Gjyqtarët dhe prokurorët e ndikuar nga politika po e shkatërrojnë shtetin

Hallkat e sistemit të drejtësisë në vend vazhdojnë të jenë në thumb të analistëve dhe njohësve të fushës së drejtësisë për mospunë dhe nënshtrim ndaj krimit dhe korrupsionit.

“Nuk do të ketë progres dhe zhvillim, e as integrim të brendshëm politik e demokratik të Kosovës dhe integrim evropian pa ndërtuar një sistem të drejtë dhe funksional ligjor. Kjo arrihet vetëm po qe se shoqëria kosovare proteston dhe e detyron politikën në Kosovë për miratimin dhe për zbatimin e një reforme rrënjësore në sistemin e drejtësisë, ku mundësisht të pastrohet sistemi prej gjithë kësaj klike, prej të gjithë këtyre gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar, të kriminalizuar”, thotë për gazetën “Kosova Sot” analisti Skënder Kapiti

Hallkat e sistemit të drejtësisë në vend vazhdojnë të jenë në thumb të analistëve dhe njohësve të fushës së drejtësisë për mospunë dhe nënshtrim ndaj krimit dhe korrupsionit.

Ata akuzojnë prokurorët dhe gjyqtarët në Kosovë se janë nën ndikimin e plotë nga politika dhe krimi dhe me këtë po kontribuojnë në shkatërrimin e shtetit të Kosovës, duke mos lejuar kështu që në këtë shtet të ketë sundim të mirëfilltë të ligjit. Për më keq, sipas analistëve, prokurorët dhe gjyqtarët nuk po i përfillin as vërejtjet e ambasadorit amerikan, por edhe ambasadorëve të tjerë të vendeve mike të Kosovës, shtete të cilat kanë investuar e kontribuar shumë për sistemin e drejtësisë, duke bërë kështu që të injorojnë faktin se përparimi në sistemin e sundimit të ligjit do ta përkufizojë suksesin e këtij vendit, por po ashtu njëkohësisht injorojnë edhe faktin se gati dy milionë qytetarë të vendit llogarisin në ta, për ta kthyer sundimin e ligjit në vend.

KAPITI: INJORANCA KA KAPUR PUSHTETIN

Analisti Skënder Kapiti ka thënë për “Kosova Sot” se ajo e cila e prish shtetin, e korrupton dhe degradon shoqërinë, e infekton moralin dhe e humb shpresën e një kombi për nga më e mira është padrejtësia e ngritur dhe e montuar në sistem. Sipas tij, autorësia e kësaj e ka emrin politikë krah së cilës janë gjyqtarët dhe prokurorët e këtij sistemi të kriminalizuar nga hajnia, korrupsioni e krimi. Sipas Kapitit, rolin kryesor të kësaj zallamahie ku ka degraduar drejtësia në Kosovë e luan dhe vjen prej injorancës, e cila ka kapur politikën, pushtetin, shtetin, akademinë, drejtësinë dhe të gjitha institucionet.”Prej injorancës burojnë egoizmi negativ dhe urrejtja kundër kompetencës, diturisë dhe kundër patriotizmit. Injoranca e armatosur me pushtet, me para dhe me autoritet është shumëfish më shpirtlig dhe më e papërgjegjshme dhe si e tillë u shkakton trauma dhe tragjedi shtetit dhe shoqërisë”, ka pohuar Kapiti për gazetën “Kosova Sot”. Ai ka hetuar se injoranca dhe egoizmi negativ nuk mund të ndërtojnë shtet human me moralitet dhe dinjitet. “Injoranca dhe korrupsioni ndërtojnë shtet të paditur, prej tyre keqfunksionon shteti dhe ngrihet e ndërtohet shteti antihuman dhe i të padrejtës, i korrupsionit dhe i moszhvillimit. Nuk do të ketë progres dhe zhvillim dhe as integrim të brendshëm politik e demokratik të Kosovës dhe as integrim evropian pa ndërtuar një sistem të drejtë dhe funksional ligjor”, ka theksuar Kapiti. Sipas tij, kjo arrihet vetëm po qe se shoqëria kosovare proteston dhe e detyron politikën në Kosovë për miratimin dhe për zbatimin e një reforme rrënjësore në sistemin e drejtësisë, ku mundësisht të pastrohet sistemi prej të gjithë kësaj klike, prej të gjithë këtyre gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar, të kriminalizuar, injorantë, të paaftë dhe shërbëtorë verbalë të politikës dhe të korrupsionit të saj.

