Hidromorava

Gripi i derrrave nën “kontrollë”

/ 6 minuta lexim

Janë diagnostifikuar gjithsej 29 raste të reja me gripin H1N1 në Kosovë. Këtë e kanë konfirmuar të premten për Express zyrtarë të QKUK’së. Aktualisht janë vetëm dy pacientë që po trajtohen në klinikën intensive, derisa të tjerët janë liruar për në shtëpi. Mjekët thonë që nuk ka nevojë për panik, pavarësisht se para një jave u shënua vdekja e parë prej këtij gripi.

Nuk po e bëjnë të madhe, por edhe 29 kosovarë janë të rrezikuar prej gripit që deri para një viti quhej gripi i derrave. Disa më lehtë e disa pak më rëndë janë të gjitha këto raste që janë diagnostifikuar prejse ka filluar dimri në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Por, jo krejt prej tyre është dashur të trajtohen në spital. Megjithëse QKUK hesht.

Madje për të mos krijuar panik te qytetarët, këtij gripi edhe i është ndërruar emri. Që kur ka nisur dimri, gripit të derrit, që ndryshe njihej edhe si AH1N1 i është ndërruar edhe emri. Prej tash i njëjti grip quhet grip sezonal influenca AH1N1. Por, gjendja ka mbetur njëjtë. Pavarësisht ndërrimit të emrit, ky grip para një jave mori jetë. Megjithëse tash për tash gjendja paraqitet stabile.

Sipas zyrtarëve të kësaj qendre, aktualisht në intensivë janë duke u trajtuar vetëm dy raste të personave që janë të prekur me këtë grip. Shpend Fazliu, zëdhënës i QKUK’së, thotë se në klinikë aktualisht po trajtohen vetëm 2 raste të pacientëve që janë diagnostifikuar me gripin sezonal H1N1. “Janë vetëm këta të dy që janë të shtrirë. Megjithatë, gjendja e tyre është e mirë”, ka thënë Fazliu të premten për Express.

Derisa deri më tash, sipas tij, në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik janë diagnostifikuar gjithsej 29 raste me gripin sezonal influenca AH1N1. Këtë e ka konfirmuar për Express edhe Naser Ramadani, epidemiolog në QKUK.

Megjithëse shifrat e tij ndryshojnë pak nga ato që zëdhënësit të QKUK’së. Sipas Ramadanit, nuk janë 29, por janë 26 raste të personave që pasi i janë bërë analizat ka dalë se janë të prekur me gripin sezonal AH1N1.

Por, kjo duket se nuk ka shumë rëndësi. E rëndësishme, sipas mjekëve, është që qytetarët mos të krijojnë panik pasi QKUK ka arritur që ta sigurojë vaksinën e cila përdoret për shërimin e këtij gripi.

Kjo pasi 100 mijë dozat e vaksinave me të cilat MSH e ka furnizuar QKUK në vitin 2012 janë të mjaftueshme për mbrojtjen e popullatës dhe për të gjithë ata që kanë nevojë për këtë vaksinë, si të moshuarit, fëmijët dhe ata të cilët kanë një imunitet të dobët.

Zëdhënësi i QKUK’së, Shpend Fazliu sqaron se “Tamiflu” tashmë është siguruar, megjithëse sipas tij, qytetarët duhet të mendojnë për një ilaç tjetër, të cilin QKUK nuk e ka. “Tamiflu kemi mjaft. Por imunostimuluesit që duhet patjetër të përdoren për ta kaluar këtë grip, duhet të sigurohen nga vetë pacientët për shkak të buxhetit të vogël që ka Ministria e Shëndetësisë”, sqaron Fazliu.

E pavarësisht rasteve të reja që janë paraqitur me këtë virus, mjekët pohojnë se gjendja aktualisht është stabile dhe se nuk ka vend për ndonjë shqetësim. E rëndësishme, sipas tyre, është që secili qytetar, i cili ka simptomat e gripit të paraqitet në QKUK për një kontroll rutinë. “Secili duhet të vijë e të kontrollohet para se të bie në agoni, pasi që atëherë është shumë vonë”, sqarojnë ata.

Hidromorava

Ndryshe, një femër 37-vjeçare nga Prishtina, e cila ishte diagnostifikuar me virusin A/ H1N1, ka vdekur para një jave në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK). Ajo nuk mbijetoi pavarësisht se po trajtohej me “Tamiflu” dhe barna të tjera kundër këtij gripi. 37-vjeçarja, emri i së cilës nuk është bërë i ditur, është viktima e parë që vdes nga ky grip në Kosovë, pas një periudhe rreth dyvjeçare. Gripi vdekjeprurës u paraqit në Kosovë në vitin 2009, duke marrë një jetë, kurse rasti i fundit ishte shënuar në vitin 2011.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, prej vitit prillit të vitit 2009 e deri në gusht të vitit 2010, në mbarë botën AH1N1, që shkurt njihet edhe si gripi i derrit, u mori jetën gjithsej 18 mijë e 500 njerëzve.

Simptomat e Gripit të Derrave

Gripi i ashtuquajtur i derrit (Swine Flu) është një sëmundje që atakon sistemin respirator dhe e shkakton virusi i tipit A (H1N1) që origjinën e ka nga derrat. Gripi H1N1 ka simptomat e ngjashme me gripin e zakonshëm. Përzierje, vjellje dhe diarre janë të zakonshme. Gripi H1N1 duket që zhvillohet në mot shumë më të ngrohtë sesa në mot zakonisht të ftohët në të cilin gripi i zakonshëm lulëzon. Simptomat e gripit te derrave nuk duken të jenë më të këqija se sa ato të gripit të zakonshëm, edhe pse ato ndoshta mund të ndryshojnë me ftohjen e motit gjatë dimrit. Njerëzit me simptoma të gripit duhet menjëherë të kërkojnë ndihmë në rast se në vend se të shërohen ata sëmuren edhe më shumë me shenja rreziku që i keni më poshtë.

Tek të rriturit

Frymëmarrje e shkurtër (e dobët), vjellje të njëpasnjëshme, pështjellim (konfuzion) dhe marramendje.

Tek fëmijët

Frymëmarrje shumë e shpejtë, nuk hanë apo pinë normal, nuk luan dhe nuk është aktiv, nervoz dhe irritohet lehtë ose edhe duket i përgjumur jo si zakonisht, temperaturë të lartë dhe skuqje të lëkurës dhe mavijosje të buzëve dhe lëkurës.

Si mund ta parandaloni infektimin me grip të derrave?

Pastroni duart rregullisht me sapun dhe ujë, veçanërisht pas kollitjeve dhe teshtitjeve, ose përdorni faculeta me alkool. Shmangni kontaktim me njerëz të sëmurë. Shmangni prekjen e gojës, hundës ose syve. Kjo nuk është lehtë për t’u bërë, andaj kujdesuni që duart tuaja të jenë vazhdimisht të pastra. Shmangia e kontaktit me njerëz të tjerë.