RCCOLA

Gorani: Ligjëratat e agjentëve të UDB-së për moralin tregojnë për mjerimin tonë

/ 13 minuta lexim
Eco Higjiena

Dukagjin Gorani (PhD) nga Qendra Liberale Demokrate, në një intervistë për Gazetën Express, ka komentuar debatet e fundit për vrasjet politike të shqiptarëve në kohën e Jugosllavisë si dhe daljen në publik të disa agjentëve shqiptarë të UDB’së.

“Jemi të mjerë meqë e përjetuam ditën kur agjentët e UDB-së dalin në emisione televizive dhe na ligjërojnë mbi moralin politik, çështjen kombëtare dhe përgjegjësinë shoqërore” thotë Gorani.

“Mendoj se bëhet fjalë për ringjallje të luftës së vjetër mes ‘jugosllavëve’ dhe ‘anti-jugosllavëve’ shqiptarë në Kosovë, e që daton (së paku) ç’prej vitit 1945. Mirëpo, sot kjo shpërfaqet vetëm si farsë që synon që ta rrëzojë pushtetin aktual ose që ta ruajë atë—varësisht kah pozicionoheni” thekson Gorani.

Express: Përvjetori i vrasjes së vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zekës e riktheu temën e vrasjeve politike dhe rolin e shërbimeve sekrete të kohës së Jugosllavisë.Pasi drejtësia nuk e ka thënë fjalën e vet, debatet për këto tema vetëm se po e shtojnë konfuzionin.Cili është qëndrimi juaj për këto çështje?

D.Gorani: Mendoj se bëhet fjalë për ringjallje të luftës së vjetër mes ‘jugosllavëve’ dhe ‘anti-jugosllavëve’ shqiptarë në Kosovë, e që daton (së paku) ç’prej vitit 1945. Mirëpo, sot kjo shpërfaqet vetëm si farsë që synon që ta rrëzojë pushtetin aktual ose që ta ruajë atë—varësisht kah pozicionoheni. Kjo po shkakton klimë të neveritshme ngase motivet e hapjes së këtyre temave historike janë banale dhe të sotme. Pala e cila sot sulmon ‘spiunët jugosllavë’ vjen nga struktura ‘çlirimtare’ që sot mban pushtet real politik dhe ekonomik. Pala e ish-bashkëpunëtorëve dhe e ‘spiunëve jugosllavë’ sot ia mvesh vetes imazhin e viktimës dhe të zërit të arsyes(!) duke u munduar ta racionalizojë të kaluarën e vet dhe dëmin që ka shkaktuar gjatë regjimit policor ish-jugosllav.

Për mua, kjo farsë dëshmon një bankrot të plotë ideologjik e moral të shoqërisë sonë e cila nuk ia doli të zhvillohet. Sot, në sytë e gjeneratave të reja, edhe ‘atdhetarët’ edhe ‘spiunët’ e mbajnë një emërues të përbashkët: papërgjegjësinë ndaj shoqërisë. Pushteti i dikurshëm i ‘spiunëve’ (që erdhi pas partizanëve) ishte i pamëshirshëm ndaj shoqërisë së vet duke përjashtuar, burgosur dhe duke vrarë kundërshtarët politikë. Pushteti i ‘çlirimtarëve’ (që erdhi pas NATO-s) u tregua i pamëshirshëm duke zhvatur pasurinë publike, duke mundësuar mobilitet social përmes lojalitetit fisnor klanor dhe duke margjinalizuar e varfëruar kundërshtarët politikë. Në sytë e sotëm, që të dy këto pushtete u sollën njëjtë: përmbysën strukturën mëparshme të shoqërisë kosovare dhe e prodhuan një tjetër, ku u vendosën si elitë ekonomike e kulturore.

Të dy palët sot mundohen ta lajnë veten—e që është një punë e kotë. Asnjëra nuk ka fuqi për ta eliminuar tjetrën ngase të dyjat janë fajtore; secila në kohën e vet. Sot, lufta e tyre politike është farsë meqë përpiqet ta sigurojë të ardhmen duke e rishkruar të kaluarën.

