kullës së Sahatit, që nuk është përfunduar ende, shpellën në Bresalc, trashëgiminë shpirtërore dhe të tjera, propozime këto që kanë hasur në mirëkuptim, si te organizatori, ashtu edhe te drejtori i Kulturës.
Këtij programi i ka paraprirë nënshkrimi i një Memorandumi të Mirëkuptimit mes Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Cultural Heritage Without Borders, Ministrisë Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, si dhe shtatë komunave të Kosovës, ku bënë pjesë edhe Gjilani.
Enes Toska, në emër të organizatorit, ka thënë se Planet Lokale të Trashëgimisë Kulturore do të ndihmojnë që shumë më mirë të menaxhohet kjo fushë, përkatësisht të ruhet gjithë thesari kulturor. “Ua kemi borxh gjeneratave të ardhshme që t`ua përcjellin këto vlera të trashëgimisë në gjendjen më të mirë që mundemi”, ka thënë Toska. /rajonipress/