Eko Higjiena

Gratë në politikë, vendimmarrja në Kosovë gjatë viteve 2001-2017

/ 12 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Sabile Keçmezi-Basha – Çështja e gruas, pa marrë parasysh në ç’formë shtrohet, përbën një temë vazhdimisht aktuale në të gjitha kohët dhe në të gjitha shoqëritë. Por, ta analizosh angazhimin dhe përfshirjen e saj në jetën politike dhe vendimmarrëse në Kosovë, deshëm o s’deshëm ne, nëpërmes kësaj na del në shesh realiteti ynë i hidhur politik nëpër të cilën kaloi gruaja. Të jetosh në Ballkanin e trazuar dhe në Kosovën e robëruar siç ishte më parë, ishte absurde dhe alogjike që të mos përballesh edhe me angazhimin e gruas në jetën politike në përgjithësi.

Historikisht, gruaja shqiptare ishte pjesë e pandashme dhe përkrahëse e madhe e proceseve dhe luftërave për liri e pavarësi kombëtare. Do të filloja nga mbretëresha Teuta (230-228, p.e.s.) dhe do të ngjitesha shkallëve të historisë, ku gruan shqiptare e gjejmë aktive edhe në luftërat ballkanike, edhe gjatë Luftës së Parë e të Dytë Botërore, por ajo që vlen të theksohej, është periudha pas vitit 1945, kur Kosova pa dashjen e saj u aneksua nga Serbia dhe ish-Jugosllavia.

Gjatë kësaj periudhe, ajo, gruaja e jonë, ishte aktive si në jetën legale (sa e lejonin kushtet), por më tepër erdhi në shprehje në angazhimin e saj në veprimtarin ilegale, ku dha një kontribut tejet të madh. Ajo, fillimisht u angazhua dhe ishte anëtare e devotshme në ONDSH. Vlen të përmendim Marie Shllakun e cila nuk ishte nga Kosova, por së bashku me burrat luftoi dhe propagandoi bashkimin e të gjitha trojeve shqiptare në një shtet. Marie Shllaku vinte nga Shkodra, por luftën e bëri në Kosovë, u arrestua në Kosovë dhe Gjykata popullore e Prizrenit e dënoi me pushkatim, dhe u ekzekutua me 26 nëntor 1946.

Angazhimi dhe sakrifica e gruas në rrjedhat politike të kohës, dashtë e pa dashur na impononte të mendonim dhe të besonim se për të qenë e barabartë me burrin e për gjithçka tjetër që lidhet me këto probleme, duhet qenë e vetëdijshme se barazia e burrit me gruan nuk mund të jetë vetëm barazi brenda ndryshimit natyror, ose barazi në mundësit për të përparuar në nivelet shoqërore vendimmarrëse. Parimisht, gruaja është e aftë po aq sa burri, për të zënë një pozicion të caktuar të vendimmarrjes, e këtë e dëshmoi nëpër vite.

Sigurisht që nuk duhet hedhur poshtë në mënyrë arbitrare zhvillimet pozitive që patën gratë pas luftës së UÇK-së, në Kosovë. Dhe, pa hamendje do të thosha se, këtë pozitë që ka sot, ishte lufta permanente, që bënë ato, si për barazi gjinore, njëherë edhe për pavarësi të Kosovës. Pjesëmarrja e saj në radhët e UÇK-së, dëshmoi edhe njëherë se ajo është e zonja të udhëheqë dhe të vendos vetë për fatin e saj dhe të vendit.

Andaj edhe 30% i propozuar nga OSBE-ja për pjesëmarrjen e gruas në zgjedhjet lokale dhe kombëtare, nuk ishte i rastësishëm. Por, mendojë se kjo përqindje ngel si numër, poqese ajo nuk angazhohej në organet e vendimmarrjes, atëherë, edhe kjo përqindje do të jetë e kot. Por, nëse ajo angazhohet, vepron dhe jep maksimumin e vlerave të veta pozitive, atëherë, arsyetohet edhe pjesëmarrja e saj, dhe në të ardhmen, pse jo, edhe të synohet një kuotë edhe më e madhe, ta zëmë në 40% – 50%, se edhe ashtu, përbëjmë gjysmën e popullsisë, apo gjysmën e trurit kombëtar.

Sa për ilustrim, do e bëjë një prezantim të gruas në Parlamentin e Kosovës në legjislacionin e parë (2001-2004): Parlamenti i Kosovës kishte 120 deputet apo vende. Prej këtij numri të përgjithshëm çdo e treta ishte femër, realisht shikuar në parlamentin e Kosovës, vetëm 28,5% ishin femra, ose me numra konkret 34 vende zënin femrat. Struktura kualifikuese e tyre ishte sa vijon: 6 deputete kishin tituj doktorë shkence, disa nga ato ishin magjistra të shkencave, dhe pjesa dërmuese e tyre kishin shkollimin superior, çka do të thotë se në Parlamentin e Kosovës kishim gra të kualifikuara dhe eksperte për lami të ndryshme, që pa hezituar do të thosha se me përgjegjësin më të madhe do të kryenin çdo punë në çdo resor që do iu ofrohet atyre. Por, ç’ndodhi më vonë, me këtë përqindje mori fund edhe propozimi nga ana e OSBE-së, dhe mu këtu fillon edhe avazi i vjetër i anashkalimit të gruas në organet e vendimmarrjes.

