Gjykohet zvicerani për vrasjen e kosovarit

Ai, në dhjetor 2010 kishte shtënë me armë kur persona të panjohur për të kishin hyrë në oborrin e tij për të vjedhur kanabisNë një gjykatë të Bernës ka filluar gjykimi i bujkut 50 vjeçar zviceran Alfred E. për vrasjen e një kosovari 32 vjeç, të kryer në dhjetor të vitit 2010.
Zvicerani, të cilin akuza e ngarkon për vrasje me paramendim, kishte shtënë me armë kur persona të panjohur për të kishin hyrë në oborrin e tij, sipas tij, për të vjedhur kanabis, të cilin ai e kultivonte legalisht në pronën e tij.
Tre personat që kishin hyrë në pasurinë e Alfred E., ishin befasuar nga ky i fundit, i cili i kishte sulmuar me armë. Nga hetimet e bëra lidhur me rastin është konstatuar se bujku kishte shtënë nga largësia prej 25 metrash, duke qëlluar njërin nga hajnat, në përpjekjen e tij për të ikur.
Sipas arsyetimit të Alfred E., kjo ka qenë hera e 37 që i ishte sulmuar pasuria.
Në seancën e sotme, ka folur e veja e kosovarit të vrarë. Ajo ka thënë se vrasja e bashkëshortit ka qenë një tronditje e madhe për të dhe shumë e vështirë për tu pranuar. Ajo po ashtu ka thënë se ishte tronditur shumë kur kishte dëgjuar se ai ishte vrarë në pasurinë e dikujt ku kishte shkuar për të vjedhur. Sipas saj, i ndjeri kohëve të fundit ka qenë i papunë dhe ajo nuk ka ditur se ku rrinte ai jashtë shtëpisë, shkruan blick.ch.
Gjykimi vazhdon.
E veja nuk i ka njohur as shokët me të cilët bashkëshorti i saj kishte tentuar vjedhjen. Njërin prej tyre e kishte parë për herë të parë në varrimin e të shoqit, në Kosovë.(albinfo)