Vrasja e vëllezërve Gërvalla ishte pikëllim i papërshkrueshëm në vitet ’80 për ata që i njohën dhe që ishin të afërt me ta. Për të tjerët, ishte e parëndësishme. Edhe sot është situatë e ngjashme: zbardhja e saj është me rëndësi vetëm për familjarët dhe për grupet që përmes saj synojnë avantazh moralo-politik mbi njëri-tjetrin. Për të tjerët, është e parëndësishme.

‘Kur thyhet qerrja, ke udhë sa të duash’. Sot, pasi u futëm në qorrsokak të plotë zhvillimor, ekonomik, ideologjik e moral, mendojmë se mund të shpëtojmë nëse e zbulojmë se kush ishte spiun e kush atdhetar. Janë këto dokrra ngase, po ta kishim seriozisht, këtë do ta bënim nëpër gjykata e prokurori. Mirëpo, meqë nuk kemi guxim dhe nuk i besojmë, këto tema ‘historike’ i shtjellojmë nëpër media e kafene.

Express: Në debat janë përfshirë edhe disa ish -pjesëtarë të shërbimit sekret krahinor të Kosovës, shqiptarë, të cilët pretendojnë se kanë të dhëna për shërbimet sekrete që kanë funksionuar në Kosovë që prej kohës kur ata kanë punuar aty deri në kohën e shërbimet e pasluftës në Kosovë? Sa janë kredibilë persona të tillë?

D. Gorani: Jemi të mjerë meqë e përjetuam ditën kur agjentët e UDB-së dalin në emisione televizive dhe na ligjërojnë mbi moralin politik, çështjen kombëtare dhe përgjegjësinë shoqërore. Gjatë viteve të luftës, nuk e mendoja se do ta përjetoja ndonjëherë këtë situatë. Nuk e di sa janë kredibilë, meqë nuk jam specialist i zanatit të tyre. Krejt çka mundem, është të insistoj që ata t’i flasin këto gjëra para prokurorëve—e jo para gazetarëve. Çështjet e tradhtisë kombëtare dhe të spiunimit publik nuk mund të mbeten në diskrecionin apo vullnetin e një individi për ta zbardhur ose jo. Në një shoqëri normale, ajo është obligim ligjor e jo punë dëshire. Mirëpo, ne nuk jemi shoqëri normale, andaj këto dëshmi spektakulare të ish agjentëve të UDB-së janë bërë punë për media e jo raste për gjykata. Nuk dëgjova se dikush ka vendosur t’i padisë ata dhe t’i detyrojë që pohimet e tyre t’i argumentojnë para prokurorit. Si shoqëri, nuk mendoj se do ta bëjmë ndonjëherë këtë meqë moti e dëshmuam se për ne, e vërteta është e rëndësishme vetëm kur na konvenon.

E vërteta mbi spiunët dhe tradhtarët nuk na ka interesuar fare më 1990,kur të gjithë shqiptarët e Kosovës u futën në një ‘thes atdhetar’ nga frika dhe kërcënimi i Milosheviqit. Atëherë nuk çanim kokën se kush çfarë kishte bërë deri atëherë. Atëbotë, lëvizja dhe partitë politike përbëheshin nga atdhetarë, ish-jugosllavë, ish-të burgosur politikë, ish-prokurorë, ish-policë, ish-agjentë të UDB, profesorë e shkrimtarë. Të gjithë pohonin se e kishin ‘rigjetur veten’ dhe se ishin përbashkuar rreth flamurit—sikur pas ndonjë seance të hipnozës masive. Atëbotë, ishte kjo një farsë e neveritshme. Sot, po ashtu.

