KKGJILAN

Grishja e pengut të djalërisë

/ 10 minuta lexim

Nga Mehmetali Rexhepi- Alush Canaj (24 gusht 1952 – 15 shkurt 1972),Qyteti i zi me emër të bardhë .

Ishte shoku im i pandashëm i djalërisë në Gjimnazin e Gjilanit. Dhimbja ime e përhershme… Ishim brezi i viteve 68, 69, 70, 71, kur Federata e Jugosllavisë, nga brenda dhe nga jashtë, shtrëngohej prej njësive federale t`i bënte ndryshimet e kushtëzuara kushtetuese.

Pozita e shqiptarëve ishte nëpërkëmbur ekonomikisht dhe politikisht. Mësyhej ngritja në strukturën federative. Shtypja serbe me mjete shtetërore të përqendruara në duart e tyre, arrihej edhe me bashkëaleatët, bashkëpushtuesit e trojeve shqiptare: maqedonë e malazias. Madje, shkaset paragjykuese sistemoheshin në mënyra e forma të ndryshme dhe, e bënin të vetën në dëm të etnisë shqiptare.

Shqiptarët kërkonin forma legale dhe ilegale për afirmimin dhe ndryshimin e statusit gjysmëkolonial. Format e buta legale, përmes institucioneve të instaluara, artikulimi i kërkesave dhe i pakënaqësisë nga përfaqësuesit shqiptarë qenë anemike.

Realiteti i tillë reflektoi te i riu Alush Canaj. Alushi, ndonëse veprimtar i rinisë shkollore të gjimnazit, assesi nuk e përqafoi shkrirjen në “patriotizmin socialist jugosllav”. Ndaj, me anë të formave finoke, përmes shkrimeve që i lexonte në orët letrare në gjimnaz e gjetiu, mëtonte vetëdijesim kombëtar për vete dhe brezin të cilit i përkiste. Një klimë vetëdijesimi e kishte sjellë gjashtëdhjeteteta.

Dukja, tiparet e fytyrës,flokët kaçurrela, sjellja, veshja, afërsia komunikuese, të gjitha këto vijëzime karakterizuan djaloshin simpatik dhe tërheqës Alush Canaj. Simpatia që shpërfaqte ai në mjedisin e të rinjve, ishte dhunti e brendshme, por e pa imponuar. Në mësime nxënës i mësimit kritik, kultivonte një bukurshkrim të lakmueshëm dhe, në faqet letrare për fëmijë ushtroi dhuntinë e tij, vargimin poetik për fëmijët e të rinjtë.

Motivet, kureshtja, mënyrat e trajtimit, figuracioni, mjetet shprehëse, stili, fryma, ritmi, muzikaliteti, vjershërimit për fëmijë Alush Canaj po i sillte freski imagjinative, që nuk mbeti pa u vënë re nga lexuesit, sidomos të moshës së re, edhe krijuesit e brezave më të hershëm, të cilët tashmë kishin emër në letrat e shkrimit shqip të kësaj periudhe në Kosovë e Maqedoni. Ndërsa komunikimi me Shqipërinë administrative në fushën e letrave, pas mbylljes hermetike, jepte shenja të hapjes…

Djaloshi simpatik voli vlera intelektuale, shpirtërore dhe qëmtoi mjeshtërinë e shkrimit, sikurse bleta polenit të luleve. Por, si i tillë nuk mund t`i shmangej syrit dhe veshit fantom të UDB-së. Andaj, për ta përvetësuar ose për ta thyer moralisht, a për t`ia ndërruar kahen përcaktimit shpirtëror një talenti, i cili dita – ditës piqej në zjarrminë e përvojës dhe, njëkohësisht i shtohej rebelimi në përballjet me mynxyrat e ambientit shoqëror; politika po ia ofronte kushtëzimet dhe grackat, duke iu vardisur trusnitë dhe përgjimet…
Në këtë mjedis politik, kur censurohej çdo gjë shqiptare, Alushin filluan ta ftonin në “biseda informative”.

Ai pas diplomimit në gjimnaz vendosi të studionte Shkencat Politike në Beograd. Në njërën nga letrat që më dërgonte nga Beogradi, më 1972, më shkruante: “Ky nuk qenka Beograd por Cërnigrad”!

Alush Canaj ishte tip ambicioz. Tipa të këtillë kur nuk i përmbushin qëllimet e paravëna, edhe jetën e vet e gjykojnë me fatalitet.

