Gjykata Supreme e Kosovës e kthen në rigjykim rastin e Qemajl Behlulit

Gjilan – Qemajl Behluli është dënuar me 15 vite burgim për shkak të vrasjes së Sylejman Musliut dhe plagosjes së Arben Musliut më 26 shkurt 2010.

Gjykata Supreme e Kosovës e kryesuar nga kryetarja e trupit gjykues Nesrin Lushta e ka kthyer në rigjykim rastin e Qemajl Behlulit nga Pograxha e Gjilanit i dënuar nga Gjykata e Qarkut në Gjilan me 15 vite burgim në korrik të këtij viti (2011) për shkak se më 26 shkurt 2010 me dashje dhe me armë të zjarrtë ka privuar nga jeta të ndjerin Sylejman Musliu dhe ka plagosur rëndë Arben Musliun tek vendi i quajtur “ara në rekë”.

Në arsyetimin e aktvendimit të Gjykatës Supreme thuhet se “ka ngelur kontestues fakti se kush ka qenë i sulmuar i pari,i akuzuari apo i ndjeri dhe i dëmtuari dhe se a ka vepruar i akuzuari në mbrojtje të nevojshme siç pretendohet në ankesë”.

Gjykata Supreme e Kosovës ka dhënë vërejtje të shumta ndaj vendimit të shkallës së parë dhe ka kërkuar nga ajo që të marrë seriozisht vërejtjet duke ftuar edhe njëherë ekspertin e balistikës,dhe tek pastaj të marrë një vendim të drejtë dhe të ligjshëm.

Ndryshe në aktgjykimin e shkallës së parë të kryesuar nga kryetari i trupit gjykues Vllastimir Dimiq është thënë se Qemajl Behluli është gjetur fajtor sepse në datën kritike për shkak të marrëdhënieve të këqija ka privuar nga jeta Sylejman Musliun si dhe ka plagosur djalin e tij Arben Musliun.

Kurse Agron Uka prokuror i Qarkut dhe përfaqësues i aktakuzës ka përmendur elementin objektiv i cili është manifestuar me shkaktimin e vuajtjeve dhe dhimbjeve të mëdha viktimës kurse ai subjektiv, vetëdija ,dëshira si dhe pëlqimi i kryesit,që viktimës t`i shkaktojë dhimbje dhe vuajtje sa më të mëdha.

Vet, Qemajl Behluli në mbrojtjen e tij ka thënë se veprën penale e ka kryer nën rrethanat e mbrojtjes së nevojshme. Derisa dëshmitari Arben Musliu ka thënë se ishim të sulmuar nga Qemajl Behluli, mbrojtja e të akuzuarit avokati Nijazi Hoxha ka thënë se klienti i tij ishte i sulmuar dhe me kohë i kishte paralajmëruar babë e birë që të largohen pasiqë me vete kishte revole.

Mbrojtja ka shfrytëzuar ekspertizën mjeko- ligjore të Arsim Gërxhaliut sipas të cilës vdekja e Sylejman Musliut nuk ka qenë e dhunshme apo mizore siç ka pretenduar prokurori. Qemajl Behluli ka thënë në mbrojtjen e tij se nga i ndjeri Sylejman Musliu ishte sulmuar me sëpatë dhe ai e kishte sharë dhe ofenduar familjen dhe moralin.

Kurse dëshmitari dhe i dëmtuari Arben Musliu ka thënë se kanë qenë duke ngarkuar dru në traktor, derisa kuptoj se pati dy të shtëna në drejtim të tij dhe dy apo tri të shtëna tjera në drejtim të babait të tij.

Qemajl Behluli është akuzuar dhe dënuar për veprën penale “vrasje e rëndë”, por avokati tjetër i angazhuar i tij Shemsedin Piraj pas shpalljes së aktgjykimit ka bërë ankesë në Gjykatën Supreme të Kosovës. Piraj pasi ka analizuar aktgjykimin ka vërejtur se ka pasur shkelje esenciale të aktgjykimit dhe ka pasur shkelje ligjore në dëm të akuzuarit Qemajl Behluli.”Konsideroj se gjendja faktike nuk është vërtetuar në mënyrë të drejtë dhe të plotë sepse ka prova që dëshmojnë të kundërtën e që nuk janë vlerësuar në mënyrë të drejtë” ka thënë Piraj në ankesën e tij drejtuar Gjykatës Supreme të Kosovës ku kërkon që rasti të kthehet në rigjykim.”Gjykata Supreme e Kosovës ka mundësi që këto lëshime dhe të meta t`i mënjanojë dhe përmirësojë”tha Piraj.

Pas vendimit të fundit të Gjykatës Supreme të Kosovës ,rigjykimi ndaj Qemajl Behlulit pritet të fillojë më 29 dhe 30 maj./rajonipress/

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS