Greiçevci me akuza ndaj ish-prokurorit Williamson: Më i dëmshëm se Dick Marty, gënjeu për trafikim organes
Lirim Greiçevci, pjesë e ekipit mbrojtës të ish-presidentit Hashim Thaçi, ka reaguar ndaj deklaratave të ish-prokurorit Clint Williamson, duke e akuzuar atë për deklarata të rreme lidhur me hetimet për pretendimet e raportit të Dick Martyt.
Në një postim në Facebook, Greiçevci e ka quajtur Williamsonin “prokuror mashtrues”, duke thënë se ai është “më i dëmshëm se Dick Marty”.
“Paska folur sërish ky prokurori mashtrues, Clint Williamson. Ai është më i dëmshëm se Dick Marty”, ka shkruar Greiçevci.
Sipas tij, Williamson, pas hetimeve që zgjatën gati tri vjet, kishte deklaruar në një konferencë për media në Bruksel se i kishte “vërtetuar përgjithësisht” akuzat e ngritura në raportin e Martyt.
Greiçevci pretendon se Williamson kishte deklaruar gjithashtu se trafikimi me organe kishte ndodhur në disa raste të kufizuara, të cilat, sipas tij, mund të numëroheshin “në gishta të duarve”.
“Gënjeu gjithashtu se e kishte të gatshme një aktakuzë dhe se vetëm po priste formimin e një gjykateje”, ka shkruar ai.
Duke iu referuar dokumentacionit të hetimeve, Greiçevci pretendon se ekipet mbrojtëse kanë parë materialet e lëna nga Williamson dhe se ato, sipas tij, nuk dëshmojnë trafikim organesh.
“Ai nuk kishte vërtetuar asgjë, aq më pak trafikim organesh. Aktakuza e tij fantome nuk u dorëzua as nuk u konfirmua asnjëherë”, ka deklaruar Greiçevci.
Ai ka përmendur edhe ish-prokurorin David Schwendiman, duke pretenduar se ky i fundit kishte refuzuar të vepronte mbi bazën e pretendimeve të Williamsonit.
Ndërkaq, për ish-prokurorin Jack Smith, Greiçevci ka thënë se “hartoi një aktakuzë krejt tjetër”. Në fund të reagimit, Greiçevci ka kërkuar që Williamson të japë llogari për veprimet e tij.
“Gënjeshtrat e Williamson u përdorën si grep për t’ia imponuar Kosovës një strukturë gjyqësore jashtë vendit, nën kërcënimin e formimit të saj nga OKB”, ka shkruar ai. /Telegrafi/