Në çastin e një krize shpirtërore, enigmatike për opinion, më 15 shkurt 1972, në momentin e vetmisë, kishte pirë helm, aq sa brenda një nate t`i jepte fund mundimshëm jetës, pengut djaloshar të saj, simpatiku Alush Canaj.

Ai la zbrazëti në brezin e shpresave… Si djalosh, si karakter me humor e mahi e fshehte të keqen dhe aspektin tragjik… Sidoqoftë, si poet vërtet ishte premtues.
Alushi iluzionet e mendësisë së rrethit të vet, i përjetoi shumëfish më thellë se sa pasuesit e gjallë të tij.

Valsi i ngjyrave gazmore

Shkrimtari Avdush Canaj mblodhi shkrimet e mbetura, kryesisht të publikuara të vëllait, Alushit në të përkohshmet letrare – artistike, që botoheshin në Prishtinë dhe në Shkup: në “Pionieri”, “Rilindja për fëmijë”, “Gëzimi”, “Fatosi” e gjetiu. Vjershat dhe tregimet kanë vitet e botimit.

Në vëllimin e vetëm të titulluar “Vals veror”, publikuar në Prishtinë, në edicionin “Zëri”, më 1992, përfshihen shkrimet në poezi dhe prozë të botuara gjatë viteve 1965 – 1972.
Lëndën poetike në vëllimin “Vals veror” e përbëjnë tre cikle: “Valsi veror”, vjersha; “Treni i fëmijëve”, tregime dhe “Po e ndiej”, shtatë vjersha për moshën e djalërisë.
Pothuajse të gjitha vjershat e ciklit mbizotërues të librit “Vals veror”, kam pasur rastin t`i lexoj dhe shfletoj në dorëshkrimin e pastër, të renditura me shije në fletoren – libër,së cilës Alushi i kishte vënë titullin “Kangët e mëngjesit”. Madje, ballinën e fletores – libër e pati ilustruar me ngjyra druri. Kontrastet dhe përbërës të ilustrimit, reflektonin atmosferë që e ngërthente agimin pranveror, larushinë verore, ngrohtësinë që sjell afër fëmisë florën dhe faunën, gjallërinë dhe freskinë e jetës dhe, në tërësinë e kësaj tablloje dielli me rrezet flakëruese .

Kopertina është pasqyrë e hyrjes në brendinë e vjershave. Ilustrimet, peizazhet, elemente të florës e të faunës, paraqesin lidhjen organike të fjalës me pamjet e gjalla të natyrës e shpirtit njerëzor.

Te Alush Canaj nuk kam vërejtur shfaqje të theksuar të dëshirës për të botuar libër. Dhe për të gjallë nuk nxori libër. Libri ishte një luks dhe, jo gjithkush mund ta gëzonte autorësinë e tij.
Gjithçka në “Vals veror” është ngjyrosur me kthjelltësi të mëngjeseve, cicërima harabelash, madhështinë e detit, bukurinë e fluturimit të pulëbardhave mbi det, përshëndetjet akrobatike të delfinëve… Por bardhësia e gazmores turbullohet, nxihet në vjershën e fundit të ciklit prej shtatë sosh “Po e ndiej…!”

Freskisë, kthjelltësisë, joshjes të bukurisë së jetës i kundërvihet zymtësia, gjëma e shtrëngatës, pasiguria, ndrydhja e vullnetit djaloshar; skepticizmi në përballje me aso trajtash të mynxyrshme, të cilat për të ishin të papërballueshme në pohimin: “Sa e pamëshirë qenka jeta…!”

Fidanishtja

Poeti i afshit të jetës penën e tij do ta ngjyej në valsin veror të livadheve të blerta, atje ku bilbilat i bien violinës, në këngët e zafirit, dritaret e blerimit, në kallinjtë që vallëzojnë buzë lumit, luginës ku dreri hënën mbi brirë e mban, reve të shndërruara në qengja, orës së kurdisur të gjelave herak, në zamaren e harabelit, në pranverën që e solli harabelin në kopsht, në trenin e gëzimeve, në poetin sinonim i detit të njelmët, i cili me ujin e tij shlyen vragët, në legjendën e Skënderbeut, yllit të Arbërisë…