Fundamenti

Në Kosovë bëhet fjalë për bankrot të plotë shoqërisë, meqë sot po e kuptojmë se ne paskemi jetuar së bashku meqë kishim qenë të detyruar—e jo sepse kemi vlera dhe qëllime të përbashkëta. Po dëshmojmë se jemi grumbull egoistësh që ka obsesion vetëm përfitimin personal. Natyrisht, për egoizëm nuk shkoni në burg. Mirëpo, as nuk mund të pritni që të ketë mirëkuptim për juve. Në shoqëri egoiste, të gjithë janë të kërcënuar. Gjatë viteve, ky ‘egoizëm kolektiv’ (!?)na mundësoi të prodhojmë situata të pamundshme, kur atdhetarët pajtoheshin me spiunët, kur viktima themelonte parti me dhunuesin, kur i burgosuri protestonte bashkë me prokurorin. Sot, po ky egoizëm dhe po ky obsesion kolektiv, i përfitimit personal përmes çfarëdo kompromisi, i rrënoi të gjitha arritjet me të cilat vlerësohet një shoqëri: drejtësinë, sigurinë, arsimin, shëndetësinë dhe shprehjen publike. Numri i atyre që sot përpiqen të jenë të përgjegjshëm është tmerrësisht i vogël—aq sa është i vogël numri i studentëve që po protestojnë kundër profesorëve që falsifikuan punime e tituj vetëm për të përfituar pak status e para.

Andaj, sot çdokush është dhe nuk është kredibil. Sot, një atdhetar i dikurshëm është shembull i hajnisë dhe i pafytyrësisë kurse një ish-agjent i UDB-së na mban ders moral në ‘Rubikon’. E përjetova edhe këtë.

Express: Mendoni se kjo situatë e ‘bankrotit’ shoqëror mund ta vendosë një shenjë barazimi mes pushteteve të dikurshme dhe të atyre të sotme?

D.Gorani: Nuk ishte dashur të katandisemi në këtë pikë, mirëpo ja që u katandisëm. Si kurrë më herët, sot mund të vendoset shenjë barazimi mes dhunës së ish-pushtetit jugosllav dhe papërgjegjësisë së sotme institucionale, qeveritare dhe publike. Këtu argumentet nuk kryejnë punë, meqë çdo gjenerate i dhemb situata e vet e jo situatat e atyre që pësuan më herët. Sot, urrejtja ndaj papërgjegjësisë së pushtetit është aq e madhe saqë po i shtynë njerëzit që t’i arsyetojnë edhe agjentët e UDB-së. Insistoj që këtë debat të pështirë mes ‘atdhetarëve’ dhe ‘spiunëve’ ta shoh vetëm përmes këtij këndvështrimi—si pasojë e një rrënimi të përgjithshëm shoqëror.Shoqëria jonë nuk qe në gjendje që formalisht dhe institucionalisht t’i dënojë krimet e kryera në kohën e regjimit jugosllav. Kuvendi i Kosovës me gjithë atdhetarët e tij kurrë nuk pranoi ta hartojë dhe ta pranojë një ligj të tillë. Kësisoj, krimet politike të periudhës jugosllave mbetën çështje interpretimi: për dikë janë krime, për dikë jo. Kam frikë se po të mos ishin tribunalet ndërkombëtare, e njëjta do të vlente për krimet e luftës: për dikë ishin krime, për dikë jo.

Ne dëshmuam se si shoqëri nuk jemi në gjendje të gjykojmë parimisht për shkak të intereseve personale, grupore, klanore e partiake. Nuk deshtëm që ta marrim guximin e t’i gjykojmë as krimet e luftës, as ato të paraluftës e as ato të pasluftës. U dëshmua se ne merremi me drejtësi vetëm kur detyrohemi ndërkombëtarisht. E, tribunalet ndërkombëtare nuk janë të interesuara për t’i dënuar spiunët lokalë dhe bashkëpunëtorët e regjimit jugosllav. Andaj, rrëfimet dhe tregimet e sotme të ish-agjentëve të UDB-së janë çështje interpretimi.

Express: A mendoni se prapa përleshjes së sotme të ‘jugosllavëve’ dhe ‘atdhetarëve’ fshehet një luftë klasësh dhe shtresash ideologjike—të fituesve dhe të humbësve të pasluftës?

D.Gorani: Edhe nëse në vitet e para të pasluftës kjo nuk ishte e vërtetë, sot është. Sot, një shtresë e madhe shoqërore e ndjen veten të margjinalizuar dhe të përjashtuar nga proceset vitale zhvillimore. Po ashtu, ajo ndjehet e privuar edhe nga arsenali ideologjik, ngase pushtetet e pasluftës dhe ky i sotëm e rrëmbyen diskursin atdhetar, heroik dhe moral. Sot, papërgjegjësia publike zhvillohet në emër të flamurit, luftës çlirimtare dhe sakrificës. Pushteti aktual dominon me fuqi ekonomike, institucionale dhe morale. Çfarë i mbetet të bëjë shtresës së përjashtuar—atyre që nuk janë pjesëtarë të familjeve, klaneve, qarqeve dhe partive të pushtetit? Çka i mbetet atyre si koncept, si narrativ ideologjik, rreth të cilit do ta rimendonin një identitet personal e grupor? Si të ballafaqohen dhe t’i kundërvihen një kaste e cila shfaqet si pronare e historisë ‘heroike’?

