Gjykata Speciale të mandatohet me hetimin e vrasjeve ndërmjet shqiptarëve
Nga Ismet Hajdari – Vrasjet e personaliteteve të shquara shqiptare, që kanë ndodhur para, gjatë dhe pas luftës, janë kthyer në barrën që vite me radhë dhe nga qetësia po e vret ndërgjegjen e Kosovës. Dhe mezi durohet. Shteti i Kosovës nuk do të bëjë një sy gjumë të rehatshëm për sa kohë nuk identifikohen dhe dënohen ekzekutorët dhe urdhërdhënësit e këtyre vrasjeve. Gjykata Speciale, që pritet të themelohet në këtë vit, sipas të gjitha gjasave, është shans i fundit për të hedhur dritë mbi këto krime të rënda lufte dhe paqe. Dhe për t’i siguruar përgjigjen pyetjes: “Përse?”
Tri rikujtime
1. Pas një dite të rëndë në zonat e luftës, isha duke darkuar në një mbrëmje të ftohtë nëntori 1998 me dy gazetarë të huaj në një restorant të vockël në rrugën që nga “Tre Sheshirat” çon drejt bulevardit të sotëm “Bill Clinton”, kur në celular me erdhi thirrja nga Enver Maloku. “E kam një lajm të madh. UÇK-ja e ka themeluar radiostacionin e vet. Quhet Kosova e Lirë,” më tha.
“A mundem me të përmend ty si burim,” e pyeta, pasi i mora nga ai shënimet e nevojshme. Me duhej një konfirmim i tillë jo vetëm për shkak të standardit profesional, por edhe pasi Enveri ishe në krahun që atëherë quhej paqësor, ndërsa lajmi kishte të bënte me krahun tjetër, atë të luftës. “Natyrisht”, m’u përgjigj.
Lajmi për vendimin e gueriljes shqiptare që të themelojnë radiostacionin e vet në fushëbetejë u plasua brenda gjysmë ore në rrjetet kryesore informative botërore dhe e rikujtoj këtu si një nga shembujt e shumtë për propagandimin e luftës së UÇK-së në botë, që e bënin Enveri dhe QIK-u.
2. “Komshi, dua të bëjë hidroizolimin e kulmit, sepse gjatë reshjeve uji depërton në banesën e babait. Më duhet nënshkrimi juaj, sikurse edhe i të gjithë banorëve të tjerë në këtë hyrje”, më tha Rexhep Luci diku në verë të vitit 1998, duke premtuar se banorët e ndërtesës numër 1-B në rrugën “Hajdar Dushi” në Prishtinë nuk do të kenë asnjë problem dhe asnjë shqetësim nga puna në shtrirjen e izolimit.
Një sjellje korrekte prej komshiut të qytetëruar dhe profesionistit të mrekullueshëm më rikthehet shpesh në mendje tek sa po e shikoj sesi qyteti im i lindjes, i studimeve, i dashurisë më të madhe dhe sot qyteti i fëmijëve të mi, ditën dhe natën, ilegalisht dhe legalisht, me hatër apo me dhunë, është duke u shndërruar për 15 vjet me radhë në qytetin përbindësh për kulturën urbane.
3. “Njerëzit po ankohen shumë për shkak të mungesës së rrymës. Madje, thonë se kurrë nuk e kanë pritur një gjë të tillë në liri”, i thashë në një bisedë telefonike Xhemajl Mustafës. Bisedën e bëmë në një mbrëmje të vonë gjatë dimrit të parë pas Çlirimit, të cilën Kosova e kalonte e mbërthyer në terr dhe acar.
“E kuptoj këtë hidhërim. Por, edhe ky është çmimi të cilin na duhet ta paguajmë për të fituar paqen, sikur atë që e paguam në luftë për të fituar lirinë,” m’u përgjigj ai.
Bisedën e zhvilluam përderisa unë isha në Pragën e ndriçuar në mënyrë më madhështore, që një kulturë e vjetër evropiane mundi ta bënte pas çlirimit të saj nga okupatorët rusë, ndërsa ai ishte në Prishtinën e zhytur në terr. Por kjo nuk i pengonte aspak të reflektojë një model urtësie prej intelektuali autentik. Dhe ta paguajë “çmimin” më të lartë për ta “fituar paqen”.
2015
Enveri, Rexhepi dhe Xhemajli edhe 15 vjet pas luftës nuk prehen në qetësi. Nuk prehen qetësisht as shumë personalitete të tjera, që e likuiduan pas luftës për shkak të bindjeve të tyre politike apo guximit të tyre qytetar dhe intelektual për të qenë ndryshe. As ankthi i familjeve të tyre nuk është aspak më i lehtë me kalimin e kohës, sepse vrasësit nuk janë as identifikuar, as nxjerrë para drejtësisë dhe as dënuar.