Në “Vals veror” ngjyrat gazmore shtrihen gjerë e gjatë,të papenguara prej gardhit të telave me gjemba. Tema e gardhit me gjemba ishte “lule mos më prek” për censorët. Pamjet gazmore nuk janë oportunizmi i realitetit të poetit. Ndoshta e vërteta e realitetit do të dukej dukshëm më e ngrysur, por ajo do t`ia stërkeqte përmbajtjen lojës gazmore të fëmijëve. Atyre së shpejti do tu dilnin në pritë brengat…

Shpërthimi imagjinativ i një trembëdhjetëvjeçari

Atëbotë në shtëpinë përdhese të Alushit, që fare i ri shkruante, vizatonte, pikturonte, kridhej në imagjinatë, në pikëpyetjet shpesh pa përgjigje të kureshtjes së fëmijëve, duke gjetur zgjidhje të përshtatshme për ta, trajtësuar sikurse një shkrimtar me përvojë të pjekur për qëmtime ideore – figurative, ndonëse sapo kalonte adoleshencën.

Në këso ecejakesh merrja rolin e lexuesit kritik të shkrimeve të tija. Tumirja a mos tumirja e akëcilit varg, e akëcilës figurë, ide a strofë, ishte përfillje e padjallëzuar e tij.
“Ëndrra” është njëri nga dhjetë tregimet e shkurtë në vëllimin “Vals veror”. Si ky tregim, edhe nëntë tregimet tjera, nuk janë më të gjatë se sa një faqe e gjysmë e një libri standard të shkrimtarisë imagjinative.

Në “Ëndrra” struktura e ndërtimit artistik është rrumbullakuar. Ndërthurja e të ndodhurës me monologun e dialogëzuar, shfaqur përmes personazhit të frikshëm të botës së faunës, figura e personifikimit shkrihet e motivuar, pa përshkrime të stërholluara, pa sforcim të idesë dhe, nxjerr poentën edukative, karakteristike për procedeun e kompozicionit të tregimit modern.

Tregimi “Ëndrra” në një faqe tekst, ka forcë ngërthyese, shtresime të nëntekstit të fakturës tregimtare bashkëkohore, ku poenta, porosia e vetëkorrigjimit të personazhit del e natyrshme.

Në fund të tregimit është shënuar viti 1965, atëherë autori kishte trembëdhjetë vjet!

Pengu i djalërisë

Në vjershën “Po e ndiej…” kemi një tjetër Alush… Një shpirt të trazuar jashtë mase… Një sedër të thyer e të fyer… Nga kush? Paralajmërimi ose paragjykimi ogurzi është shtytje nga diçka a shumëçka e arsyes së kapluar nga ndjesia fataliste…

Edhe pas dyzetë vitesh të mikut tim në amshim, më sillet rreth koke pengu i enigmës së aktit fatal;ai akt prore enigmatik, që e shpuri Alushin tek honi i dollisë, ku ndau jetën nga vdekja. Një enigmë e mbështjellë me dhimbje, një kureshtje e pashuar…

Çfarë kontrasti i fortë i gazmorit dhe pesimistit Alush?! Dhe, këtë akt suprem e bënin vetëm poetët që nuk lejuan jetën të tallej me ta! E bënë këtë pa lejuar që jeta ta bënte rrjedhën e përmbylljes së vet edhe: Ernest Heminguej, Sergej Jesenini, Stefan Zweig, Bekim Fehmiu…

Le të më lejohet të pohoj, se në letrat e shkrimit shqip, Alush Canaj shfaqej si një fenomen i pjekur para kohës së pjekurisë së natyrshme dhe, pas qetësimit të katrahurës kombëtare në kapërcyellin e shekullit njëzet, një grishje e ngjirur djaloshare fton…

Për çfarë na fton ajo grishje? Po ja, le ta rishpalojmë atë faqe trashëgimie qoftë e pakët, por me shije ende të freskët të formësimeve të personaliteteve të çiltër, të shkrimtarëve e krijuesve të shuar pa e përmbushur yllin prijatar…

Përderisa dhimbja për dhimbjen njerëzore të jetë shtytje për kultivimin e frymës e të virtyteve të njeriut, vetëm kësisoj njerëzorja do ta shpëtojë karakterin e “homo sapiens-it” nga instinkti shtazor.

Poeti Ali Podrimja krizën e dinjitetit njerëzor e përjetësoi në trajtën e urtisë sarkastike: “Në jetën time aq fort më deshën shtazët/ sa mall pata të shoh fytyra njerëzish”.

Gjilan, shtator 2012