Asnjëra nga partitë që participonin në parlament, flas për legjislacionin e parë, nuk propozoi për anëtare të Kryesisë së Parlamentit të Kosovës ndonjë deputete por, më vonë, nga ana e minoriteteve që kishin vendosur me rotacion të propozonin anëtarin e tyre të kryesisë, u propozua një grua. Asnjëra parti shqiptare nuk propozoi që kryetare të grupeve parlamentare të jetë një deputete. Nga të gjitha partitë shqiptare sa vepronin në atë kohë (26 sosh), vetëm njëra kishte për kryetare një grua, ndërsa për bartëse të listave zgjedhore të mos flasim fare. Kur flasim për këtë periudhë, mund të shtojë se, edhe pse ishte propozuar 30%, nga OSBE-ja, gruaja në kuvendet komunale u përfaqësua vetëm me 8%. Ndërsa, në tërë Kosovën, vetëm një grua ishte zgjedhur kryeshefe e ekzekutivit.

Në parlament, fillimisht vepronin 16 komisione parlamentare, e më vonë u shtuan edhe tri të tjera. Nga 16 komisionet e formuara vetëm 5 gra ishin kryetare të komisioneve. Megjithatë, mund të them se edhe kjo ishte një e arritur solide, kur kihet parasysh se ato ne i propozuam dhe i përkrahem.

Ndërsa, Qeveria e Kosovës ishte një kaptinë e veçantë, e cila bëri shumë pak (për të mos thënë hiq), për angazhimin e grave në dikasteret e saja. Në tërë Qeverinë e Kosovës, nuk u gjend as një grua që të caktohej ministre. Shtrohet pyetja, athua vallë nuk patëm asnjë grua të zonja që të kryente punët në ndonjë ministri? Do të shtoja edhe këtë, se në atë legjislacion, kishim aq gra të zonja e të afta që nuk hezitonin që të përballeshin me punët më të vështira në çdo lëmi.

Por, nga e tëra kjo që u tha më lartë, mund të konkludojmë se sa i përkiste numrit të grave në organet e vendimmarrjes, ishim ende larg nga ato që dëshironim dhe synonim. Në vitet e pas luftës, situata dukshëm ndryshoi dhe duhet të jemi të gjithë të vetëdijshëm se prania e grave në udhëheqje do të sillte shumëllojshmëri zgjedhjesh, natyrshmëri sjelljesh dhe më shumë demokraci në shoqërinë bashkëkohore.

Mobi Casa

Pjesëmarrja e grave në jetën politike, krijoi një mjedis më miqësor për përfaqësimin e tyre në nivelet tjera të vendimmarrjes, përfshirë nivelin lokal. Megjithëse kuota gjinore sfidohet, ajo ka çuar dukshëm në një shtim të deputeteve. Legjislacioni i dytë 2004/07, kishte 36 femra deputete, Legjislacioni i tretë 2007/10 – 37 gra deputete, Legjislacioni i katërt, 2010/14 – 40 gra deputetet, legjislacioni i pestë 2014/17 – 39 gra deputete.

Në një anketim të kryer disa vite më parë në 22 vende të botës nga ana e Institutit Amerikan të Paqes, në pyetjen: A do të ishte bota më e mirë nëse do ta drejtonin edhe grat? Të pyeturit e 21 vendeve burra e gra, janë përgjigjur: “Po, do të ishte më e mirë”. Pra, gratë për politik dhe qeverisje janë të prira për të ndjekur politika që nxisin shëndetin publik, arsimimin, fëmijët, familjen dhe moshën e tretë. Ato janë shumë të vëmendshme ndaj të drejtave të mëmësisë, të ligjeve për dhunën në familje në përgjithësi, e, në veçanti atë ndaj grave, të ligjeve të divorcit dhe të drejtave që gruaja duhet të ketë në këtë rast etj. Gratë, janë të lidhura me problemet që janë të lidhura drejtpërdrejt me jetën dhe me shoqërinë dhe me përmirësimin e tyre.

Kosova ka bërë hapa të rëndësishëm në rritjen e numrit të grave në udhëheqjen politik. Edhe pse numri i grave në pozicione drejtuese ekzekutive mbetet i ulët. Prania e grave me ndikim, në një pjesë të vogël të pozitave kyçe, është duke e ndryshuar qëndrimin publik në lidhje me gratë dhe është duke e krijuar momentin për rritjen e lidershipit të grave në të ardhmen. Zbatimi i legjislacionit për kuotën gjinore, ka hapur rrugë më të gjëra për pjesëmarrjen e grave në politikë si dhe i ndihmon gratë në tejkalimin e pengesave për pjesëmarrje në politikë. Për tre nga gjashtë vjet nga pavarësia e Kosovës, një grua ka qenë kryetare e shtetit. Disa gra ministre në qeveri kishin poste kyçe, edhe kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) është një grua. Në zgjedhjet lokale të 2013-s, për herë të parë një kryetare komune u zgjodh grua. Këto janë arritje të rëndësishme që duhet të njihen. Megjithatë, mbeten shumë role udhëheqëse dhe sektorë kyç në Kosovë ku gratë nuk janë të përfaqësuara, kështu që ende mbeten pengesa domethënëse për pjesëmarrjen e grave.

