RCCOLA

Gratë e nivelit lokal takojnë deputetet e Kuvendit

/ 2 minuta lexim
Uji Dea

Gjilan -Grupi i Grave të Komunës së Gjilanit ka mbajtur takim pune me deputetet e Parlamentit të Kosovës Salihe Mustafa, Lirije Kajtazi si dhe me përfaqësuesen e NDI-së Afërdita Syla.

“Grupi i Grave të Komunës së Gjilanit shpreh gatishmëri të plotë për bashkëpunimin me Gratë Deputete që vijnë nga Gjilani si dhe vlerëson lartë angazhimin e NDI që po tregon interesim të ndihmojë Komunën tonë rreth çështjeve për të cilat ka nevojë”. Kështu ka thënë Shpresa Kurteshi, kryesuese e Grupit të Grave te Komunës se Gjilanit.

Shpresa Kurteshi, kryesuese e Grupit të Grave të Komunës se Gjilanit tha se qëllimi i takimit ka qenë shpalosja e projektit të përpiluar nga NDI,“Gratë për Buxhetin” , i cili synon të fuqizojë bashkëpunimin në mes të nivelit qendror dhe atij lokal, respektivisht të Grupit të Grave Deputete dhe Këshilltareve Komunale.

UBT

Në këtë projekt në mesin e pesë komunave të Kosovës është përzgjedhur edhe Komuna e Gjilanit tha Kurteshi.

Kurteshi tha se ky projekt do të ketë në fokus ngritjen e çështjeve për përmirësimin e gjendjes së gruas në Komunë, në fushën e ekonomisë, arsimit apo shëndetësisë.

Ajo tha se me identifikimin e çështjes me më prioritet, nga këshilltaret komunale, do të inicioj rekomandime për Grupin e Grave Deputete, të cilat do t’i marrin përsipër t’i shtyjnë këto rekomandime gjatë rishikimit të Buxhetit të Kosovës./rajonipress/