RCCOLA

Gjyshja: Qamilja ka gisht në zhdukjen e Bleonës

/ 4 minuta lexim
Mobi Casa

Kukës – Katër ditë pas arrestimit të 20-vjeçarit Begzim Isa nga fshati Orgjost i Kukësit, i cili akuzohet për trafikim të të miturve, i vetmi detaj që jep policia lidhur me ecurinë e kërkimeve është se hetimet janë shtrirë edhe përtej kufirit, në Kosovë.

Burime të sigurta nga Policia e Kukësit deklarojnë se hetimet janë shtrirë në Kosovë, jo vetëm për faktin se fshati Orgjost dhe fshati Dragash i Kosovës janë shumë afër, por edhe për faktin se i riu ka studiuar në një shkollë të mesme për mjekësi në Prizren.

Arrestimi i tij erdhi pas denoncimit që burri i tezes, Avni Ferati bëri në policinë e Kukësit për rrëmbimin për të disatën herë të të birit 7-vjeçar nga ana e Isës.

Ndonëse sipas policisë i riu ka qenë i dyshuar më herët dhe telefoni i tij ka qenë në përgjim prej disa kohësh. Policia dyshon se 20-vjeçari Isa ka lidhje edhe me zhdukjen 3 vjet më parë të Bleona Matës nga fshati Zapod i Kukësit.

Lidhur me zhdukjen e Bleonës, gjyshja e saj Saide Mata, pas arrestimit të Begzim Isës, ka deklaruar se ai është i ngjashëm me personin që ka parë në fshat ditën e humbjes së mbesës. Në një intervistë për “Gazetën Shqiptare”, Saide Mata vijon t’i qëndrojë idesë se Begzim Isa ka lidhje me zhdukjen e Bleonës, atëherë 6-vjeçare.

Zonja Saide, ju keni deklaruar se Begzim Isa i ngjan shumë personit që keni parë ju në Zapod, ditën e zhdukjes së mbesës suaj Bleonës. Mund ta rikujtoni atë person?
Unë kam thënë që atëherë se kam parë me sytë e mi një djalë të ri dhe jo shumë të gjatë. I dobët dhe i veshur me një xhup të zi. Mbante diçka të fshehur nën xhup. Sot më kujtohet që në momentin kur e pashë për një çast hodhi kapuçin në kokë në mënyrë që të mos njihej. Për mua ishte i panjohur, për shkak se nuk ishte i fshatit tonë. Ai është ngjitur në malin Pikëllim menjëherë pasi iku Qamilja. Më bëri përshtypje në fillim, por thashë me vete mos është ndonjë shok i vajzave dhe e kalova lehtë. Por pas ditës që humbi Bleona, unë kujtova këtë situatë që e kam parë me sytë e mi. Jam e vjetër, por kam mend dhe sy.

Mobi Casa

Tek cilët persona dyshoni për zhdukjen e Bleonës?

Unë dhe të gjithë ne dyshojmë tek pesë vajzat dhe së pari tek Qamilja. Ajo e mori vajzën nga banesa, i bleu çokollata dhe e çoi në mal. Kujt ia dha? Unë këtë nuk e di, por ajo po, di të vërtetën, ndoshta ka frikë nga dikush? Ndoshta i është betuar dikujt që të mos tregojë për vdekje? Është gënjyer nga dikush për ndonjë shumë parash? Unë këtë s’mund ta zbuloj, por policia mund ta bëjë dhe duhet ta kishte bërë.

Ju reaguat si familje pas arrestimit të Begzimit? Pse e bëtë lidhjen e këtij të riu me rastin e Bleonës?

Sepse Qamilja, vajza që më mori mbesën, ka lidhje gjaku, janë kushërinj të dytë me Begzimin. Edhe fakti tjetër është se Begzimi u arrestua se rrëmbeu një tjetër fëmijë të katundit të vet, por në të njëjtën zonë dhe gati në një moshë. Edhe ne përderisa nuk e kemi të gjetur ende Lonën (kështu e thërrisnim ne) dyshuam fort dhe mendojmë që ka lidhje. Nëse nuk e ka bërë vetë, ka dijeni sepse policia dhe shteti nuk të arreston kot.

Pas tri vitesh është rikthyer kjo çështje, a mendoni se do zbardhet e vërteta?

Kam besim dhe shpresojmë. I lutem Zotit dhe Policisë së Shtetit të mos heqin dorë nga hetimi për gjetjen e Bleonës ose të paktën të mësojmë të vërtetën se s’do më kalbë toka.(BalkanWeb)