Fundamenti

Gjykatat të kenë standarde unike rreth konfliktit të interesit

/ 5 minuta lexim
Uji Dea

Gjilan – Instituti për Studime Ekonomike, Politike dhe Juridike në Gjilan ka organizuar një debat të shtunën ku panelistët e saj Flamur Hyseni , Burim Haliti e Nijazi Idrizi kanë folur për kornizën ligjore të konfliktit të interesit për zyrtarët e lartë publik në Republikën e Kosovës. Flamur Hyseni tha se gjyqtarët tanë duhet të trajnohen në këtë fushë sepse nuk po kanë njohuri të mjaftueshme në këtë fushë.

“Gjykatat kosovare duhet të jenë unike në marrjen e vendimeve që kanë të bëjnë me konfliktet e interesit publik në shkallë vendi”. Kështu është konstatuar në një debat të organizuar nga Instituti për Studime politike dhe juridike në Gjilan (ISPE).

Panelistët Flamur Hyseni, Burim Haliti dhe deputeti Nijazi Idrizi kanë folur me shembuj konkret për raste të shumta ku konflikti i interesit nuk respektohet ose nuk zbatohet drejtë në praktikë.

Flamur Hyseni profesor universitar tha se me kohë kanë dhënë një rekomandim që të ndryshohet nocioni i konfliktit të interesit, por ky rekomandim i tyre nuk është futur në ligj, andaj edhe ligji ka të meta dhe devijime. Hyseni ka përmendur dy raste të konfliktit të interesit të lartë publik. Ai si shembuj ka marrë rastin e Qemajl Mustafës dhe të Ejup Qerimit.

Për të parin tha se është vepruar drejtë meqë ka edhe një vendim të Gjykatës kurse për të dytin tha se gjykata nuk ka dhënë vendim të qartësuar. Hyseni duke parë këta dy shembuj të kundërt ka thënë se është i domosdoshëm trajnimi i gjyqtarëve, meqë gjykatat tona nuk kanë njohuri të bollshme në fushën e konfliktit të interesit.

Hyseni tha se është mirë që gjyqtarët tanë të trajnohen sepse në praktikë po ndodhin devijime të shumta nga ana e gjyqtarëve. Si rekomandim kryesor nga ky debat doli konstatimi i Flamur Hysenit se gjykatat kosovare duhet të kenë standarde unike në rastet e konfliktit të interesit.

Burim Haliti ndërkaq më tepër ka dhënë raste konkrete të konfliktit të interesit brenda institucioneve të larta shtetërore duke përmendur institucionet e rëndësishme publike që bien ndesh me konfliktin e interesit.

Rekomandimet e ISPE

Të ndryshohet përkufizimi i nocionit “konflikt i interesit”

Propozimi sipas modelit të OECD-ës:

Konflikti i interesave është konflikt në mes detyrës publike dhe interesit privat të personit zyrtar, në të cilin personi zyrtar ka interes privat që ndikon apo mund të ndikoj në kryerjen e detyrimeve dhe autorizimeve të tij zyrtare.

Personi zyrtar gjatë kryerjes së detyrave të tij gjithmonë duhet të veprojë në shërbim të interesit publik, duke i përjashtuar plotësisht interesat veta private, duke i respektuar parimet e ligjshmërisë, efikasitetit, besueshmërisë, pavarësisë, sovranitetit, ndershmërisë dhe të profesionalizmit.

Të harmonizohet neni 16 me frymën e neneve 2, 5 dhe 6 të ligjit për parandalimin e konfliktit të interesit.

RCCOLA

Të harmonizohet ligji për parandalimin e konfliktit të interesit me ligjet tjera ndërlidhëse nga fusha ku eventualisht mund të ekzistojë konflikti i interesit.

Të organizohen trajnime për gjyqtarë të gjykatave kundërvajtëse në komunat e Republikës së Kosovës nga organet kompetente lidhur me njohuritë elementare dhe detale për natyrën e konfliktit të interesit.

Mediet të luajnë një rol konstruktiv lidhur me trajtimin e rasteve për konflikt interesi qoft nga ana e Agjencisë Kundër Korrupsionit, qoftë edhe nga Gjykatat.

Të mos përdoret “parandalimi i konfliktit të interesit” si mjet për të etiketuar figurat publike.

Të ruhet reputacioni publik i figurave publike me rastin e trajtimit të rasteve për konflikt interesi.

Të merren në shqyrtim praktikat e vendeve të rajonit dhe praktikat më të mira të vendeve të BE-së lidhur me trajtimin e rasteve të konfliktit të interesit.

Zbatimi i ligjit për konfliktin e interesit nga ana e Agjencisë Kundër Korrupsionit të ndodhë atëherë kur kemi paraqitje të rasteve, kur kemi veprim nga zyrtari.

Zbatimi dhe interpretimi i ligjit për parandalimin e konfliktit të interesit të zbatohet dhe interpretohet duke ju shmangur supozimeve të mundshme se kinse mund të ketë konflikt interesi.

Të krijohet praktikë e mirë e trajtimit të rasteve për konflikt interesi nga ana e Agjencisë kundër Korrupsionit duke ju shmangur selektimit të rasteve të cilat deri tani po ndërlidhën me pozitën e individëve në shoqërinë tonë, ku po ndahen në të “fort” me përkrahje dhe në të “dobët” ekspert e pa përkrahje.

Të themelohet një institucion i veçante që merret enkas me çështjen e konfliktit te interesit si në nivelin lokal poashtu edhe në atë qendror.

Të nxjerrën akte nënligjore nga ky institucion të cilat duhet ta plotësojnë ligjin në mënyrë që kjo fushë të rregullohet në detaje.

Të angazhohen profesionistë (juristë dhe ekonomistë) në udhëheqjen e detyrave që kanë të bëjnë me konfliktin e interesit dhe

Ligji për parandalimin e konfliktit të interesit të zyrtarëve të lartë publik duhet të ndryshohet, plotësohet dhe amendamentohet. /rajonipress/