Mobi Casa

Gjykimi ndaj Gëzim Vitisë shtyhet për muajin tetor

/ 5 minuta lexim

Gjilan –Gjykimi në rastin e Gëzim Vitisë është shtyrë për datat 5-8 tetor. Ariana Kqiku nëna e Egzonit ka kërkuar që i dyshuari Vitia të ballafaqohet me të gjithë dëshmitarët.

Në Gjykatën e Qarkut në Gjilan të hënën ka filluar rigjykimi në rastin e Gëzim Vitisë. I njëjti është shtyrë për muajin tetor në mungesë të dëshmitarëve kryesor.

Gjykata Supreme e Kosovës kishte vendosur që rastin e Gëzim Vitisë ta kthejë në rigjykim me arsyetimin se dispozitivi i aktgjykimit është i mangët dhe i paqartë dhe si i tillë juridikisht është i paqëndrueshëm.

Në seancën e parë kanë qenë prezentë edhe i akuzuari edhe familjarët e viktimës. Ky gjykim po udhëhiqet nga Vllastimir Dimiq.

Ndërkaq në mungesë të dëshmitarë kryesor gjykimi është shtyrë për datat 5-8 tetor. Ariana Kqiku nëna e Egzon Kqikut-viktimës ka kërkuar nga trupi gjykues që të dëgjohen të gjithë dëshmitarët kryesor.”Unë dua përgjigje të saktë nga Gëzim Vitia dhe të gjithë ata që kanë marrë pjesë në mbytjen me thikë të djalit tim” është shprehur Ariana.

Ndryshe familjarët e Egzon Kqikut i mbytur me thikë më 15 shkurt 2010 janë tronditur me vendimin e Gjykatës Supreme të Kosovës, por edhe më shumë me atë Gjykatës së Qarkut në Gjilan e cila i ka ndërprerë paraburgimin Gëzim Vitisë.

Vendimi i Gjykatës Supreme të Kosovës që ta kthejë në rigjykim rastin e Gëzim Vitisë i akuzuar për shtytje në vrasje dhe vrasje në tentativë ka tronditur familjarët e të riut 16 vjeçar Egzon Kqiku i cili me thikë u mbyt më 15 shkurt 2010.

Gjykata Supreme e Kosovës kishte vendosur që rastin e Gëzim Vitisë ta kthejë në rigjykim me arsyetimin se dispozitivi i aktgjykimit është i mangët dhe i paqartë dhe si i tillë juridikisht është i paqëndrueshëm. Gjykata Supreme e Kosovës ndërkaq ka vlerësuar se të akuzuarit duhet t`i vazhdohet paraburgimi .

Gjykata e Qarkut në Gjilan të pandehurit Gëzim Vitia i ka ndërprerë paraburgimin, duke i zëvendësuar me një masë tjetër alternative -lajmërim në Stacionin Policor çdo të mërkure ora 11.00, masë e cila vazhdon ende.

UBT

Prokuroria Publike e Qarkut në Gjilan lidhur me ndërprerjen e paraburgimit ka paraqitur ankesë , mirëpo Gjykata Supreme e Kosovës ankesën e ka refuzuar si të pabazuar dhe e ka lënë në fuqi Aktvendimin e Gjykatës së Qarkut në Gjilan për ndërprerjen e paraburgimit dhe zëvendësimin e tij me masën lajmërim në Stacionin Policor thuhet në njoftimin zyrtar që rajonipressit i ka dërguar Gjykata e Qarkut në Gjilan.

Duke parë vendimin e Gjykatës së Qarkut si të gabuar i menjëhershëm ka qenë reagimi i prokurorit publik të Qarkut Agron Uka. Uka ka bërë një ankesë zyrtare ku ka sqaruar të gjitha rrethanat e këtij rasti dhe ka kërkuar që Gjykata ta anulojë këtë vendim.

Prokuroria e Qarkut ka kërkuar që t`i vazhdohet paraburgimi Gëzim Vitisë sepse ekziston rreziku që i njëjti të ikë jashtë Kosovës. Prokuroria në ankesë ka vlerësuar se rasti i Gëzim Vitisë ka qenë tronditës për opinionin gjilanas sepse ka pasur skena tmerruese që kanë të bëjnë më një vepër të ndjeshme.

Ndryshe Gjykata e Qarkut në Gjilan në nëntor të vitit 2011 kishte shpallur aktgjykimin ndaj të dyshuarit kryesor Gëzim Vitia i akuzuar për shtytje në vrasje dhe vrasje në tentativë.

Kryetari i trupit gjykues Vllastimir Dimiq duke shpallur aktgjykimin patë thënë se Gëzim Vitia dënohet dhe shpallet fajtor me gjashtë vite burgim për shkak se janë vërtetuar provat se ai ishte nxitës dhe organizator në rastin kur i janë shkaktuar plagë vdekjeprurëse të riut Egzon Kqiku i cili vdiq më 15 shkurt të vitit 2010.

Dënimi erdhi pasi gjykata ka dëgjuar katër dëshmitar të mitur të cilët kanë vërtetuar se organizator dhe prijës i grupit që shkaktoi vdekjen e Egon Kqikut ka qenë pikërisht Gëzim Vitia.

Vitia akuzohej se më 15 shkurt 2010 me dashje dhe me veprime ka shtytë personat tjerë që të kryejnë vepër penale ku pas një mosmarrëveshjeje në mes të dy grupeve të rinjsh nga plagët e marra me thikë ka vdekur i riu Egzon Kqiku i moshës 16 vjeçare.

Dëshmitarët kishin thënë se Vitia ka nxitur të miturit për t`i shkaktuar lëndime tani të ndjerit. Ndryshe, Gjykata e Qarkut kishte dënuar dhe shpallur fajtor më herët katër të mitur që dyshohet se kanë marrë pjesë në therjen me thikë të riut 16 vjeçar Egzon Kqiku .Gjykata i kishte shqiptuar pesë vite burgim të akuzuarit B.I. kurse me nga dy vite burgim i ka dënuar J.SH., M.A. dhe E.SH./rajonipress/