Uji Dea

“Gripi i Derrave” merr edhe një viktimë në Kosovë

/ 2 minuta lexim

Një 40-vjeçar nga komuna e Vitisë ka vdekur, të enjten, në Klinikën Infektive në Prishtinë, pasi ishte prekur nga virusit A/H1N1. Ky është rasti i dytë, në vitin 2013, që përfundon fatalisht. Ndërkohë, sipas të dhënave nga Klinika Infektive në Prishtinë, në tre vjet e gjysmë kanë qenë të identifikuar gjithsej 54 raste të prekura nga ky virus.

Drejtori i Klinikës Infektive në QKUK, Shemsedin Dreshaj, ka njoftuar se 40-vjeçari ka vdekur të enjten, rreth orës 16:45.

Dreshaj tha se viktima paraprakisht ishte i sëmurë nga bronkiti kronik dhe kishte mbipeshë. Ai po ashtu tha se viktima ishte sjellë në klinikë në ditën e tetë, pasi ishte përballur me gripin në shtëpi.

“Gjendja në të cilën pacienti ka ardhur në klinikë ka qenë e rënë dhe përkundër përpjekjeve tona, pas 24 orësh, ai ka ndërruar jetë”, tha ai, në një konferencë me gazetarë, shkruan JNK.

Të prekur nga ky grip janë edhe dy persona të tjerë, të cilët po kurohen në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Sipas, Dreshaj gjendja e tyre është e rëndë dhe që të dy janë me sëmundje shtesë.

UBT

Viktima e parë nga ky virus në Kosovë ishte një 37-vjeçare nga komuna e Prishtinës, e cila vdiq në janar të këtij viti.

Dreshaj tha se vërehet një shtrirje e njëllojtë e virusit nëpër rajonet e Kosovës, dhe se ka pasur të prekur nga komuna të ndryshme, si Prishtina, Vitia, Peja, Deçani etj.

Ai po ashtu ka përmendur rrezikun për paraqitjen e virusit H3N1, një ndërrim gjenetik i “Gripit të Derrit”, i cili tashmë është paraqitur në Shqipëri.

Por, drejtori i Klinikës Infektive tha se nuk ka vend për shqetësim. Klinika, sipas tij, ka mjaftueshëm barna për trajtimin e pacientëve që përballen me këtë virus, përfshirë këtu “tamiflunë” dhe terapitë mbështetëse.