Viti që sapo e filluam mund të sjellë rikthimin e shpresës se nga dosjet e të vrarëve, që janë shtyrë në skajet e rafteve gjyqësore të ndara për krime më të rënda, do të fshihet pluhuri dhe do të fillohet të punohet me seriozitet e këmbëngulje në ndriçimin e tyre. Për ta ringjallur këtë shpresë duhet të ekzistojë vullneti politik në Kuvendin e Kosovës. Dhe guximi. Një nga detyrat e para të Kuvendit në vitin 2015 do të jetë bashkëthemelimi i Gjykatës Speciale së bashku me BE-në dhe Holandën, e cila do të jetë kompetente për krime lufte që supozohen se kanë ndodhur në përfundim të luftës dhe në të cilat viktimat ishin serbë. Nuk ka as gjasa teorike që kjo detyrë të bishtnohet, sepse Gjykata është në krye të agjendës ndërkombëtare për Kosovën.
Serbët nuk ishin e vetmja viktimë e atyre që pas luftës e ushtronin vetëgjyqësinë. Dhe nga kjo arsye, Kuvendi duhet të shfrytëzojë këtë rast që nga ndërgjegjja e Kosovës të heqë jo vetëm dyshimin e rëndë për rrëmbimin dhe zhdukjen e dhjetëra serbëve në fund të luftës, por edhe barrën e krimeve shqiptare-shqiptare, preteksti i të cilëve ishte puro-politik. Nëse vepron ndryshe, Kuvendi do të pranojë rolin e votuesit mekanik, nga i cili vetëm pritet përligjja e projektit ndërkombëtar të Gjykatës Speciale me mandat të ashtuquajtur serb. Nëse vërtet bëhet fjalë për një gjykatë të mirëfilltë, e cila është në të njëjtën kohë edhe kosovare edhe ndërkombëtare, atëherë Kuvendi ka të drejtë të kërkojë zgjerimin e mandatit të Gjykatës me hetimin e krimeve kundër personaliteteve të shquara shqiptare para, gjatë dhe pas luftës. Ishin këto krime që janë bërë si në kohë të paqes ashtu edhe në kohë të luftës, siç është rasti me krime që janë kryer ndaj serbëve. Impakti i tyre mbi ndërgjegjen tonë kolektive, mënyrën se si vendi është menaxhuar dhe krejt çfarë ka përjetuar pas luftës ka qenë tektonik. Për shembull, vrasjet e Enverit dhe e Xhemajlit nuk kanë qenë thjesht vetëm ekzekutimi brutal i dikujt që i pengonte apo vetëm ishte dhe mendonte ndryshe nga dikush tjetër – që në vetvete është krim i pafalshëm – por ishte deri më tani edhe atentati më i suksesshëm kosovar mbi fjalën e lirë dhe lirinë e shprehjes, të cilat edhe sot e kësaj dite çalojnë në Kosovë nga frika se ambasadorët e saj do të mund të përjetoni fatin e Enverit dhe Xhemajlit. Apo shembulli i vrasjes së Rexhepit. Ajo nuk ishte vetëm vrasja e një profesionisti, që në start e ka kundërshtuar shëmtimin e egër urbanistik të qytetit të tij, por ka qenë edhe vrasja e profesionalizmit dhe ekspertizës në procesin e vendimmarrjes politike, falë së cilës sot e kësaj dite inteligjencia jonë është ose e përjashtuar nga menaxhimi i vendit, ose vendnumëron në heshtje, ose është duke ia kryer hyzmetin politikës.
Themelimi i Gjykatës Speciale është ndoshta rasti i fundit për të zbardhur rastet e vrasjeve politike të kosovarëve të profilit të lartë, si këtu ashtu edhe në Shqipëri, ku viktimat, me gjithë rrymat e ndryshme politike dhe ushtarake që u takonin, e kishin edhe një gjë të përbashkët: guximin që brenda taborit shqiptar të shprehin mendimin ndryshe. EULEX-i nuk ka më as kompetenca dhe as kredenciale morale për të bërë një gjë të tillë, ndërsa gjyqësori dhe sistemi prokurorial vendor nuk do të kenë edhe për një kohë shumë të gjatë as guxim njerëzor dhe as vullnet profesional që të kacafyten me rihapjen e dosjeve të harruara për vrasjet shqiptare-shqiptare.
Kosova nuk ka arsye të druajë nga e vërteta. Të vërtetës duhet t’i druhen vetëm vrasësit dhe urdhërdhënësit e tyre, që janë ende në liri dhe mes nesh, ndoshta pikërisht të ulur në tavolinë pranë tone, përderisa ne e shijojmë makiaton në dyqanin kafeje tonë të preferuar. Për sa kohë ata nuk nxirren para drejtësisë dhe përderisa nuk dekonstruksionohet dhe bëhet publik i gjithë sistemi i vrasjeve politike shqiptaro-shqiptare, jo vetëm familjet e të vrarëve por edhe vendi për të cilin ata e dhanë jetën, si dhe vetë ne, që e konsiderojmë vetën ‘qytetarë të Republikës së Kosovës’, nuk do të mund ta bëjmë një sy gjumi të rehatshëm.
© KOHA.net


