Gruaja që ndreqi imazhin e vet

/ 7 minuta lexim

Arsyeja kryesore për të cilën Atifete Jahjaga u dërgua në Presidencë, ishte përpjekja vendore dhe ndërkombëtare për rregullimin e imazhit të vendit. Gjatë dy vjetëve sa ajo është në zyrën më të rëndësishme të Kosovës, ky qëllim nuk u arrit. Ajo suksesshëm ia doli ta ndryshojë vetëm imazhin personal, duke investuar mijëra euro në veshje.

Shumë diplomatë perëndimorë e kanë arsyetuar ardhjen e Atifete Jahjagës në krye të shtetit me përmirësimin e imazhit të vendit në botë.

Një grua në Zyrën e Presidentes, në një shtet si Kosova, do të argumentonin ata, përbën një lajm të mirë madje edhe për tërë Ballkanin, që ende njihet si rajon i prapambetur në shumë aspekte.

Për më tepër, një femër lidere në një vend me shumicë myslimane në sytë e botës mund të interpretohet edhe si një emancipim i shoqërisë.

Pra, që prej se ka ardhur në krye të shtetit, më 7 prill të vitit 2011, Jahjagës i është përshkruar një rol prej “supervashe”, e cila mund ta rregullojë imazhin e Kosovës, që fatkeqësisht në botë njihet për nivelin e lartë të varfërisë, korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Numri një i shtetit do të duhej të realizonte atë që nuk arritën ta bëjnë as përpjekjet e kosovarëve me bashkësinë ndërkombëtare që prej vitit 1999, kur vendi doli nga okupimi serb, e as reklamat multimilionëshe të paguara nga taksapaguesit e të transmetuara së voni në rrjetet e fuqishme botërore.

Por pritjet diplomatike për Jahjagën nuk sollën rezultate.

Përveç faktit se me të është tejkaluar kriza politike dhe që ajo me ndonjë veprim të saj nuk i ka bërë sherr vendit, Jahjagës nuk mund t’i numërohet ndonjë sukses.

Nga një zonjë, e katapultuar në skenën politike që nuk arrin t’i zotërojë as klishetë e zakonshme të politikës, edhe pse për këtë janë kujdesur një armatë e tërë këshilltarësh, as që mund të pritet më shumë.

Por ajo për çka pothuaj shumica ka një konsensus rreth Jahjagës është imazhi i saj.

Pra Atifete Jahjaga ka arritur ta ndryshojë imazhin personal duke u transformuar nga një komandate policie në një “lady” deri diku elegante.

Heqja e uniformës, qëndrimi i gjatë në zyrë, trajtimet e shpeshta estetike bashkë me privilegjet që përfiton udhëheqësja formale e shtetit kanë afektuar Jahjagën.

Ka shumë njerëz të cilët kanë probleme me veshjen sa që nuk kanë sesi t’i evitojnë konsultimet me profesionistë të modës.

Por shpeshherë tendenca për të qenë “trendy” dhe për t’u dukur bukur kushton.

Kreatorë dhe stilistë të ndryshëm kërkojnë shuma të majme parash për shërbime të tilla.

Jahjaga ia ka ofruar vetes një gjë të tillë.

E ajo që konsiderohet “fajtore” për “lookun” e ri të Jahjagës është rrobaqepësja Blerina Kllokoqi- Rugova, bashkëshortja e Mendim Rugovës, djalit të Presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova.

Kjo stiliste tashmë ka publikuar mbi 6o kostume të ndryshme në profilin e saj në Facebook, që janë të qepura enkas për Presidenten.

Por sa i kushtoi Atifete Jahjagës i gjithë ky transformim?

Profesionistët asnjëherë nuk punojnë falas, e këtë nuk e bën as Kllokoqi- Rugova, e cila më shumë se një vit përkujdeset për pamjen e kreut të shtetit.

Express ka tentuar disa herë të kontaktojë me Kllokoqi-Rugovën, për të mësuar më shumë rreth punës së saj për Presidenten, por ajo nuk ka pranuar të flasë.

Një punëtore në studion e saj ka thënë se secila veshje me të cilën Presidentja prezantohet punohet enkas për të.

