Grabovci: PDK-ja i ka numrat në Kuvend

Vetëm me PDK-në dhe minoritetet ka gjasë të zhvillohet takimi i thirrur për të enjten nga kryesuesja e seancës, Flora Brovina. Liderët e bllokut LDK-AAK-Nisma kanë ripërsëritur edhe një herë qëndrimin e tyre se ata nuk do të marrin pjesë në këtë takim të kryesueses që thonë se vetëm falë moshës është në atë pozitë.
Ftesës që ata do t’i përgjigjen është vetëm për seancë, e nëse gjatë javës nuk bëhet kjo thirrje, kërcënojnë sërish se do ta thërrasin ata. Blloku po e akuzon PDK-në se po i bllokon proceset për faktin se e dinë që nuk i kanë numrat në Kuvend.
Por, synimet e bllokut po i quajnë kundërkushtetuese, jodemokratike e joinstitucionale në PDK. Në takimin me strukturat e partisë që ka zhvilluar kreu i PDK-së, Hashim Thaçi, është thënë se Partia Demokratike e Kosovës në asnjë mënyrë nuk do të heqë dorë nga besimi që ka marrë për të qeverisur vendin, nëpërmjet zgjedhjeve të lira dhe demokratike.
E, deputeti i PDK-së, Adem Grabovci, është i sigurt se i kanë numrat në Kuvend, ndërsa nuk e ka përjashtuar mundësinë që nëse Blloku LDK-AAK-NISMA vepron njëjtë si në seancën e 17 korrikut, sërish t’i drejtohen kushtetueses, transmeton KTV, përcjell koha.net.
Ftesës së Brovinës nuk do t’i përgjigjet as Vetëvendosje, të cilët thonë se për takimin që po planifikohet kanë marrë vesh vetëm nga mediat.