Eko Higjiena

Gratë nga Turqia me prejardhje shqiptare vizitojnë Gjilanin

/ 3 minuta lexim

Gjilan -Rexhep- Gunduz me prejardhje nga Gjilani dhe kryetar i shoqatës “Kosova –Shkup” ka sjellur në Kosovë dhe në Gjilan një grup prej 40 grave nga qytete të ndryshme të Turqisë , të cilat kanë prejardhje shqiptare.

Një delegacion nga Bursa e Turqisë që kryesohet nga Rexhep Gunduz kryetar i shoqatës “Kosova – Shkup” po qëndron në Kosovë. Janë mbi 40 gra nga qytete të ndryshme të Turqisë që janë pjesë e delegacionit e të cilat kanë prejardhje shqiptare.

Në këtë delegacion sipas Rexhep Gunduz që është me prejardhje nga Livoqi i Gjilanit ka familje që 100 vite nuk i kanë vizituar të afërmit e tyre. “Unë jam munduar që këto familje t`i afrojë me Kosovën, me gjakun e të parëve të tyre. Të gjitha këto gra që janë pjesë e delegacionit kanë histori të ndryshme” tha Gunduz.

Këtë delegacion e ka takuar edhe Qemajl Mustafa dhe Veton Nevzadi . Mustafa ka bashkëbiseduar me to dhe u ka treguar lidhjet që kanë familjet gjilanase me ato në Turqi e sidomos në Bursa.

“Pa shqiptarët e Turqisë as që mund të paramendohet zhvillimi i diasporës. Ju na keni ndihmuar edhe gjatë luftës, keni ndihmuar dhe po ndihmoni në forma të ndryshme edhe tani” tha Mustafa.

Mobi Casa

Kreu i Gjilanit i ka inkurajuar këto gra nga Turqia që të vizitojnë më shpesh Kosovën dhe të parët e tyre. “Tashmë edhe vet ministri i punëve të jashtme të Turqisë tha hapur se Turqia ka pasur 28 kryeministra me prejardhje shqiptare. Dhe ky fakt pos që është domethënës tregon edhe fuqinë që ju keni në Turqi” tha Mustafa.

Rexhep Gunduz ndërkaq tha se shqiptarët në Turqi tashmë janë bërë një komunitet shumë i fuqishëm dhe i organizuar , por edhe i integruar në të gjitha institucionet shtetërore.

Bursa llogaritet se ka më së shumti shqiptarë nga të gjitha trevat shqiptare. “Shqiptarët në Bursa tashmë janë të organizuar dhe me fanatizëm po mundohen t`i ruajnë, kultivojnë dhe pasurojnë të gjitha adetet dhe traditat e kosovarëve”.

Gunduz thotë se shoqata që ai drejton ekskluzivisht u ndihmon shqiptarëve të Kosovës, Maqedonisë, por edhe të Shqipërisë. “Ne e kemi treguar vetën në kohën e luftës ku kemi ndihmuar me të gjitha mundësitë tona. Edhe populli turk ka dhënë gjak për ushtarët e UÇK-së dhe ky gjest i tyre e ka bërë edhe më të fort dhe më të organizuar pjesën shqiptare”.

Gunduz shprehet se shoqata “Kosova-Shkup” prioritet kryesor e ka kultivimin e traditave dhe odave shqiptare.”Asnjëherë nuk do të harrohen traditat e të parëve tanë. Familja ime flet shqip dhe kështu po ndodhë edhe nëpër dasma e gazmende” tha ai./rajonipress/