“Asnjë prej veshjeve nuk jepen me qira, të gjitha veshjet tona me të cilat Presidentja është paraqitur në publik janë punuar enkas për të”, ka thënë punëtorja e Kllokoqi-Rugovës.

Fundamenti

Sipas saj, ndër kreacionet e fundit të punuara për Presidenten janë ato me të cilat Jahjaga u prezantua në Konferencën Rajonale për Fuqizimin e Gruas, që u organizua nga Presidenca e në të cilën mori pjesë edhe ish-Sekretarja Amerikane e Shtetit, Madeleine Albright.

“Blerina është shumë e zënë sepse është duke punuar kreacionet për konferencën. Këto ditë dhe ka shumë punë pasi është duke qepur edhe për dhe gra të tjera, të cilat do të marrin pjesë në konferencë”, ka thënë punëtorja e Studios “Blerina Kllokoqi-Rugova”.

Puna e rrobaqepëses së saj duket t’i ketë pëlqyer Presidentes, e cila nuk po mund të ndahet nga rrobat e Blerinës, edhe pse rrallëherë ajo ka dalë në publik me kostume të njëjta.

Nga studion e disejnatores Kllokoqi-Rugova nuk kanë dashur assesi ta bëjnë publik çmimin e një kostumi që punohet për Presidenten.

Burime të gazetës kanë treguar se një “komplet” për Presidenten mund të kushtojë rreth 150 euro.

Atifete Jahjagës si Presidente e Kosovës, në bazë të deklarimit të saj të pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsion, të ardhurat vjetore arrijnë shumën mbi 34 mijë.

Ndërsa nëse merren krejt këto për bazë së bashku me numrin e veshjeve (mbi 60 aq sa janë publikuar në facebook ), i bie që e para e shtetit deri më tani ka shpenzuar mijëra euro për rroba.

Por nga punëtoria e Blerina Kllokoqit ka hezitim edhe për pohimin e shifrave të tilla.

Sipas zyrtarëve për medie në Presidencë, ky institucion nuk ka paraparë ndarjen e një fondi të veçantë për veshjet e Presidentit.

Zëdhënësi Arbër Vllahiu ka thënë për Express se Jahjaga gardërobën e saj e paguan vetë.

“S’ka shpenzime. Me financim personal”, ishte përgjigja e Vllahiut për Express.

E kur është fjala për veshjen e Presidentes dhe dukjen e saj, ajo që bie në sy janë edhe kilogramët e shtuar, ndërsa thuhet se shefja e shtetit kalon mjaft kohë për shoping edhe kur del për vizita jashtë vendit.

Obsesioni i Jahjagës me dukjen nganjëherë ka nxitur edhe incidente. Mbrojtja e saj e afërt kohë më parë kishte rrahur një person i cili ka tentuar të kalojë nëpër rrugën e bllokuar ku Presidentja rregullon flokët.

Jahjagës nuk i kanë munguar vizitat jashtë vendit dhe ajo që më së shumti është komentuar kur shefja e shtetit ka udhëtuar janë pikërisht veshjet.

Në kapacitet presidencial ajo ka arritur të realizojë dy herë foto me Presidentin Barack Obama, ka marrë pjesë në samite të ndryshme ndërkombëtare.

Por krejt ajo që do të mbahet në mend për numrin një të shtetit është lehtësia me të cilën e ka marrë postin më të lartë shtetëror, e jo puna e saj.

Nuk do ta mbahen në mend as këshillat e saj antikorrupsion e për integrime e as pjesëmarrja e saj në ndonjë debat me rëndësi për vendin.

Cinikët do t’ia kujtojnë vështirësitë dhe gabimet gjatë leximit të fjalimeve.

Kohën e kaluar në zyrën kryesore të shtetit mbase mund ta mbajë në mend vetë Atifetja dhe bashkëshorti i saj, i cili po ashtu ka gëzuar privilegjet e zotëriut të parë pavarësisht se për një kohë çifti ka qenë i pakurorëzuar.

Ish-policja tash kur pjesë të biografisë së saj e ka edhe udhëheqjen me shtetin, mund ta konsiderojë Kosovën si një vend të mundësive të mëdha për të.

Dhe është e vërtetë se ky vend i ka dhënë shumë asaj.

Por pyetja mbetet çfarë i dha ajo vendit?.(express)