Një pjese të tyre s’i mbetet tjetër përpos prodhimit të një historie paralele dhe alternative e cila do t’i kontestonte themelet e dominimit të sotëm moral. Ngjashëm me historinë e ekzagjeruar ‘çlirimtare’, ata përpiqen ta zhvillojnë përmbajtjen e historisë së tyre që konsiston nga vlerat ‘e qytetëruara’ nga periudha jugosllave. Sërish, këtu nuk bëjnë punë argumentet meqë bëhet fjalë për mobilizim ideologjik e jo për hulumtim shkencor.

Në disa nivele të komunikimit publik vërehet se ky mobilizim ideologjik po shkon drejt thjeshtësimeve sociokulturore, ku ‘çlirimtarët’ janë ‘katundarë’ dhe ku ‘jugosllavët’ janë ‘qytetarë’. Ky konfrontim simbolik është shpërthim i një mosdurimi të thellë dhe të vjetër; ai është paralel dhe reciprok. Mbi të gjitha, ai bazohet në ‘të vërteta’ të thjeshtësuara andaj edhe insiston në tifozëri ideologjike: ose je me të, ose je kundër. Asnjëri nga taborret nuk merr guxim për t’u ballafaquar me të ardhmen, por atë e kupton vetëm si rezultat i luftës për të kaluarën. Kësisoj, në këtë rrafsh ideologjik të dy taborret vazhdojnë të jetojnë në të kaluarën, duke e disenjuar atë sipas qejfit dhe përkatësisë klasore. Tekefundit, historia s’është tjetër pos grumbull intepretimesh të bëra nga pushtetet e kohës—mirëpo ajo që neve na bën të veçantë është pamundësia jonë qoftë për ta mposhtur njëri-tjetrin, qoftë për të krijuar një narrativ të përbashkët, një histori me të cilën do të pajtoheshim të gjithë. Këtë nuk e bëmë as më 1990, kur krekoseshim se ‘i gjithë populli u bashkua’ për një çështje dhe një flamur. Edhe atëherë, sikurse edhe sot, ai ‘pajtimi i madh’ ishte produkt i një egoizmi tradicional i shtyrë nga dëshira për pushtet në realitetin e ri të ‘rezistencës popullore’.

Vullneti për ta krijuar një pajtim që do ta mundësonte zhvillimin është më i rëndësishëm se e vërteta historike. Përgjithësisht, historitë e popujve e të qytetërimeve janë konstrukte sociale të trilluara ose pas luftave ose pas kompromiseve. Ato histori nuk janë domosdoshmërisht të vërteta, por janë vegël për ndërtimin e mirëkuptimit në shoqëri.

Mirëpo, është pikërisht mungesa e vendosmërisë sonë popullore për ta prodhuar një tregim të përbashkët për veten ajo që është brengosëse—meqë është duke e përzgjatur agoninë tonë ideore e morale. Derisa të mos pajtohemi për të kaluarën tonë, nuk mund të quhemi shoqëri—e as komb. Vullneti për t’u pajtuar dhe mirëkuptimi janë ndërlidhja dhe ‘ngjitësja’ e domosdoshme për bashkëjetesë.

Ose, nuk mbetet tjetër pos luftës deri në ‘armikun e fundit’. Këtu, më duhet të them se, historikisht, nuk ishim në gjendje ta bëjmë as njërën e as tjetrën. Sot, vazhdojmë të jetojmë brenda një lufte të padukshme qytetare ku sundon vetëm mosbesimi dhe urrejtja ndaj tjetrit. Është ky terren ideal për ideologë egoistë, ministra zhvatës, profesorë mashtrues—e qebesa, dhe për agjentë të moralshëm të UDB-së.