UBT

GND vendos për dhënien fund të mbikëqyrjes së pavarësisë

/ 3 minuta lexim
Mobi Casa

Në takimin e Grupit Ndërkombëtar Drejtues(GND) në Vjenë është vendosur për dhënien fund të mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës, ka njoftuar Zyra e Kryeministrit të Kosovës.

“Konsideroj se bashkërisht të gjithë, kemi bërë një punë të shkëlqyeshme, e cila e ka bërë Kosovën në shtet të respektuar në rajon dhe me gjerë. Unë e di se ende kemi punë për të bërë. Ne duhet të forcojmë sundimin e ligjit dhe të rrisim mirëbesimin e qytetarëve tanë. Ne duhet të rrisim nivelin e bashkëpunimit ekonomik. Ne duhet të realizojmë potencialin tonë të plotë të decentralizimit dhe të sigurojmë qytetarët tanë se qeveria e tyre është përgjegjëse për nevojat e tyre.

Për më tepër, ne duhet të forcojmë lidhjet ndërmjet grupeve etnike në Kosovë dhe të bëjmë tolerancën dhe respektin për kulturën e njëri tjetrit pjesë përbërëse të jetës së shtetit tonë. Në bashkëpunim me Zyrën Ndërkombëtare Civile ne kemi krijuar strukturat për përballjen me këto sfida dhe unë zotohem se jemi të përkushtuar që t’a bëjmë Kosovën një rrëfim suksesi dhe shembull i zhvillimit, paqes dhe stabilitetit”, theksoi kryeministri Hashim Thaçi në takimin me Grupin Ndërkombëtar Drejtues (GND).

Sot vendimi për fundin e mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës

Grupi Drejtues Ndërkombëtar për Kosovën takohet sot në Vjenë, derisa përfaqësues të shteteve të këtij grupi, kanë bërë me dije, se në këtë takim do të merret vendimi për t’i dhënë fund mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës.

Në takim merr pjesë dhe kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili gjithashtu, në javën e kaluar ka thënë se pret një vlerësim pozitiv për arritjet në Kosovë si dhe dhënien e datës për fundin e mbikëqyrjes së pavarësisë.

UBT

Institucionet kosovare presin që kjo të ndodhë në muajin shtator.

Ndërkohë, ministri i Jashtëm i Austrisë, Mihael Shpindeleger, ka thënë se Kosova së shpejti do të jetë shtet me pavarësi të plotë, pasi të hënën në Vjenë komuniteti ndërkombëtar është i gatshëm të vendosë për përfundimin e mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës”.

“Kjo është shenjë e qartë e mirëbesimit që është vendosur në Kosovë”, tha ai dhe shtoi se Kosova “tash është mjaft e pjekur për të qëndruar në këmbet e veta dhe për të marrë përgjegjësi të plotë për të ardhmen e të gjithë shtetasve të saj”.

Ky hap formalisht do të ndërmerret nga Grupi Drejtues Ndërkombëtar, i cili e ka mbikëqyrur pavarësinë e Kosovës dhe përbëhet nga 23 vende evropiane, Shtetet e Bashkuara dhe Turqia.

Megjithatë, Bashkimi Evropian e vazhdon praninë e tij në Kosovë me misionin EULEX për polici dhe sundim të ligjit, ndërsa janë të pranishme edhe forcat paqeruajtëse të KFOR-it, që udhëhiqet nga NATO-ja.