Gjykime në burg, për shkaqe sigurie

Jo gjithherë gjykimet mbahen në sallat e gjykatave. Ka raste kur disa prej tyre mbahen edhe nëpër ambientet e burgjeve. Një i tillë po mbahet së fundi edhe ndaj Enver Sekiraçës, i cili së bashku me dy tjerë akuzohet për sulm ndaj personave zyrtarë. Gjykimet në burgje mbahen në raste kur konsiderohet se mbajtja jashtë lokaleve të burgut mund të shkaktojë incidente. Në këtë rast rasti “Sekiraça” është konsideruar i tillë.
Prandaj është vendosur të mos mbahet në Gjykatën Themelorë në Prishtinë, por në njërën nga sallat e burgut të Dubravës. Këto raste, sipas Shemsi Hajrizit, ushtrues detyre i drejtorit të Shërbimit Korrektues të Kosovës, nuk sjellin telashe për autoritetet e burgut pasi janë sallat e veçanta për këto gjykime.
Hajrizi thotë se aktualisht në burg është duke u mbajtur vetëm gjykimi ndaj Sekiraçës dhe dy të tjerëve.
“Mbajtja e gjykimeve nëpër burgje bëhet për disa nga rastet specifike. Ne kemi momentalisht vetëm një rast duke u mbajtur dhe nuk na shkakton asnjë pengesë”, thotë Hajrizi për Tribunën.
Sipas tij, nëse rasti do të kishte më shumë të akuzuar apo edhe më shumë dëshmitarë, ndoshta do të kishte probleme më shumë sa i përket hapësirës, sesa për çështje tjera…(Tribuna).