Vetëm për një moment do të ndalesha në disa të dhëna statistikore që na i ofrojnë statistikat botërore të vitit 1999, të cilat dëshmojnë se vetëm 3% të punëve të kabineteve ministrore të botës i kryenin gratë. Gratë ishin më pak se 5% në pozita më të larta të organizatave ndërkombëtare duke përfshirë edhe Kombet e Bashkuara dhe Bashkësinë Evropiane. Në vitin 1991, vetëm 7% gra, ishin kryeministre të shteteve në botë. Përfaqësimi i grave në qarkun më të lartë (shtetërore), të qeverive anë e këndë botës ishte më pakë se 10%. Gratë edhe kur janë në resorë të larta, ato kanë resorë të caktuara si: resorin e arsimit, të shëndetësisë, të mirëqenies sociale ngase, ato trajtohen si resorë të çështjeve të grave.

Parlamenti – Në zgjedhjet e fundit, 2014/17 vendin e deputetes zunë 39 veta, vetëm një grua ishte anëtare e kryesisë së parlamentit. Statistikat tregojnë se, në vitin 2013, vetëm 13 nga 37 pozita drejtoheshin nga gratë (përfshirë një pozitë të lartë drejtuese) ose 35.1%. Në vitin 2014 ishte shënuar rritje prej 6 pozitash të drejtuara nga gratë, megjithatë, kjo kishte shënuar një rritje prej vetëm 2.2%, përkatësisht 37.3%, për shkak se edhe pozitat e udhëhequra nga burrat ishin rritur në 32 nga 24 sa kishin qenë në vitin 2013. Në vitin 2015, përqindja e përfaqësimit të grave në vende udhëheqëse zbriti në 36.5%. Po ashtu ishin 6 kryesuese të komisioneve parlamentar nga 15 komisione parlamentare sa ekzistonin. Dy gra ishin kryetare të grupeve parlamentare sa janë gjithsej 8 grupe.

Qeveria – Përfaqësimi i grave në vitin 2016 në Qeveri si në ministri dhe në Zyrën e Kryeministrit përfaqësohen me 40.6%. Në anën tjetër, komunat e Kosovës kishin vetëm 28% gra, nga numri i përgjithshëm i të punësuarave në vitin 2015. Për më tepër, pozitat drejtuese si në Qeveri edhe në komuna vazhdojnë të dominohen nga meshkujt. Në vitet 2013-2014, gratë në qeveri përfaqësoheshin në pozita të larta vetëm 4.4%, por më 1915 përfaqësimi I grave u shtua në 10.1%. Në vitin 2013-2014, vetëm 12 komuna të Kosovës kishin një apo dy drejtore të drejtorateve. duke e përgjithësuar këtë numër në 14 ose vetëm 4.4% nga 301 pozita drejtorësh në tërë Kosovën. Më 2015, numri I komunave u shtua (19 sosh), që në poste drejtorësh kishin drejtore.

Sa i përket pozitave të larta drejtuese në qeveri, ato vazhdojnë të dominohen nga burrat. Gratë drejtuan vetëm 9.8% të numrit të përgjithshëm të këtyre pozitave në vitin 2013, përderisa në vitin 2014, kjo përqindje kishte rënë për 3.1%, pra, vetëm 6.7% të pozitave të larta drejtuese drejtoheshin nga gratë. Në vitin 2015, përqindja e grave në pozita të larta drejtuese në Qeveri ishte zvogëluar edhe më tej, duke e sjellë numrin në vetëm 5.2%, domethënë vetëm 3 pozita nga një numër i përgjithshëm prej 58.

Në qeverinë e Kosovës, më 2017, janë tri ministri që drejtohen nga gratë si: Ministrja e Drejtësisë; Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë; dhe Ministrja pa Portofol.
Presidenca – Sipas të dhënave të marra nga Presidenca për këshilltarët politik të presidentit, duket se barazia gjinore është respektuar gjatë viteve 2013-2015 (8 këshilltarë gjithsej – 4 burra dhe 4 gra). Por, më 2016, zvogëlohet numri i grave këshilltare politike për 1 vet dhe prishet bilanci i 50%.

Dhe krejt në fund do te thosha se, pozicioni i sotëm i gruas në politikë dhe në qeverisje, me thekës të posaçëm në Kosovë dhe në vende të tjera në përgjithësi, fundja është edhe pasqyrë reale e kushteve të caktuara të jetës e të veprimtarisë shoqërore. Rrjedhimisht, problemi i pranisë së gruas në strukturat dhe në procesin e vendimmarrjes shndërrohet në problem të krijimit të kushteve që do të bëjnë të mundur këtë përparim në statusin shoqëror të gruas shqiptare në përgjithësi.

5 qershor 2017
Mitrovicë