Gjykata Supreme e Kosovës përmirëson gabimet e Gjykatës së Gjilanit

Gjilan – Gjykata Supreme e Kosovës duke u bazuar në ankesën e prokurorisë së Qarkut në Gjilan dhe avokatit të palës së dëmtuar e ka rritur dënimin për Azem Hysenin, nga 8 në 13 vite burgim,derisa Flamur Dalipin dhe Besim Pajazitin i ka dënuar me nga 1 vit burgim.
Gjykata Supreme e Kosovës e kryesuar nga Avdi Dinaj, duke u bazuar në ankesën e Prokurorisë së Qarkut në Gjilan dhe avokatit të palës së dëmtuar, ka vendosur për një rast të vrasjes të ndodhur në vitin 2009. Në fakt aktgjykimi i shkallës së për në Gjilan që e bënte përgjegjës për vrasjen e Sabit Gagicës të akuzuarin Azem Hysenin e kishte dënuar me 8 vite burgim,kishte ngjallur reagime tek gjilanasit.
Gjykata Supreme e Kosovës sipas aktgjykimit të saj ka gjetur se shkalla e parë(Gjykata e Qarkut në Gjilan) kishte dhënë dënim të ulët dhe nga provat e shtjelluara ka vërejtur se ankesa e prokurorit dhe avokatit të palës së dëmtuar Shemsedin Piraj është e bazuar,kurse ankesa e avokatit të Azem Hysenit është hedhur poshtë si e pabazuar. Gjykata Supreme e Kosovës ka konstatuar se nuk qëndron fakti se Azem Hyseni e ka kryer vrasjen në mbrojtje të nevojshme apo në gjendje të afektit mendor.
“Me të drejtë vlerësohet se dënimi i shqiptuar ndaj të akuzuarve në rastin konkret është i butë” ka vlerësuar Gjykata Supreme e Kosovës ,e cila e ka ndryshuar aktgjykimin e shkallës së parë duke i rritur dënimin dhe dënuar tani Azem Hysenin me 13 vite burgim dhe dy të akuzuarit tjerë Flamur Dalipi dhe Besim Pajaziti me nga një vit burgim.
Ndryshe Gjykata e Qarkut në Gjilan pas shumë seancave dhe provave të shtjelluara e kishte shpallur aktgjykimin ndaj Azem Hysenit, Flamur Dalipit, dhe Besim Pajazitit të akuzuar për vrasjen e Sabit Gagicës të ndodhur në dhjetor të vitit 2009.
Kryetari i trupit gjykues Rasim Rasimi në shpalljen e aktgjykimit (2010), kishte thënë se Azem Hyseni është fajtor sepse në dhjetor të vitit 2009 në lokalin “Muzikë Bar”e ka privuar nga jeta Sabit Gagicën ,duke e goditur disa herë me thikë ku i shkakton plagë vdekjeprurëse.
Azem Hyseni kishte marrë një dënim prej 8 vitesh burgim, kurse Flamur Dalipi dhe Besim Pajaziti si pjesëmarrës të rrahjes kanë marrë nga pesë i pari dhe katër muaj burgim i dyti.
Vendimi i atëhershëm i trupit gjykues kishte shokuar palën e dëmtuar,avokatin mbrojtës dhe përfaqësuesin e Prokurorisë. Jetish Maloku kryeprokuror i Qarkut pati thënë se janë të pakënaqur me dënimin tepër të ulët. “Ne do të shkojmë në procedurë të rregullt përmes ankesës ku kemi shfaqur pakënaqësitë dhe vërejtjet tona rreth dënimit shumë të ulët” patë vlerësuar Maloku.
Por, më i revoltuari nga ky aktgjykim ishte ndarë Bajram Gagica prindi i viktimës Sabit Gagica. Bajrami ka deklaruar se me vendimin e trupit gjykues ka përjetuar për së dyti vdekjen e djalit. “Vërtet jam i shokuar dhe i befasuar me këtë dënim. Është një dënim qesharak, skandaloz dhe tepër i ulët”. Vendimi i Gjykatës Supreme të Kosovës e ka zbutur shpirtërisht tani Bajram Gagicën, i cili me kohë kishte bërë ankesë në të gjitha instancat juridike dhe gjyqësore./rajonipress/