KKVITI

Goditje e rëndë për Kosovën, kjo është njolla e zezë që po shkatërron të ardhmen e saj

/ 3 minuta lexim
Fundamenti

Njohës të fushës së sundimit të ligjit, vazhdojnë ta shohin me shqetësim të madh se si akoma edhe pas 20 vitesh në liri, Kosova po vazhdon të jetë një njollë të zezë nga korrupsioni dhe krimi i organizuar.

Sipas analistëve, fajtorët kryesorë për këtë gjendje janë politikanët, ngase vetëm përmes tyre është instaluar krimi i organizuar dhe korrupsioni në të gjitha nivelet e institucioneve.

Profesori universitar, Blerim Burjani thotë se për të dalë nga kjo gjendje, zgjidhja më e mirë do të ishte ngritja e vetëdijes qytetare për rezistencë ndaj krimit dhe korrupsionit të instaluar nga politika, duke kundërshtuar edhe politikën por edhe institucionet e krijuara nga kjo politikë e që janë të lidhur ma mafien kriminale.

“Mendoj që duhet ti rezistohet kësaj klase politike të korruptuar dhe të kriminalizuar, të mos dorëzohemi, duhet të ndodhë vetëdijesimi i qytetareve dhe të mos i lënë fëmijët e tyre ta lëshojnë shtetin kështu si po veprohet tani për shkak të mungesës së perspektivës dhe krimit e korrupsionit që po e ngufatë jetën tonë. Ne si shoqëri duhet të jemi më të organizuar dhe më të përkushtuar që të punojmë seriozisht për ndryshime. E ndryshimet vijnë shpejtë nëse ne jemi më të vetëdijshëm dhe unik që me votën tonë ta heqim nga pushteti këtë klasë politike sepse koha është për ndryshime rrënjësore, për një brez të ri politik që e qeverisë vendin”, tha Burjani për “Kosova Sot Online”.

Mobi Casa

Sipas Burjanit, populli i Kosovës e ka dëshmuar patriotizmin dhe guximin në kohët më të vështira të luftës.

“Edhe në këtë të fundit por tani një patriotizëm akoma më i madh duhet të dëshmohet duke e pastruar tërësisht këtë skenë politike, me distancim nga këta që për 20 vite e nxinë jetën e qytetarit dhe e zhvatën shtetin. Patriotizmi më i madh është nëse sot arrijmë për ta ndryshuar skenën politike dhe të krijojmë perspektivë për të rinjtë për të arritur një zhvillim ekonomik dhe një arsim cilësor të standardeve evropiane”, tha Burjani për “Kosova Sot Online”.

Ndryshe, ai ka vlerësuar se në këto 20 vite në liri ka pasur vetëm fjalë e mashtrime nga politika, kurse krimi e korrupsioni vetëm janë përforcuar në bazat e tyre kriminale që janë partitë politike.
“Tani është koha për një zgjim demokratik. Qytetarët duhet të bëhen bashkë për ndryshimin demokratik përmes votës, ta votojnë një gjeneratë të re dhe njerëz të rinj që nuk janë pjesë e kësaj skene politike që e solli shtetin këtu ku jemi sot. Na duhet frymëzim i ri politik me inspirim për të ardhmen sepse Kosova mundë të ecën përpara vetëm duke e mundur dëshpërimin e krijuar për 20 vjetët e kaluar, duke i dhënë shansin brezit të ri me ofertën serioze të një triumfi për zhvillim ekonomik dhe për distancim nga klasa politike e inkriminuar”, përfundoi Burjani për Kosova Sot Online”.