Granatimet në Gjilan dhe vrasja e Zyhrije Pireves e Meleke Rashitit më 28 mars 1999
Gjilan – Gjilanasit nuk e harrojnë datën 28 mars 1999. Në këtë datë është vrarë Meleke Xhelal Rashiti derisa gjatë granatimeve që kanë ndodhur në qytet janë vrarë e plagosur disa persona. Kurrë mos i harroni krimet serbe.
Edhe në qytetin e Gjilanit ka pasur vrasje individuale nga ana e forcave ushtarake dhe paramilitare serbe. Vrasja e Meleke Xhelal Rashitit më 28 mars 1999 pati tronditur tërë qytetin.
Sipas deklaratës së babait të saj Xhelal Rashitit (1960) Melekja e moshës 15 vjeçare ( e mitur) është vrarë në mbrëmje diku rreth orës 21 e 45 minuta. “Vajza ime është qëlluar me pesë plumba në trup nga katër persona të uniformuar-paramilitarë. Ajo është goditur në anën e djathtë të abdomenit dhe krahut. Kam dëgjuar më vonë se në vrasjen e vajzës sime kanë marrë pjesë një serb i quajtur me emrin “Zara” dhe Nenadi”. Nga plagët e marra dhe nga mos kujdesi mjekësor për shkak se spitali kontrollohej nga ushtria dhe policia Meleke Rashiti pas tri orëve vdes në shtëpinë e saj për tu varrosur të nesërmen”.
Më datën 28 mars 1999 nga granatimi që është bërë nga forcat serbe të ndodhura-stacionuara në lagjen “Zabeli i Sahit Agës” në fshatin Malishevë e Epërme është vrarë Feride Bajram Muhalla ( 10.03.1940) dhe Hasije Rexhep Rexhepi ( 20.05.1948) që të dyja nga fshati Kmetovc.
Nga ky granatim është plagosur edhe Blerim Rexhepi, Ibrahim Halimi dhe Hidajete Hamdi Shaqiri ( 30.01.1981), e cila ka pësuar plagë vdekjeprurëse.
Më 28 mars 1999 në Gjilan nga një granatë e forcave serbe vritet Xhemajl Zenel Ymeri (20.06.1938) i lindur në Lladovë. Xhemajli sipas dëshmive është vrarë derisa po shihte nga ballkoni i shtëpisë bombardimet që po bënte NATO në caqet serbe. Serbët e rebeluar dhe në shenjë hakmarrje gjuajnë me granatë shtëpinë e Xhemajlit të cilin e mbyt në vend duke e dëmtuar edhe shtëpinë. Elnaim Ymeri djali i Xhemajl Ymerit thotë se ka qenë në shtëpi kur nga lagja “Zabeli i Sahit Agës” është granatuar shtëpia.
“Rreth 13 granata janë hedhur mbi shtëpinë tonë ku ishim të strehuar mbi 20 veta. Granata e ka goditur drejtpërdrejtë babain i cili në ato momente ndodhej në ballkon. Pas varrimit të prindit serbët kanë ardh dhe e kanë demoluar në tërësi shtëpinë” rrëfen Elnaimi.
Më 28 mars 1999 është vrarë në lagjen “Qener Qeshme”, Zyhrije Sherif Pireva e lindur më 13.08.1978.
Zyhrija sipas babait të saj Sherif Ymerit është vrarë gjatë granatimit që forcat serbe kanë bërë nga lagja “Zabeli i Sahit Agës”. Zyhrija pas goditjes me granatë ka jetuar edhe katër ditë të tjera dhe është operuar në spitalin e Gjilanit, ku ndërron jetë dhe varroset më 1 prill 1999.
Në këtë vrasje është plagosur edhe Fikrije Bislim Pireva e cila është plagosur nga granata e ushtrisë serbe në të njëjtën ditë.
Fikrija sipas Abdullah Pirevës (mixha) është plagosur në dy krahët. Derisa Abdullahu me një të afërm të tij e dërgojnë në spital Fikrijën, në qendër të qytetit ndalohen nga paramilitarët serb të cilët shtinë në drejtim të veturës në mënyrë të pakontrolluar.
Fekrija sërish është plagosur nga plumbat e paramilitarëve ku dërgohet në spitalin e Gjilanit dhe i jepet ndihma e parë ku sipas Abdullahut ka pasur shumë gjakderdhje( marrë nga libri “Vrasje dhe dëshmi”,(foto Zyhrije Pireva)./rajonipress/


