Mobi Casa

Grandi po shkon drejt ritenderimit

/ 3 minuta lexim
Mobi Casa

Anëtarët e Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit nuk kanë më nga t’ia mbajnë. Ata duhet të marrin një vendim lidhur me hotelin “Grand”.

Komisioni punues i formuar nga Bordi për rastet e ndërmarrjeve të privatizuara me metodën Spin-Off Special nuk ka marrë ndonjë dëshmi të re nga blerësit e hotelit që dëshmon se ata do të përmbushin zotimet e marra gjatë privatizimit të hotelit.

Ky komision nuk ka se çfarë t’i ofrojë Bordit në mbledhjen e kësaj jave, kur është lënë të merret vendimi për hotelin “Grand”. “Asnjë dëshmi shtesë nuk ka ardhur në AKP nga blerësit, që dëshmon se ata seriozisht do të përmbushin zotimet e tyre të dhëna gjatë privatizimit të hotelit Grand”, pohoi një zyrtar i AKP-së. Sipas tij, komisioni nuk do të ketë se çfarë t’i ofroi Bordit në mbledhjen e së enjtes. “Ka qenë e kotë shtyrja e moszbatimit të vendimit. Anëtarët e Bordit thjesht nuk po guxojnë të zbatojnë vendim për tërheqje të aksioneve, përndryshe blerësi nuk ka dëshmi të besueshme se do të përmbushë zotimet”, tha ky zyrtar i AKP-së.

Uji Dea

Tash pesë muaj Bordi i Drejtorëve të AKP-së, në mungesë të guximit dhe nën presion të politikës, ka shtyrë zbatimin e vendimit të mëparshëm për tërheqje të aksioneve. Në çdo mbledhje të mbajtur, anëtarët e Bordit, për t’i ikur zbatimit të vendimit, kanë marrë vendim që t’ia zgjasin afatin muaj për muaj Komisionit Punues të formuar nga Bordi për rastet e ndërmarrjeve të privatizuara me metodën Spin-Off Special.

Blerësi zyrtar i hotelit është Zelqif Berisha, i cili në fund ka pranuar se bashkëpronarë të hotelit janë edhe kompania “Mabetex” dhe “Eurokoha”. Këtë fakt ai nuk e kishte pranuar për gjashtë vjet, edhe pse kishte pranuar se 60 për qind e hotelit ishte paguar nga paratë e këtyre dy kompanive. “Mabetex” dhe “Eurokoha” kanë dhënë zotimin në AKP se do t’i përmbushin zotimet e dhëna për investime dhe punësim, por që asnjëherë nuk kanë ofruar asnjë dëshmi që garanton përmbushjen e zotimeve, shkruan Koha Ditore.

Fuqia politike e blerësve ka lëvizur gurët e Bordit të AKP-së, që tashmë kanë filluar të gjejnë mënyra që në fund t’ua kthejnë paratë blerësve dhe hotelin ta çojnë drejt ritenderimit. “Janë duke tentuar që të shpallin të pavlefshëm procesin e privatizimit të hotelit, dhe tua kthejnë paratë blerësve. Kanë angazhuar edhe avokat që të komentojnë rregullat e AKP-së dhe të shohin nëse mund ta shpallin antiligjorë procesin e privatizimit, pasi është zbuluar se blerësit janë marrë vesh paraprakisht në mënyrë të fshehtë”, tha një zyrtar i lartë i AKP-së. /Telegrafi/