UBT

Gjykim që provokon dhe destabilizon rajonin

/ 3 minuta lexim
Mobi Casa

Bujanoc- Lëvizja e Progresit Demokratik, me hidhërim dhe indinjatë të thellë, e ka pritur lajmin e vendimit të Gjykatës Supreme të Serbisë, me të cilën u dënuan me 116 vjet burg, 11 shqiptarë të pafajshëm të “Grupit të Gjilanit”, për kinse krime lufte kundër njerëzimit.

LPD-ja, dënimet e tilla makabër i vlerëson të inskenuara dhe të motivuara politikisht nga një pushtet ultranacionalist, i cili nuk kursen mjete e metoda për destabilizimin e situatës politike dhe të sigurisë në rajonin e Luginës së Preshevës.

Njëmbëdhjetë pjesëtarë të të ashtuquajturit “Grupi i Gjilanit”, janë dënuar nga Gjykata Supreme e Beograd, me 116 vjet burg për kinse krimeve ndaj serbëve dhe popullsisë joshqiptare në vitin 1999. Ky është edhe një akt antiqytetërues i diskriminimit sistematik të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, e posaçërisht ndaj ish pjesëtarëve të UÇPMB-së.

Këto provokime ekstreme të Beogradit, vihen në shërbim të destabilizimit dhe ngritjes së tensioneve, në këtë rajon, pikërisht në kohën kur flitet për nisjen e bisedimeve midis Prishtinës dhe Beogradit, thuhet mes tjerash në reagimin e LPD-së.

LPD-ja, solidarizohet me pafajësinë e të dënuarve dhe familjarët e tyre, duke kërkuar nga faktorët relevantë politik shqiptarë dhe faktorët ndërkombëtarë, që të reagojnë, fuqishëm ndaj një gjykimi me motive të ulëta politike, si në kohën e ish regjimit të Millosheviqit.

RCCOLA

Po i njëjti gjyqësor serb, jo më larg se pesë muaj, gjatë kohës së fushatës zgjedhore të 6 majit, bastisi dhe burgosi një grup shqiptarësh për terrorizëm nga Komuna e Bujanocit, për t’ia ngritur rejtingun kryetarit të Partisë Socialiste të Ivica Daçiqit, tani kryeministër dhe ministër i punëve të brendshme, pastaj i liroi në mungesë të provave dhe dëshmive.

Edhe gjykimi i “Grupit të Gjilanit”, nga Gjykata Supreme e Serbisë, po bëhet në shenjë revanshizmi, pikërisht, pas mbylljes së pavarësisë së mbikëqyrur të Kosovës dhe në prag të shënimit të 100 vjetorit të shtetit shqiptar.

LPD-ja, kërkon nga NATO, BE, instalimin e një force të re mbrojtëse ndërkombëtare në rajonin e Luginës së Preshevës, për parandalimin e incidenteve të mundshme, pas këtyre provokimeve që bënë pushteti aktual serbe, ndaj shqiptarëve të pambrojtur të Luginës së Preshevës.

Lëvizja e Progresit Demokratik, apelon te bashkësia ndërkombëtare dhe ODBE-ja, të ushtrojnë trysni te Beogradi, për lirimin e pa kusht të shqiptarëve të pafajshëm, nga se gjyqësori serb nuk disponon me argumente për dënimin e tyre me shumë vjet burgim, thuhet në reagimin e LPD-së, të nënshkruar nga kryetari i saj Jonuz Musliu./rajonipress/