MIFTARI:POLITIKA ME KRYEPOLITIKANËT DHE KRYEPUSHTETARËT JANË VETË TË KORRUPTUAR!

Analisti Naim Miftari, njohës i fushës së drejtësisë, ka thënë në një prononcim për “Kosova Sot” se problemi i mospunës së prokurorëve dhe gjyqtarëve tanë dhe mospërfillja e sugjerimeve dhe vërejtjeve të ambasadorit amerikan, atij britanik dhe gjerman, të cilët thërrasin që ligji të veprojë ndaj krimit të organizuar, korrupsionit dhe tregtisë me qenie njerëzore, është për keqardhje.”Por, gjitha këto raporte e sugjerime hasin në vesh të shurdhër, pasi pikërisht politika me kryepolitikanët dhe kryepushtetarët janë vetë të korruptuar, pastaj nuk është sekret se si prokuroria, sikurse gjyqësia, janë vetëm instrumente të krimit të organizuar dhe edhe po të duan nuk kanë guxim t’ua prishin rehatinë politikanëve të korruptuar, por as rehatinë e tyre”, ka thënë Miftari, duke shtuar se shteti i kapur nga politikanët e korruptuar nuk çan fort kokën se çfarë thonë raportet negative dhe çka thonë ambasadorët e shteteve mike kur i kritikojnë me të drejtë shtetin dhe organet e drejtësisë së shtetit për moszbatim të ligjit kudër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Me vendosjen e sundimit anarkik në vend të atij demokratik, kjo klasë politike ka bërë dhe po bën dëme të konsiderueshme për shtetin, por edhe dëmtimin e pasurive publike. Anarkia dhe kapja e shtetit dhe sundimit me pasuritë publike ka sjellë një sistem të kalbur kriminal që nuk ndalet kurrë, po qe se nuk dënohen dhe ndëshkohen njerëzit e tillë nga organet e drejtësisë. Organet e drejtësisë nuk funksionojnë fare në drejtim të arrestimit dhe ndëshkimit të personave që thonë se merren me politikë, të cilët lidhje nuk kanë me politikë, por me hajni të pandalshme”, është shprehur eksperti i fushës së sundimit të ligjit, Blerim Burjani, për gazetën “Kosova Sot”

Kapja e shtetit po i shkatërron asetet publike

Në një prononcim për “Kosova Sot”, eksperti i fushës së sundimit të ligjit, Blerim Burjani, ka thënë për gazetën “Kosova Sot” se me vendosjen e sundimit anarkik në vend të atij demokratik kjo klasë politike ka bërë dhe po bën dëme të konsiderueshme për shtetin, por edhe dëmtimin e pasurive publike. Ai ka thënë se anarkia dhe kapja e shtetit dhe sundimit me pasuritë publike ka sjellë një sistem të kalbur kriminal, që nuk ndalet kurrë, po qe se nuk dënohen dhe ndëshkohen njerëz të tillë nga organet e drejtësisë. Sipas tij, organet e drejtësisë nuk funksionojnë fare në drejtim të arrestimit dhe ndëshkimit të personave që thonë se merren me politikë, të cilët lidhje nuk kanë me politikë, por me hajni të pandalshme. “Pa ndryshim qeverisës nuk ka fare dalje nga hajnia, uzurpimi dhe zhvatja, por vetëm keqpërdorim të pandalshëm të pozitës zyrtare nga kjo klasë analfabetike. Hajnia ka bërë që të bankrotojë shumë shpejt PTK-në, në të cilën kanë dërguar analfabetë për qëllime të veta në atë ndërmarrje”, ka pohuar Burjani për gazetën “Kosova Sot”.

(Kosova Sot)

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS

Vërejtje!

RajoniPress.com nuk do të botojë shkrime që nuk i përmbushin kriteret dhe standardet profesionale të gazetarisë bashkëkohore. Nuk do të ketë për askënd mbyllje apo censurë, por jemi të fokusuar që në këtë agjenci, lajmi, shkrimi, raporti, intervista dhe opinioni të plotësojnë kriteret profesionale. Gjithashtu opinionet, analizat, komentet, nuk duhet të shkelin parimet etike (gjuhën e urrejtjes, fyerjet, diskriminimet e çfarëdoshme).